Kthim në kohë përmes poezive dhe tregimeve për fëmijë

Kthim në kohë përmes poezive dhe tregimeve për fëmijë

Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” sapo ka nxjerrë nga shtypi librin më të ri për fëmijë.

“Kthehu në kohë” titullohet libri i sapobotuar që për autore ka Shqipe Ceraja-Elmazin. Në këtë libër janë përfshirë njëmbëdhjetë poezi dhe pesë tregime për fëmijë, të cilat janë shkruar qysh në vitet tetëdhjetë, por që, aty-këtu, janë botuar nëpër gazeta dhe revista të kohës, ndërsa sot e shohin dritën e botimit në formën e librit. Poezitë dhe tregimet trajtojnë tema dhe motive të ndryshme, kryesisht nga bota e fëmijëve dhe imagjinata e pasur e tyre. Gëzimi i fëmijëve në ditën e parë të shkollës dhe takimi i tyre me mësuesen, gëzimi i tyre kur e marrin abetaren në duar, loja e tyre me borë dhe me dordolecin me hundën prej karote, mirësjellja e fëmijëve ndaj më të moshuarve, kalimi i pushimeve në det, çudia dhe frika që e ndiejnë fëmijët kur e shohin për herë të parë trenin etj. janë disa nga tematikat që trajtohen në poezitë dhe tregimet e librit “Kthehu në kohë”.  
Personazhet e këtij libri shpeshherë takohen me personazhet e klasikëve të letërsisë për fëmijë, si për shembull Gavroshi, Luli i vocërr i Migjenit etj. 
Autorja e librit “Kthehu në kohë”, Shqipe Ceraja-Elmazi, e lindur në Mitrovicë, qysh si fëmijë, u dallua për zgjuarsinë që kishte. Këtë e dëshmoi në shkollën fillore, ku asokohe Këshilli Arsimor i Shkollës Fillore “Avdullah Shabani” në Mitrovicë e kaloi nga klasa e IV në klasën e VI si nxënëse me prirje në mësim. Shkollën e mesme e përfundoi dy vjet gjimnazin në Q.A.M.O. “Silvira Tomazini” dhe dy vjet në Zveçan, drejtimi Biologji. Studimet në Letërsi dhe Gjuhë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës i ndërpreu në vitin e fundit, duke lënë disa provime për shkak të rrethanave të viteve '89, dhe po atë vit migroi në Danimarkë, ku jeton edhe sot, së bashku me bashkëshortin Ramadanin dhe fëmijët Mirjetën, Lavdijen, Lavdërimin dhe Dinën. 
Shqipja ishte pjesëmarrëse edhe në demonstratat e viteve "81. Që në moshë të re, botoi në revistat për fëmijë dhe më pas edhe në revistat studentore dhe revistat e asaj kohe si “Bota e Re” e të tjera.
Shkrimet nuk i ndaloi, edhe pse nuk botoi më, pasi në Danimarkë iu qas profesionit të shëndetësisë, duke studiuar për infermiere, ku edhe punoi me përkushtim deri në pensionim të parakohshëm.
Libri “Kthehu në kohë” ka 53 faqe dhe kushton 3 euro.