Kosova mbyllë garimin në Tokio
Me garimin e sotëm të mundësit, Egzon Shala, Kosova mbylli garimin në LO Tokio 2020, të cilat u hapën më 23 korrik dhe do të mbyllen më 8 gusht, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.
"Ekipi olimpik i Kosovës i mbyll garat në Lojërat Olimpike Tokyo 2020 me dy medalje të arta.
Dy medalje të arta dhe dy vende të shtata është bilanci i 11-shes së ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Me garimin e sotëm të mundësit, Egzon Shala, ekipi ynë olimpik mbylli garimin në LO Tokio 2020, të cilat u hapën më 23 korrik dhe do të mbyllen më 8 gusht.
Xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, i sollën Kosovës medalje të arta, duke triumfuar në kategoritë -48 kg, përkatësisht -57 kg.
Xhudisti Akil Gjakova me tri fitore arriti të zë vendin e shtatë në kategorinë -73 kg, ndërsa kampionia olimpike nga Rio 2016, Majlinda Kelmendi, u mund në raundin e parë (-52 kg), ndërsa medalistja e bronztë e botës, Loriana Kuka, u ndalë në raundin e dytë (-78 kg).
Mundësi Egzon Shala garoi sot në kategorinë -125 kilogramë, duke hyrë në çerekfinale, me bilanc një fitore dhe një humbje.
Boksierja, Donjeta Sadiku, u mund në raundin e parë nga Caroline Debuis e Britanisë së Madhe, kategoria 57-60 kilogramë.
Mundja dhe boksi kosovar u përfaqësuan për herë të parë në Lojërat Olimpike.
Atleti, Musa Hajdari, zuri vendin 43 nga 48 garues në disiplinën 800 metra, me kohë 1:48.96 minuta.
Shenjëtari, Drilon Ibrahimi, doli i 46-ti nga 47 garues, në disiplinën 10 metra pushkë ajrore, mirëpo mbresëlënëse është rekordi i tij personal, duke arritur 608.8 pikë.
Notarët Olt Kondirolli (18-vjeç) dhe Eda Zeqiri (16) dhanë po ashtu maksimumin. Olti në 100 metra stil i lirë, zuri vendin e 64 nga 60 garues, ndërsa në baterinë e tij ishte i dyti me kohë 54.33 sekonda.
Zeqiri në disiplinën 400 metra stil i lirë, doli e 24-ta nga 26 garuese, ndërsa e para në baterinë e saj.
Dy medalje të arta me vetëm 11 sportistë, prej tyre gjashtë me normë olimpike (xhudistët dhe mundësi) vlerësohet sukses i jashtëzakonshëm për ekipin tonë".























