Vettingu, Balla: Komisioni i Venecias jep opinion në fillim të dhjetorit.
Sharr Travel

Vettingu, Balla: Komisioni i Venecias jep opinion në fillim të dhjetorit.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka bërë me dije se Komisioni i Venecias pritet të japë opinion urgjent në fillim të dhjetorit për zgjatjen e mandateve të vettingut që e cilëson domosdoshmëri.

Në fjalën e tij para mediave, Balla u pyet edhe për kërkesën e prokurorëve të SPAK për ndryshime kushtetuese duke thënë se nuk ka depozitim me firma deputetësh për këtë çështje. Sipas tij, ka kohë për tu diskutuar sepse të gjithë anëtarët janë në fillim të mandatit.

Ndërsa për kritikat e ish zv.kryeministrit Erion Brace, thotë se është koleg i vjetër i tij, me të cilin diskuton çdo ditë.

Pyetje: ONM ka përkrahur zgjatjen e mandateve të vettingut, për miratimin e tyre duhet edhe vota e opozitës. Çfarë do të bëjë PS për të fituar këto vota?

Balla: Unë nuk dua të bëj debat për këtë çështje, as deklarata që nuk i vlejnë nevojës që ka Kuvendi për të vijuar votimin në procedurë parlamentare. Kjo i takon Këshillit të Legjislacionit, Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Venecias, që është ftuar të japë opinion urgjent dhe mesa jam informuar, e ka parashikuar në ditët e para të dhjetorit. Le të shmangim diskutimet në publik. Zgjatja e mandateve të vettingut është domosdoshmëri.

Pyetje: Për zgjatjen e mandateve të vettingut, a do e fusni në renditje edhe kërkesën e prokurorëve të SPAK për mandat të pakufizuar? Jeni pro apo do e vendosni në një moment tjetër?

Balla: Ndryshimet kushtetuese kanë një procedurë të veçantë. Nuk ka një depozitim me firma deputetësh. Koha në dispozicion është e mjaftueshme se asnjë prej anëtarëve nuk është në fund por në fillim të mandatit. Do e diskutoj si deputet i thjeshtë sepse vendimet në emër të grupit merren kur mblidhet grupi. Kjo është një çështje që meriton të vlerësohet po të nisemi nga ecuria e deritanishme. Nuk dua të hyj në këto çështje se nuk ka një nismë të depozituar dhe të fokusohemi tek ajo që kemi në punën e përditshme të kuvendit. Sot kemi diskutuar në grupin parlamentar për paketën fiskale dhe buxhetin që do e mbështesë plotësisht. Jo vetëm është buxheti më i madh që ka pasur Shqipëria, por edhe më i drejtë sa i përket parimeve të drejtësisë sociale.

Pyetje: Do të dëgjojë PS edhe kritikat që vijnë nga Erion Brace për paketën fiskale dhe për mënyrën si po qeverisni?

Balla: Erioni është kolegu im shumë i vjetër, me të cilin diskutojmë çdo ditë. Natyrshëm që secili nga ne ka këndvështrimet e tij apo vlerësimet e tij por në fund të fundit janë çështje të vendimmarrjes së përbashkët politike./tch


MË SHUME NGA Intervista