Nesër fillon Superliga e Kosovës, pritje të mëdha nga sistemi VAR
Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll do të startojë të shtunën dhe ky do të jetë sezoni i parë që në futbollin kosovar do të implementohet edhe teknologjia VAR.
Federata e Futbollit të Kosovës ditë më parë e inauguroi këtë teknologji ku edhe njoftoi se është marr edhe licenca nga UEFA dhe FIFA për zbatimin e saj.
Nesër do të zhvillohen tri ndeshjet e para të Superligës dhe njohësit e futbollit në Kosovës e vlerësojnë lartë punën e bërë nga ana e drejtuesve të FFK-së si dhe kanë pritje të mëdha se kjo teknologji do t’i jap shumë futbollit vendor duke e rritur edhe më tutje kualitetin e tij.
Trajneri dhe analisti Arbnor Morina, thotë për KosovaPress se ardhja e kësaj teknologjie në Kosovës është një e arritur e madhe për futbollin tonë dhe se kjo do të ndikojë direkt në rritjen e kualitetit në këtë sport.
Morina: VAR-i do ta ndihmojë shumë futbollin e Kosovës
“Unë mendoj që është një e arritur shumë e madhe për arsye se në regjion jemi të parët që po e aplikojmë VAR-in, Kam pasur rastin ta përcjelli me kategori të reja në shumë takime dhe kam parë që referët kanë qenë mjaftë shumë të informuar me VAR-in dhe kjo më gëzon shumë...Mendoj që referët mund të referojnë pak më lehtë pa ngarkesa sepse i kanë edhe dy, tre kolegë lartë në zyrë të cilët në çdo moment mund të iu tregojnë se a ka pasur ndonjë gabim apo nuk ka pasur. Mendoj që është një hap i madh i futbollit të Kosovës, mendoj që do të shkojë mirë sepse kemi edhe referët të cilët e kanë absorbuar mjaftë mirë këtë inovacion në futbollin tonë...Besoj që do të jetë mirë, nëse edhe UEFA ka dhënë fjalë të mira për VAR-in atëherë pse duhet ne të jemi skeptik”, tha Morina.
Edhe analisti Arsim Plepolli tha se ardhja e VAR-it në Kosovë brenda një periudhe kaq të shkurtër është një arritje shumë e madhe për futbollin tonë. Ai shtoi se teknologjia VAR do t’i jep një dimension tjetër Superligës së Kosovës ku do të shmangen debatet dhe diskutimet e panevojshme gjatë një ndeshje.
Plepolli: Mendoj që VAR-i do të sjellë shumë kualitet
“Unë mendoj që VAR-i do të sjellë shumë pozitivitet sepse tani edhe reagimet do të jenë shumë të ulëta sepse nuk mund të reagosh nëse e sheh në televizion apo në VAR e sheh që gabimi ka ekzistuar atëherë çka duhet të komunikosh, nuk ke nevojë për komunikimin sepse atëherë e sheh edhe shikuesi. Kështu që edhe sportdashësit e futbollit me VAR do ta kenë shumë më lehtë sepse po luhet një ndeshje edhe në kamerat tona nuk po përsëritet dy apo tre herë ndërsa VAR-i tani ta jep mundësinë e sheh dy -tre herë edhe unë si shikues i një ekipe kur të shoh që ka qenë penallti me VAR, kam qenë skeptik atëherë e pranoj që me të vërtetë paska qenë. Prandaj dua të them që mundësitë na u kanë dhënë shumë të mira, sidomos në këtë periudhë kaq të shkurtër të dalin katër ekipe në Evropë, të futet VAR-in në Ligë të Kosovës, po ndërtohen shumë stadiume, me të vërtetë është për t’i përgëzuar kreun e federatës më bashkëpunëtorët e tij sepse janë dukë bërë një punë shumë të mirë”, tha Plepolli.
Nga ana tjetër, i bindur se VAR-i do ta ndihmojë shumë futbollin e Kosovës shprehet edhe trajneri i Llapit Tahir Batatina. Ai tha se Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë një punë të madhe me inkuadrimin e kësaj teknologjie në futbollin tonë dhe se ajo do ta ndihmojë shumë këtë sport drejt evitimit ë shumë dilemave e diskutimeve në një ndeshje futbollit.
Batatina: VAR-i do ta ndihmojë shumë futbollin e Kosovës
“Unë mendoj që pas pranimit në FIFA dhe UEFA, që ka qenë një prej sukseseve më të mëdha në futbollin e Kosovës, është gjesti më i madh që është bërë për futbollin e Kosovës ardhja e sistemit VAR. Unë si trajner nuk e kam pritur që kaq shpejtë do të arrijmë ta kemi VAR-in në Kosovë dhe kjo duhet të falënderohen njerëzit që kanë punuar në këtë drejtim të Federatës së Futbollit, e kanë sjellë shumë shpejtë...Kemi shumë shtetet për rreth që ende nuk kanë mundur ta aplikojnë një gjë të tillë...Unë mendojë që VAR -i do ta ngrisë cilësinë e futbollit të Kosovës me vet faktin që me VAR mund të mos kenë dyshime trajnerët. Trajneri duhet ta kryejë punën e vet, lojtari duhet ta kryejë punën e vete. Arbitëri mund të gabojë në sekuenca të caktuara se VAR-i nuk i zgjedh të gjitha problemet por mendoj që gabimet që ndikojnë direkt në rezultat VAR-i i zgjedh...Mendoj është një sukses i madh dhe VAR-i besoj se do të na ndihmojë shumë”, tha Batatina.
Tri ndeshjet e para të Superligës së Kosovës zhvillohen nesër ku ballafaqohen:
Drenica – Gjilani
Drita – Feronikeli
Llapi – Ulpiana























