“Në gojën e gjarpnit” – një histori pak e njohur e Kosovës
BKT
   Libër & Ide

“Në gojën e gjarpnit” – një histori pak e njohur e Kosovës

Ish-i burgosuri politik dhe ish-profesori i mirënjohur i Shkollës e mesme të Mjekësisë në Prishtinë, Tefik Ramadani - Qarri, sapo e ka botuar një libër të zhanrit memoaristik, me një titull mjaft domethënës: “Në gojën e gjarprit”.

Në këtë libër autori Ramadani përshkruan përvojat personale sidomos të periudhës sa ai është mbajtur peng në burgjet e Jugosllavisë socialiste (1984-1988), por edhe përvojat e hidhura të jetës pas burgut, si një profesor i ekskomunikuar nga të drejtat qytetare, kombëtare dhe njerëzore - masa ndëshkuese të cilat i aplikonte shteti serbo-jugosllav ndaj të pabindurve politikë shqiptarë edhe pas i ata e kryenin dënimin.
Në pasthënien e këtij libri, recensenti Pal Shtufi, ka shkruar se një libër i shkruar me sinqeritet, si ky i Tefik Ramadanit, “ka fuqi të hap një horizont të ri, për t’i kuptuar shumë fenomene shoqërore, ndërkaq kur rastis që libri të ketë për qëllim të jetë dëshmi, ai ka rëndësi të shumëfishtë sepse flet për të shkuarën dhe kështu formëson realitete të reja”.
Libri dokumentar dhe memoaristik “Në gojën e gjarprit-kujtime të një ish-të burgosuri” i Tefik Ramadanit, ashtu siç nuk ndodh shpesh me shumë libra dhe autorë shqiptarë ish të përndjekur politikë, mund të lexohet edhe si një roman autobiografik. Ramadani zotëron një gjuhë të kultivuar, si dhe ka një zotësi narrative aq sa të merr  me vete gjatë gjithë rrëfimit. Duke rrëfyer përvojat e tij personale në këtë libër Tefik Ramadani përvijon edhe një pjesë historisë së vet Kosovës dhe të një brezi djemsh e vajzash kosovare, të cilët iu nënshtruan një persekutimi të pashembullt shtetëror, nga më të egrit e vendeve të ish-bllokut socialist. Tregimi i Tefik Ramadanit është vet tregimi për Kosovën.
Libri “Në gojën e gjarpnit” përmban edhe shumë të dhëna dokumentare; në faqet e tij po ashtu hasen edhe shumë dokumente si dhe shumë fotografi, të cilat dëshmojnë për gjithçka çfarë shkruan autori, por ajo që habit është gama e gjerë e kujtesës së autorit për t’i përmbledhur si të riproduktuara gjithë ato ngjarje brenda një libri.