Gashi: Me kapacitet të limituar, kemi përpiluar analizë të tregut të punës
   Intervista

Gashi: Me kapacitet të limituar, kemi përpiluar analizë të tregut të punës

Intervistë me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi.

Intervistoi: Albana Bajrami/Radio Kosova

Radio Kosova: Z.Gashi, këto ditë jeni kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishit me ftesë të agjencisë homologe amerikane. A mund të na flisni pak për rëndësinë e takimeve që keni pasur atje, dhe çfarë sjell kjo për Agjencinë e Kosovës për Akreditim?

Naim Gashi: Në ShBA ekzistojnë katër Agjenci të Akreditimit, njëra nga ato është Asociacioni për Teknologji, Menaxhment dhe Inxhinieri Aplikative (ATMAE), e cila bën akreditimin e të gjitha programeve akademike në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë në ShBA. Ne kemi qenë pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare, ku kemi marrë pjesë në mbledhjen e Bordit, menaxhmentit dhe prezantimin e rezultateve të akreditimit. Gjatë kësaj vizite, ne kemi bërë një marrëveshje me agjencinë homologe amerikane, në mënyrë që ata me ekspertë të vijnë në Kosovë për të na ndihmuar për zhvillimin e programeve në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë. Arsyeja kryesore pse agjencia është e fokusuar në këto programe akademike, ka të bëjë kryesisht me nevojat e tregut të punës në Kosovë dhe me faktin që këto kuadro janë jashtëzakonisht të kërkuara në tregun e punës. Çdokush që studion inxhinieri dhe teknologji në Kosovë, ai me automatizëm gjen një vend pune dhe një nga arsyet tjera është se këto dy fusha në një farë forme frenojnë edhe migracionin e të rinjve, për faktin se me inxhinieri dhe teknologji mund të kryesh punë në Kosovë edhe për tregun evropian. 

Radio Kosova: Agjencia e Kosovës për Akreditim është shpallur fituese e grantit të Ambasadës Amerikane në Kosovë. Për çfarë granti bëhet fjalë dhe kush do të përfitojë?

Naim Gashi: Granti i fundit i Ambasadës Amerikane ka të bëjë me rritjen e procesit të vendimmarrjes së studentëve në arsimin e lartë në Kosovë. Ideja jonë është se kemi edhe një rekomandim nga ENKA, që të rritet përfshirja e studentëve në procesin e akreditimit dhe rritjes së cilësisë në arsimin e lartë. Në kemi konkurruar me një projekt, kemi dalë fitues dhe projekti është në fazën fillestare, ku është duke u zbatuar. Kemi kontraktuar dy ekspertë eminentë nga ENKA, kemi kontraktuar edhe ekspertë vendorë, dhe projekti është në realizim e sipër. Në fund të këtij projekti, besoj që ne do të rrisim pjesëmarrjen e të rinjve në proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Në këtë mënyrë, përveç që do ta rregullojmë këtë fushë, njëkohësisht plotësojmë edhe një kriter për kthimin tonë në ENKA. 

Radio Kosova: Këshilli Shtetëror i Cilësisë, ka diskutuar procesin e hartimit dhe miratimit të Planit Strategjik të AKA-së. A mund të na thoni në cilën fazë është tani ky proces?

Naim Gashi: Agjencia e Akreditimit ka mbajtur punëtorinë e fundit për sa i përket përpilimit të Planit Strategjik, ku është nisur në fillim të këtij viti. Agjencia ka përgatitur një draft të Planit Strategjik, ku më pas kemi kontraktuar katër ekspertë vendorë, ndërsa në fazën finale kemi kontraktuar një ekspert eminent austriak për të shikuar nëse plani ynë strategjik është në harmoni me standardet e ENKA-s dhe me standardet evropiane të cilësisë. Në fund e kemi dorëzuar në Bord, ku e ka analizuar me palët e interesit dhe aktualisht është në përkthim, të cilin më pas do ta hedhim edhe njëherë në diskutim publik, para aprovimit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Plani është shumë ambicioz, ku parashihet përveç synimeve tona për kthimin në ENKA dhe EQAR, parashohim edhe ndërlidhjen e sistemit arsimor me tregun e punës, garantimin e cilësisë në arsimin e lartë, bashkëpunimin ndërkombëtar, digjitalizimin, e të tjera.

Radio Kosova: Ndërkohë, së fundmi Raporti i Progresit lavdëroi punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, sa është i rëndësishëm ky vlerësim?

Naim Gashi: Besoj që Komisioni Evropian ka vërtetuar atë që kanë thënë organizatat vendore, të cilat e monitorojnë punën e Agjencisë së Akreditimit. Komisioni Evropian, përdor një terminologji jashtëzakonisht pozitive për sa i përket agjencisë sonë. Ne jemi institucioni me performancën më të mirë në Republikën e Kosovës, ku nuk kemi asnjë vërejtje dhe i tërë raporti është afirmativ dhe pozitiv. Kjo është inkurajuese për ekipin që unë e drejtoj dhe për sistemin e arsimit të lartë në përgjithësi, për arsyes se ne konsiderojmë që sukseset e institucioneve e arsimit të lartë në Kosovë, janë edhe sukseset tona. Aktualisht Agjencia ka një rol përkrahës, mbështetës e zhvillues për institucionet e arsimit të lartë, ne nuk jemi një institucion penalizues. Kuptohet që ne i zbatojmë me rigorozitet të lartë standardet, mirëpo ato kanë qëllimin përfundimtar që institucionet ta rrisin cilësinë dhe këtë po e arrijmë. Raporti i Komisionit Evropian është inkurajues edhe për faktin e aplikimit tonë në ENKA, për arsye se është institucion i BE-së dhe raporti i Komisionit Evropian është shumë determinues dhe përkrahës për ri-aplikimin tonë në dy institucionet e rëndësishme evropiane. 

Radio Kosova: Cilët kanë qenë hapat kryesorë, që janë ndërmarrë gjatë këtij viti, për të arritur në një vlerësim pozitiv?

Naim Gashi: Ideja jonë ka qenë që  në kohë pandemie kur njerëzit kishin vështirësi për furnizimin me gjëra elementare, ne kemi qenë shteti i dytë në Evropë pas Estonisë, të cilët kemi zhvilluar akreditimin në distancë. Ajo që është më e rëndësishme, është që gjatë këtij viti procesi i akreditimit e ka përfunduar një cikël, që do të thotë se asnjë institucion të cilit i ka skaduar akreditimi nuk është shtyrë për vitet e ardhshme. Ne kemi zhvilluar akreditim me standarde evropiane në kohë pandemie, duke respektuar të gjitha masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Për rrjedhojë, më 27 korrik të këtij viti, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i ka votuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe është përfunduar cikli i akreditimit. Kjo është vlerësuar më së shumti nga ana e Komisionit Evropian, ndërsa e dyta ka qenë bashkëpunimi jonë me institucionet vendore e ndërkombëtare për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të ENKA-s. Me plot përgjegjësi e them që agjencia tashmë ka plotësuar më tepër se 90 për qind të atyre rekomandimeve. Ne po presim edhe miratimin e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit në Kuvendin e Kosovës, nxjerrjen e akteve nënligjore dhe ri-aplikimin në këto dy institucione të rëndësishme evropiane. 

Radio Kosova: Pas këtij vlerësimi të Raportit të Progresit, a pritet që të kemi një ri-anëtarësim në ENKA dhe EQAR, është bërë ende aplikimi apo kur pritet të bëhet?

Naim Gashi: Ne po presim që të miratohet Ligji për Agjencinë e Akreditimit. Ligji është një ligj jashtëzakonisht i mirë, i cili përfaqëson interesat e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë, rregullon në detaje të gjitha zbrazëtirat që i kemi pasur me legjislacionin aktual. Drafti i këtij ligji është diskutuar edhe me institucionet e arsimit të lartë, Ministrinë e Arsimit, Qeveri, Kuvend-komisionin parlamentar, me donatorët ndërkombëtarë, komunitetin akademik, studentët, me të gjithë. Pra, ka pasur një gjithpërfshirje për sa i përket përpilimit të këtij ligji. Ligji, më pas shkon për t’u votuar në Qeveri dhe në Kuvend. Unë u bëjë thirrje ligjvënësve, që sa më shpejt ta shqyrtojnë dhe ta miratojnë këtë ligj, në mënyrë që të na hapin rrugë, që së bashku me Ministrinë e Arsimit të hartojmë aktet nënligjore dhe më pas t’i zbatojmë ato dhe të ri-aplikojmë për ri-kthimin tonë në ENKA dhe EQAR. Ideja jonë nuk është që vetëm ta kemi miratimin e ligjit dhe menjëherë të aplikomë për ri-kthim, por ideja është që të kemi ligjin dhe të fillojmë ta zbatojmë atë. Zbatimi i këtij ligji fillon ditën kur nënshkruhet nga presidentja e Kosovës dhe kur botohet në gazetën zyrtare, të nesërmen fillon zbatimi i tij. Nëse ne kemi një periudhë të zbatimit, ne do të jemi shumë më të fuqishëm para ENKA-s, për arsye se ata përveç që na kanë kërkuar miratimin e Ligjit, ne do të shkojmë në ENKA me rezultate të zbatimit të këtij ligji. 

Radio Kosova: Gjatë vitit 2021, keni mbyllur ciklin e procesit të akreditimit në distancë dhe asnjë program akademik nuk është shtyrë për vitin e ardhshëm. A mund të na flisni pak për këtë dhe punën e Agjencisë gjatë këtij viti që po e përmbyllim?

Naim Gashi: Mua më gëzon fakti që ekziston një konsensus shoqëror i përgjithshëm, qoftë nga institucionet vendore e ndërkombëtare, komuniteti akademik e studentët, për ta përkrahur Agjencinë për zbatimin e standardeve më të larta evropiane të sigurimit të cilësisë. Kjo ka qenë puna jonë kryesore, ku në përgjithësi institucionet e arsimit të lartë janë pajtuar me vendimet të cilat janë marrë në Agjenci dhe Këshill, janë pajtuar me rekomandimet që i kanë dhënë ekspertët ndërkombëtarë. Unë mendoj që pjesë e këtij suksesi gjatë këtij viti kanë qenë 81 ekspertët eminentë evropianë, të cilët i kemi pasur të angazhuar në këtë proces. Ata, përveç procesit të jashtëm, kanë dhënë edhe rekomandime për përmirësimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë. Institucionet ë arsimit të lartë, deri më 15 nëntor kanë pasur afat dhe i kanë dorëzuar planet e tyre për zbatimin e rekomandimeve. Ne nuk bëjmë vetëm akreditimin, por edhe japim rekomandime konkrete për përmirësimin e gjithë atyre hallkave brenda institucioneve të arsimit të lartë, ku ekspertët ndërkombëtarë shohin se ka hapësirë për përmirësim.

 

Radio Kosova: A mund të flasim pak edhe për ngritjen e cilësisë në Arsimin e lartë? A ka ndikuar numri i madh i studentëve në programe të caktuara akademike dhe cilat janë ngecjet kryesore?

Naim Gashi: Ne kemi pasur vërejtje, qoftë nga institucionet vendore dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë edhe për numrin e madh të studentëve brenda një programi akademik. Përmes një vlerësimi profesional nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë dhe me procesin e vendimmarrjes nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, në përgjithësi numri i kuotave të studentëve brenda një programi akademik është zvogëluar dukshëm dhe tani e tutje nuk ekzistojnë programe akademike ku përfshijnë numër të pakontrolluar të studentëve. Çdo kuotë për pranimin e studentëve në një program akademik është vlerësuar në detaje nga ekspertët dhe jemi të bindur që ato kuota të cilat janë propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë dhe janë aprovuar nga KShC, institucionet e arsimit të lartë kanë kapacitete për të garantuar që programet e tyre akademike janë në harmoni me standardet evropiane të cilësisë. 

Radio Kosova: Çfarë po ndodh me rastet, ku studentët kanë studiuar në ato programe të cilat kanë pasur një numër të caktuar me konkurs për t’u pranuar, ndërsa janë pranuar më shumë sesa kuota e paraparë?

Naim Gashi: Tejkalimi i kuotave përbën vepër penale dhe kjo është punë e institucioneve të drejtësisë. Ideja jonë është që Agjencia për akreditim përcakton vetëm kuotat dhe ato i dorëzon në Ministrinë e Arsimit. Në momentin që ne i dorëzojmë listat, puna jonë aty përfundon. I takon Ministrisë së Arsimit, departamentit të arsimit të lartë dhe inspektoratit të arsimit që të bëjnë inspektimin e tejkalimit të kuotave. Në momentin që ne kemi informacion për tejkalimin e kuotave, me automatizëm ne i dërgojmë në MASHT, i raportojmë ato raste dhe institucionet kompetente merren me to. Është me rëndësi të theksoj se dukuria e tejkalimi të kuotave në dy vitet e fundit nuk është duke ndodhur. Mund të këtë ndonjë gabim teknik në dorëzimin e listave, por tejkalim të kuotave në dy vitet e fundit ne nuk kemi marrë asnjë informacion për një dukuri të tillë.

Radio Kosova: Cilat janë disa nga standardet e cilësisë në arsimin e lartë, duke pasur parasysh ndërlidhjen e arsimit të lartë me tregun e punës?

Naim Gashi: Gjatë procesit të akreditimit të programeve akademike, njëra nga shtatë standardet ka të bëjë me ndërlidhjen e programit akademik me tregun e punës dhe tek akreditimi institucional, një nga njëmbëdhjetë standardet ka të bëjë me tregun e punës. Institucionet e arsimit të lartë, kur të aplikojnë për akreditimin e programeve të tyre akademike, duhet të dëshmojnë ndërlidhjen e tyre me tregun e punës. Janë ekspertët ndërkombëtarë ata që vlerësojnë nëse një program i tillë akademik ka lidhshmëri me tregun e punës. Në momentin që një program sipas ekspertit ndërkombëtar, nuk ka lidhje me tregun e punës, ai nuk mund të akreditohet. Një nga arsyet për reduktimin e kuotave ka qenë pikërisht numri i të diplomuarve në fusha, në të cilat tregu i Kosovës ka teprica. Ne aktualisht po i nxisim programet në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, për arsye se tregu i punës në Kosovë është jashtëzakonisht kërkues ndaj këtyre programeve akademike. Fatmirësisht, edhe institucionet e arsimit të lartë janë fokusuar në këto programe, për faktin se ato po gjenerojnë vende pune dhe të rinjtë tanë nuk do të kenë nevojë të migrojnë jashtë vendit për të gjetur një vend punë, por mund të punojnë edhe nga Kosova për tregjet e Bashkimit Evropian. Ideja jonë është që t’i forcojmë dhe t’i nxisim këto programe për të krijuar kuadro në Kosovë, të cilat përveç plotësimit të nevojave të Kosovës, ekonomisë dhe shoqërisë, në një far forme janë një treg potencial edhe për punë nga Kosova për tregjet e jashtme. 

 

Radio Kosova: A ka një bazë të të dhënave në sistemin e arsimit në Kosovë për profesionet dhe vendet e punës që kërkohen në Kosovë, në mënyrë që të rinjtë të orientohen. Në të njëjtën kjo do t’i ndihmonte edhe institucionet e arsimit të lartë që të orientohen për të përcaktuar edhe numrin e kuotave në programet e nevojshme?

Naim Gashi: Kjo është një punë të cilën duhet ta bëjë Agjencia e Statistikave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që tashmë ka kaluar në Ministrinë e Financave. Është punë e institucioneve shtetërore që duhet të kenë një databazë për tregun e punës. Nëse do ta kishim një databazë të saktë dhe profesionale për profesionet të cilat kanë teprica në tregun e punës, atëherë Agjencia e Akreditimit me automatizëm do të mund të kufizonte numrin e studentëve në këto programe. Mirëpo, nuk është e lehtë që të bëhet kjo, për faktin se lëvizja e popullatës në Kosovë për jashtë vendit është e madhe dhe është e vështirë që të diplomuarit të evidentohen nëse jetojnë në Kosovë apo jashtë vendit. Ka shumë të diplomuar që emigrojnë, dhe në këtë mënyrë e bëjnë të vështirë procesin e evidentimit të të gjithë të papunësuarve brenda tregut të Kosovës, që mund të kenë përfunduar një program akademik. 

Radio Kosova: Ju si Agjenci, a keni bërë ndonjë analizë për nevojat e tregut të punës? Cilat janë ato programe që janë më të kërkuara në treg?

Naim Gashi: Edhe pse i kemi kapacitetet e limituara, ne kemi përpiluar gjatë këtij viti një analizë tematike për nevojat e tregut të punës në Kosovë. Në bazë të kësaj analize, ne kemi provuar që të japim një kontribut modest për ekonominë dhe shoqërinë për nevojat në tregun e punës në Kosovë. Mirëpo, kapacitetet e Agjencisë janë të limituara në krahasim me potencialet të cilat i posedon shteti, i cili është i obliguar që të ketë një databazë të tillë. 


MË SHUME NGA    Intervista