Poeti i sfidave të përhershme dhe i atdhedashurisë
BKT
   Libër & Ide

Poeti i sfidave të përhershme dhe i atdhedashurisë

Në 20-vjetorin vdekjes së poetit Jakup Ceraja, në Muzeun e qytetit të Mitrovicës, të shtunën mbrëma, u mbajt promovimi i librit “Ndërrim dhome”, libër ky që përmban poezitë e fundit të shkruara nga poeti pak para vdekjes.

Deri në çastet e fundit të jetës poeti Jakup Ceraja nuk u nda nga dashuria e tij e madhe, poezia. Kështu u pohua në promovimin e librit të fundit të tij me titull “Ndërrim dhome”, që u mbajt të shtunën mbrëma në Muzeun e qytetit të Mitrovicës, organizuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” në bashkëpunim me Muzeun e Mitrovicës.

Poeti dhe studiuesi i letërsisë prof. dr. Agim Vinca, i cili është edhe redaktor i librit, pohoi se Jakup Ceraja nuk do të ishte ai që ishte (dhe që vazhdon të jetë): “poet i shtrënguar mirë në thithë të mëmëdheut”, pa temën e madhe të atdhedashurisë. “Në udhëtimin e tij të fundit në jetë, atë e shoqëron figura e babait të ndjerë, Mehmet Idriz Cerajës, me të cilin zhvillon dialog për ndeshtrashat e historisë, për Kombin e Atdheun, për Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë, por edhe për ardhmërinë. Teksa endet rrugëve të atdheut, nga Mitrovica në Prishtinë dhe nga Prishtina në Tiranë e anasjelltas, në Rinas e Kalimash, imagjinata e poetit bredh në histori e mitologji. Shkodra, Kruja, Vlora, Flamuri, Plisi, Dardania, Oso Kuka, Isë Boletini, Bajram Curri, Prekazi, UÇK-ja, Adem Jashari… janë temat dhe simbolet e tij të preferuara”, u shpreh Vinca.
Jakup Ceraja, edhe në betejën me sëmundjen, që zgjat rreth dy muaj (korrik-gusht 2001), nuk u nda nga blloku i tij, nuk reshti së shkruari vargje, me dorë, në letër, siç mund të shihet fare mirë nga faksimili i këtij dorëshkrimi. Secili tekst i këtij dorëshkrimi ka datën dhe vendin (herë-herë edhe orën) ku dhe kur është shkruar. Në dhomat dhe korridoret e spitaleve, ku qe shtruar për mjekim, në kontakt me mjekët dhe bashkëvuajtësit, në shtrat, e edhe në rrugë e sipër, poetin e shohim me laps në dorë, në kërkim të vargut, figurës, mendimit.
“Nuk ka asnjë lektisje në këto tekste. Në to mbizotëron dashuria për jetën dhe njerëzit, për vendlindjen, familjen, gruan, fëmijët, djalin, vajzën; të bijën që i rri ditë e natë te kryet, Çamërinë… Është e çuditshme se si në këtë dorëshkrim nuk përmendet pothuajse asnjëherë fjala vdekje (poeti e shpërfill atë), por shumë shpesh fjalët jetë, njeri, dashuri”, shtoi profesor Vinca.
Sipas Vincës, ky dorëshkrim, ku, krahas vargjeve, ka edhe ndonjë shënim në prozë, dëshmon se autorit të tij as në grahmat e fundit të jetës nuk i mungoi frymëzimi dhe kthjelltësia shpirtërore, ajo që me një fjalë të huaj quhet luciditet. Andaj, botimi i tij në njëzetvjetorin e ndarjes nga jeta të poetit, sipas Vincës, është nderimi më i mirë që mund t’i bëhet emrit dhe veprës së tij.
Ndërsa studiuesi i letërsisë Miftar Kurti, i cili qysh moti është marrë me letërsinë e Jakup Cerajës, u shpreh se Jakup Ceraja, si njeri e si krijues ka jetuar e vepruar në kohë e rrethana historike.
“Si fëmijë e ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore, si 19-vjeçar ka përjetuar shpërnguljen e mbi 300 mijë shqiptarëve (1953) në Turqi, në moshën 22-vjeçare e ka përjetuar Aksionin për grumbullimin e armëve (1956), që në popull njihet si ‘Koha e Rankoviçit’, kurse në moshën 23-vjeçare është burgosur dhe dënuar me 2 vjet burg. Izolimin e ka përjetuar në vitin 1981, kurse luftën e dytë, luftën çlirimtare në Kosovë, e ka përjetuar në periudhën kohore 1998-1999. Përballë të gjitha këtyre sfidave ai qëndroi stoik. Megjithatë, ai e humbi betejën me sëmunjden, më 26 gusht 2001. E humbi këtë betejë, por ai jeton në mendjen dhe kujtesën tonë, në vargjet, poezitë, prozën, në publicistikën e tij, në 22 veprat e tij. Ai vetëm ka ‘ndërruar dhomën’”, u shpreh Kurti.
Duke folur për krijimtarinë e poetit, Kurti theksoi se ajo kalon nëpër tri faza. Faza e parë, sipas tij, përfshin periudhën kohore 1956-1973, faza e dytë 1980-1999 dhe faza e tretë 2000-2001. “Në fazën e parë ka botuar 4 vepra, në të dytën 14 vepra, kurse në të tretën 4 sosh, me këtë të botuar së fundi. Gjithsejt 22 vepra. Përveç dy romaneve dhe një ditari të luftës, të gjitha të tjerat janë me poezi. Poezi për të rritur dhe për fëmijë”, u shpreh ai.
Jakup Ceraja krijimet e tij i ka botuar në gazeta e revista të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Është përkthyer në gjuhën italiane, gjermane, franceze, turke, sllovene dhe arabe. Për krijimtarinë e tij letrare kanë shkruar Ernest Koliqi, Martin Camaj, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Vorea Ujko, Agim Vinca, Emin Kabashi, Hazyr Dervishi, Nexhmedin Soba, Shyqri Galica, Ramadan Musliu, Rifat Kukaj, Teki Dervishi, Mensur Raifi, Fahredin Gunga, Fazli Hajrizi, Çerkin Ismaili dhe të tjerë.
Sipas Kurtit, Ceraja është poet i angazhuar, poet i kohës dhe rrethanave. Atij asnjëherë nuk i ka munguar frymëzimi. “Se është kështu dëshmon poezia e tij e fundit me titull ‘Unë’, e shkruar më 6 gusht 2001, ora 22:30 e natës. Pra, deri në 20-ditëshin e fundit të jetës së tij, ai shkroi poezi me dorën e vet. Poezia e tij ka të gjitha elementet që ka çdo poezi. Edhe pse ajo nganjëherë është më e hapur dhe më e drejtpërdrejtë, asaj asnjëherë nuk i ka munguar gjuha e figurshme, por kurrë nuk ka qenë e mbyllur, abstrakte, hermetike. Ajo është e strukturuar në vargje të rimuara dhe të bardha, të grumbulluara në strofa (kur ajo është strofike), por ajo është edhe astrofike. Nëpër poezinë e tij thyhen e përthyhen tema e motive, ide, ideale, mesazhe, botëkuptime etj.”, u shpreh Kurti, duke theksuar se kryetema e poezisë së tij është Atdheu, duke mos lënë anash temat për dashurinë, lirinë, kurbetin dhe kohën. Kurti u shpreh se figurat më të frekuentuara në poezinë e tij janë: epiteti, krahasimi, simboli, metafora, anafora, epifora, aliteracioni, hiperbola, gradacioni (shkallëzimi) dhe ironia.
Kurti foli edhe për sfidat nëpër të cilat ka shkruar dhe botuar poeti, duke thënë se aq sa ishte e vështirë për të (si për çdo poet) akti i krijimit të poezisë, po aq e vështirë dhe sfiduese ishte përpjekja për të botuar, për ta plasuar te lexuesi atë. Lidhur me këtë Kurti i ofroi disa të dhëna që kanë dalë si rezultat i hulumtimeve të tij. “E para, poeti Jakup Ceraja, poezinë e parë ‘Pa titull’ e ka botuar në vitin 1956, këtu e 65 vjet më parë, në numrin 6, f. 534, të revistës letrare “Jeta e Re”, në rubrikën “Pasqyra e të rinjve”. Te kjo revistë, nga viti 1956 e deri më 1966, del se ka botuar mbi 40 poezi dhe ndonjë poemth. Poezitë e para i ka botuar me emër dhe mbiemër Jakup Mehmeti, kurse të tjerat me Jakup Ceraja. E dyta, përpjekjen e parë për të botuar libër me poezi e ka bërë në vitin 1961, pastaj më 1963 dhe 1964. Herën e parë dhe të dytë nuk arriti të botojë, sepse, sipas recensentëve e redaktorëve, jo të gjitha poezitë kishin vlerën e nevojshme artistike, se një pjesë e tyre binin në kundërshtim me pushtetin dhe sistemin e kohës, se ato ishin të errëta, se ishin shkruar në ‘gjuhë letrare’, se autori nuk kishte përgatitjen e nevojshme akademike etj. Në vitin 1964, Komisioni vlerësues ia dha vizën për botimin e librit të tij të parë, mirëpo pas pak kohësh njerëzit e shërbimit të UDB-ës shkuan dhe ia konfiskuan dorëshkrimin dhe nuk arriti të botojë. Librin e tij të parë, me titulll ‘Përkushtime’ e botoi në vitin 1966”, u shpreh Kurti, i cili shtoi se poeti Jakup Ceraja, për dy dashuritë e tij të përhershme, atdheun dhe poezinë, ishte në gjendje të rrezikonte edhe jetën. Për dashurinë ndaj poezisë dhe atdheut ai u akuzua, u izolua, u arrestua, u burgos, por edhe u dënua me burg. “Për dy dashuritë e tij të përhershme ai kaloi edhe një sfidë shumë më të madhe dhe më të vështirë. Ai gjatë gjithë luftës 1998-1999 qëndroi në Kosovë krah ushtarëve të UÇK-së, me një pjesë të familjes së tij. Dëshmi për këtë janë një numër i poezive të tij, posaçërisht dëshmi e pamohueshme është Ditari i tij i luftës”, u shpreh Kurti.
Në këtë promovim folën edhe miq të poetit, njëri ndër të cilët, Dom Lush Gjergji, theksoi se Jakup Ceraja besoi edhe në Zotin edhe në popullin. “Jakupi ynë dashuroi dhe me përkushtim e me dashuri u mundua të na japë atë çka e kishte në mendjen e ndritur dhe në zemrën e madhe fisnike, bujare, atdhedashurinë e tij për popullin tonë shqiptar por edhe për çdo njeri”, u shpreh Gjergji.
Ndërkaq një mik tjetër i tij, studiuesi i letërsisë profesor Fazli Hajrizi evokoi kujtime nga koha kur e ka njohur poetin. “Jakupin e kam pasur mik, por njëkohësisht edhe përkrahës të madh të një përpjekjeje të vogël timen për të bërë diçka në fushën e kulturës dhe letërsisë. Jakupin e kam njohur kur isha nxënës në gjimnaz në mesin e viteve ‘60 dhe më kujtohet kur vinte në shkollë me disa numra të revistës ‘Jeta e Re’, kishte një bashkëpunim me profesorët e gjuhës shqipe Hajzer Krasniqin, Fahredin Gungën, Xhemail Pllanën e të tjerë, i shpërndanin nëpër paralele, ku nxënësit kishin dëshirë t’i kishin ato”, theksoi Hajrizi.
Të pranishmit i përshëndeten dhe i falënderuan për pjesëmarrje i biri i Jakup Cerajës, Kastrioti, dhe e bija Shqipja, e cila e lexoi edhe një letër të dërguar nga Suedia nga i biri më i madh i poetit, Fatlumi.  
Me disa pika muzikore u paraqit Sokol Hidersha, bass bariton i Teatrit të Operës dhe Baletit dhe pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, i shoqëruar në piano nga Saranda Kutllovci-Syla, profesoreshë në Shkollën e Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Kjo ngjarje u moderua nga Nora Prekazi-Hoti.
Libri “Ndërrim dhome” u promovua në shenjë të 20-vjetorit të vdekjes së poetit.