Del Piero: Situata e Juves shqetësuese, vështirë se mund të rikuperohet
Pas humbjes së dytë radhazi dhe ndeshjes së tretë radhazi pa fitore, që e ka çuar Juventusin 16 pikë larg vendit të parë në renditjen e Serie A, ish-kapiteni bardhezi Alex Del Piero, ka komentuar momentin negativ të skuadrës për mikrofonat e Sky Sport:
“Ka patur një ecuri të mirë në Champions, ku ka treguar shumë personalitet dhe përqendrim, pastaj sërish “blackout”. Është një situatë e vështirë, pasi objektivi minimal është kualifikimi në kupat e Europës. Pastaj Juventusi na ka surprizuar me përmbysje të pabesueshme, por sot është e vështirë të mendosh diçka të tillë”.
“Kur u largua Allegri u tha se skuadra ishte për tu ribërë. U zgjodhën në fillim Sarri dhe më pas Pirlo, por të dyja rrugët nuk ndryshuan. Ka patur një zgjedhje të fortë nga ana e presidentit, që vendosi vetë rikthimin e Allegrit. Duhet të kuptojmë nëse kjo skuadër, është riformatuar apo ka nevojë për kohë. Përshtypja është se ka akoma nevojë për kohë”, ka përfunduar ish-kapiteni i Juventusit.























