Pandemia ka shkaktuar dëm të madh në të gjitha sistemet e arsimit
   Intervista

Pandemia ka shkaktuar dëm të madh në të gjitha sistemet e arsimit

Intervistë me zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Radio Kosova: Zëvendësministër Pupovci, si e vlerësoni këtë vit që po e lëmë pas, sa i përket arsimit në Kosovë? Cilat ishin të arriturat përkatësisht sfidat, kur dihet që është punuar në kushte të pandemisë COVID-19?
Dukagjin Pupovci: Viti shkollor 2020/2021, është karakterizuar me shumë çrregullime nga pandemia dhe përpjekjet kryesore kanë qenë që të tejkalohen këto probleme. Kjo është arritur kryesisht përmes mësimit plotësues dhe më vonë përmes hartimit të udhëzuesit për përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2021/2022. Po ashtu, në fillim kemi pasur vështirësi, pasi rastet me pandeminë na penguan që të fillojmë mësimin me kohë. Por, pastaj situata u stabilizua. Ne kemi pasur edhe çështjen e buxhetit për shujtat falas, të cilat do të fillojnë vitin e ardhshëm. Pra, këtë vit është ndarë buxheti për ato dhe është ndarë buxheti për ndërtimin e kopshteve të reja, ndërsa ai për arsimin e lartë falas, aprovimi i udhëzimit administrativ është bërë në fund të shtatorit, kështu që nga ky vit akademik arsimi i lartë është falas për ata që e regjistrojnë semestrin për herë të parë. Po ashtu, këtë vit janë nxjerrë tekstet e reja shkollore, ku për herë të parë për të gjitha lëndët e vitet janë futur edhe tekstet alternative në përdorim, prandaj ka pasur mundësi që të zgjedhet nga ana e mësimdhënësve dhe shkollave. Në fushën e arsimit të lartë, është konstituuar Këshilli Shtetëror i Cilësisë, dhe është arritur që të kryhet me sukses akreditimi i programeve dhe institucioneve. Ndërkohë, është emëruar edhe përbërja e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe një lajm i mirë i këtij viti është aderimi i Kosovës në programin “Horizon Europe”, që është programi më i madh në Evropë në fushën e shkencës. 

Radio Kosova: Sa kanë humbur nxënësit, përkatësisht sa kanë mbetur mbrapa ata dhe  sistemi arsimor në përgjithësi, për shkak të pandemisë? Sa i ka kushtuar kjo arsimit në përgjithësi?
Dukagjin Pupovci: Në përgjithësi, pandemia ka shkaktuar dëm të madh në të gjitha sistemet e arsimit në botë dhe në atë në Kosovë. Janë bërë disa vlerësime në këtë aspekt nga ana e Bankës Botërore, se sa është dëmtuar sistemi i arsimit. Konsiderohet, sipas raportit të BB-së, që vetëm periudha e pranverës 2019/2020, ka lënë pasoja, ku rreth 40 për qind të vitit shkollor e kanë humbur nxënësit, të cilët nuk kanë arritur të ndjekin mësimin online gjatë pandemisë, ndërsa 25 për qind llogaritet humbja mësimore tek nxënësit që e kanë ndjekur mësimin online gjatë pandemisë. Pastaj çrregullimet që kanë pasuar gjatë vitit 2020/2021, as që është arritur të bëhet një vlerësim i drejtë i humbjeve mësimore, mirëpo jemi të bindur që humbje mësimore ka. Diçka është kompensuar përmes mësimit plotësues, por nuk mund të thuhet se e ka normalizuar gjendjen në arsim. 


Radio Kosova: Çfarë do të keni si prioritet gjatë mandatit katër-vjeçar, dhe a priten rezultate konkrete?
Dukagjin Pupovci: Stabilizimi i gjendjes pas pandemisë na është imponuar si prioritet i natyrshëm. Përndryshe, në program e kemi shtimin e pjesëmarrjes në edukimin në fëmijërinë e hershme, që realizohet përmes ndërtimit të objekteve të reja, ku gjatë periudhës katër vjeçare të ndërtohen rreth 80 objekte dhe të adaptohet një numër i konsiderueshëm i klasave në shkollat fillore, në mënyrë që të rritet numri i fëmijëve që përfshihen. Kuptohet përmirësimi i cilësisë në arsimin parauniversitar është një prioritet, që ngërthen aspekte të shumta. Është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe teksteve shkollore. Ndërlidhet edhe përmirësimi i menaxhimit me shkolla. E shohim si një element të rëndësishëm, rishikimin e formulës së financimit në shkolla, në mënyrë që ta mundësojmë rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Shkolla të ketë më shumë autonomi financiare, por edhe më shumë përgjegjësi për punën që e bën. Kjo duhet të ndërlidhet me vlerësimin e jashtëm të shkollës dhe inspektimin. Po ashtu, një aspekt i rëndësishëm është edhe digjitalizimi i shkollave, jo vetëm pajisja me kompjuterë, por edhe shfrytëzimi i kësaj teknologjie në funksion të avancimit të mësimdhënies dhe menaxhimit të shkollave. Në fushën e arsimit të lartë, në radhë të parë dëshirojmë ta bëjmë ndryshimin e metodologjisë së financimit. Tani për tani universitetet publike financohen me buxhete fikse nga ana e Qeverisë, dhe kjo nuk është metodë e mirë. Në Ligjin për arsimin e lartë që nga viti 2011, ne kemi një obligim që të financohen përmes kontratave të performancës, të cilat përcaktojnë një obligim të ndërsjellë për plotësimin e disa kushteve dhe arritjen e disa treguesve. Kjo e forcon shumë përgjegjësinë dhe llogaridhënien e universiteteve dhe i jep mundësi shtetit që të financojë ato fusha, që shoqëria ka nevojë. Te arsimi i lartë, është me rëndësi që të fokusohemi të forcimi i rolit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Në Qeveri është aprovuar ligji i veçantë për Agjencinë, dhe është dërguar në Kuvend. Pra, Agjencisë duhet t’i ofrohen kushte që të punojë në mënyrë autonome dhe pa presione politike dhe të ketë në qendër të vëmendjes së saj sigurimin e cilësisë. Një aspekt tjetër në arsimin e lartë që bën pjesë në prioritetet tona, është edhe rritja e transparencës dhe sigurimi i integritetit akademik në institucionet e arsimit të lartë. Kur flasim për punën kërkimore shkencore, vet aderimi në “Horizon Europe” na hap dyert për aplikim me projekte të ndryshme. Kjo rezulton me një intensifikim të punës kërkimore shkencore. 


Radio Kosova: Zëvendësministër, Raporti i Progresit për Kosovën, edhe këtë vit ka vënë në pah që sistemi i arsimit në Kosovë po vazhdon të mbetet si një nga sektorët më së paku të zhvilluara ndër vite. Çfarë mund të na thoni për këtë, ku janë ato ngecjet kryesore? Cilat janë rekomandimet nga ky Raport dhe çfarë masash po ndërmerr MASHT për zbatimin e këtyre rekomandimeve?

Dukagjin Pupovci: Shumë nga këto probleme që janë identifikuar në Raportin  Progresit, ne i kemi plotësisht të qarta dhe jemi duke i adresuar në mënyrën tonë dhe janë pjesë e programit qeverisës. Raporti i Progresit i referohet cilësisë së dobët të arsimit që dëshmohet me rezultate të dobëta në testet ndërkombëtare. Jemi duke e adresuar edhe këtë, por rezultatet nuk mund të shihen menjëherë, por duhet të kalojë një periudhë që të vërehen rezultatet. Sa i përket testeve ndërkombëtare, përveç PISA dhe TIMS, ne jemi regjistruar edhe për një test tjetër, i cili ka të bëjë me shkathtësitë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe për herë të parë në Kosovë, do të bëhet hulumtimi për mësimdhënësit, që jep informacione për përgatitjen e mësimdhënësve për tu përballur me sfidat e mësimdhënies në kohën e sotme. Një nga dobësitë kyçe në sistemin tonë është mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies, që besoj se do të adresohet në mënyra të ndryshme. Ne jemi duke punuar për momentin në hartimin e Strategjisë pesë vjeçare të arsimit, e cila pritet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm dhe këtu i kemi parasysh këto probleme që janë identifikuar. 


Radio Kosova: Deri tani asnjë qeveri nuk e ka pasur prioritet arsimin në Kosovë. A pritet që kësaj radhe arsimi të ketë vendin e merituar?
Dukagjin Pupovci: Ka qenë gjithnjë si prioritet i deklaruar, por shpeshherë veprimet konkrete kanë qenë në kundërshtim me atë që është proklamuar. Me rëndësi është që gjatë kësaj qeverisjeje të mos na ndodhë që ne të themi se është prioritet e të veprojmë sikur të mos jetë prioritet. Ajo që është vënë në programin qeverisës dhe që është transparente, tani do të jetë edhe në planin pesë vjeçar të zhvillimit të arsimit. Po ashtu, aktivitetet të cilat kanë kosto, janë aktivitete të buxhetuara. Për ato që nuk është siguruar buxheti, ose synohet të financohen me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, ose mund të shtyhen për një vit ose e ngjashme.

 
Radio Kosova: Z.Pupovci është deklaruar se do t’i jepni prioritet arsimit profesional. A do të kenë mundësi nxënësit e shkollave profesionale ta gjejnë veten në tregun e punës?
Dukagjin Pupovci: Ndërlidhja e programeve të arsimit profesional me tregun e punës, është një ndër prioritetet e programit tonë të arsimit. Dua të them se ne tani po i ndërlidhim programet e arsimit profesional me standardet e profesioneve. Pra, nuk mund të zhvillohet një program i ri i arsimit profesional, nëse paraprakisht nuk ekziston standardi për profesionin. Këto standarde hartohen në bashkëpunim të afërt me industrinë. Element me rëndësi është edhe pajisja e shkollave me mjetet e punës, dhe ndërlidhja më e mirë me praktikën mësimore. Kemi një projekt relativisht të madhe të financuar nga KFW, i cili i mbështet shkollat për pajisje me mjete me qëllim të zhvillimit të mësimit. Po ashtu, kemi edhe mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, për të krijuar një ndërlidhje më të mirë ndërmjet shkollave dhe bizneseve, në mënyrë që nxënësit gjatë shkollimit të jenë të përfshirë në praktikë profesionale. Roli i shtetit është që të sigurojë cilësi, ku realizohet përmes procesit të akreditimit. Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve bën akreditimet e programeve dhe shkollave profesionale publike. Nëse një shkollë nuk ka pajisje ose nuk mund të prodhoj rezultat të dëshiruar, atëherë Autoriteti mund të mendojë për mbylljen e disa drejtimeve dhe fokusimin në drejtime të tjera. 

Radio Kosova: Kosova dy herë doli shumë dobët në testin ndërkombëtar PISA. Sipas rekomandimeve të PISA-s, nxënësit në Kosovë duhet të zhvillojnë më shumë mendimin kritik, të zhvillohen shkathtësitë mbi kompetenca, e të tjera. Çfarë mund të na thoni për këtë, a do të marrë pjesë Kosova në këtë test në vitin 2022?
Dukagjin Pupovci: Po, ne tashmë jemi paraqitur për testin PISA, i cili do të mbahet në vitin 2022. E kemi bërë pilotimin e testit, ekipi është i gatshëm dhe e gjithë që duhet të bëjmë, është që ta menaxhojmë testin me sukses. Natyrisht, ne nuk bëjmë përgatitje të nxënësve për testin PISA, sepse nuk është qëllimi që ta nxjerrim sistemin më mirë se sa është. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh që PISA i mat aftësitë e nxënësve për të zbatuar njohuritë në jetën praktike dhe kjo nuk fitohet me përgatitje të veçanta, por është reflektim i një shkollimi nëntë vjeçar të fëmijëve dhe i shprehive të tyre në familje. Duhet të kemi parasysh që kemi pasur dy vite të pandemisë, të cilat do të ndikojnë në rezultat, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e botës. Kjo është arsyeja që unë nuk pres ndonjë përmirësim në testin PISA. Nëse punojmë mirë gjatë këtij mandati, ndoshta përmirësimet mund të priten në vitin 2025, e pak më shumë në testin që mbahet në vitin 2028. Nga PISA do të marrim përsëri informacionin se ku ndodhet sistemi ynë i arsimit dhe normal që mbi atë informacion t’i ndërtojmë strategjitë. 


Radio Kosova: A do të ketë mësim tërë ditor në Kosovë? Në mandatet e kaluara janë bërë përpjekje, por ende nuk shihet ndonjë rezultat konkret? A i plotësojnë shkollat tona kushtet për mësim tërë ditor?
Dukagjin Pupovci: Unë mendoj që në kushtet tona do të jetë vështirë të organizohet mësimi tërëditor, pasi shkollat tona nuk e kanë infrastrukturën e duhur. Në sistemin tonë tek tani po fillojnë ato shujtat falas deri në moshën 10 vjeçare, prandaj është pak vështirë të flitet për mësimin tërëditor. Për mësimin tërëditor janë bërë përpjekje në dy komuna të Kosovës dhe thjesht në mungesë të kushteve është hequr dorë nga kjo. Por, është një çështje që duhet të diskutohet gjatë viteve në vijim, cilat janë përvojat, dhe si mund të bëhet një gjë e tillë, por nuk është në mesin e prioriteteve.


Radio Kosova: Gjithashtu, ka qenë në proces edhe vlerësimi i mësimdhënësve. A po vazhdon ky vlerësim dhe  çfarë rezultatesh prisni?
Dukagjin Pupovci: Ne e kemi një sistem të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, i cili bazohet në një kombinim vlerësimi nga ana e drejtorit të shkollës dhe inspektoratit. Duket të jetë një sistem mjaft i ndërlikuar, prandaj e kemi edhe në programin qeverisës rishikimin e këtij sistemi. Nuk e kemi një formulë të gatshme se si do të duket ky sistem, por mendohet që vlerësimi i performacës duhet të bëhet përmes monitorimit të mësimdhënësit dhe jo përmes testimi, qysh shpesh po përflitet në opinion. Ndërsa, Ligji për profesionet e rregulluara parasheh që të gjithë mësimdhënësit e rinj, të cilët ende nuk kanë hyrë në profesion, duhet t’i nënshtrohen një provimi shtetëror. Besoj se gjatë vitit të ardhshëm do të bëhen përgatitjet, por kjo nuk vlen për ata që kanë marrë licenca. Ky është ai hapi i parë i verifikimit të tyre, e pastaj vlerësimi i performancës duhet të bëhet në intervale të rregullta kohore. 


Radio Kosova: A do të ketë rritje të numrit të inspektorëve, pasi vazhdimisht është thënë se është një numër shumë i vogël, që nuk arrin të mbulojë të gjithë vendin?
Dukagjin Pupovci: Ne aktualisht i kemi 42 inspektorë dhe i kemi 41 pozita të lira, pra na mungojnë pothuajse gjysma e inspektorëve. Numri prej 83 inspektorëve do të duhej të mjaftonte. Nëse vlerësohet performanca sipas metodologjisë aktuale e 5 mijë mësimdhënësve brenda vitit, nevojiten rreth 30 inspektorë. Tani ne jemi në fazën e plotësimit të këtyre vendeve, kemi pasur një konkurs, ku janë plotësuar disa vende, do të ketë konkurs në vitin tjetër dhe besoj se do të plotësohet ky numër. 


Radio Kosova: Është thënë se jeni duke punuar në agjendën legjislative, për cilat ligje bëhet fjale, cilat janë me prioritet?
Dukagjin Pupovci: Sa i përket agjendës legjislative, ne i kemi katër ligje në të cilat jemi fokusuar: Ligji për edukimin në fëmijërinë e hershme, Ligji për tekste shkollore, Ligji për arsimin e lartë dhe Ligji për Agjencinë e Akreditimit, i cili kaloi në Qeveri. Krahas këtyre ligjeve, janë duke u rishikuar edhe dhjetëra akte nënligjore ose udhëzime të reja administrative, të cilat besoj që do ta kompletojnë kornizën ligjore. Fokusi do të jetë tek zbatimi i ligjeve. 


Radio Kosova: Gjatë këtij viti është folur edhe për tekste të reja shkollore. Duke ditur problemet e mëparshme me tekstet, çfarë është ndërmarrë në këtë drejtim?
Dukagjin Pupovci: Tek tekstet shkollore, ndoshta ka nevojë për një rishikim të tërësishëm të teksteve, por është një proces i cili nuk është i lehtë për tu organizuar. Tani është filluar me një dialog me mësimdhënës, autorë tekstesh, recensentë, prej të cilëve duhet të mblidhen ide se në çfarë mënyre të adresohet problemi i verifikimit të teksteve shkollore ekzistuese. Nga ana tjetër, është duke u hartuar Ligji i ri për tekste shkollore, i cili duhet t’i sjellë disa procese që do të mundësojnë rishikimin cilësor dhe recensione cilësore në të ardhmen. Problemi kryesor në tekstet shkollore janë recensionet, që shpeshherë kanë qenë sipërfaqësore dhe thjesht nuk i kanë vërejt lëshimet që ekzistojnë brenda teksteve. Por, duhet ta kemi edhe një sistem të adresimit të këtyre problemeve, pra kur paraqiten lëshime në tekste shkollore duhet të ketë një sistem të raportimit të atyre gabimeve dhe duhet të ketë një mekanizëm të reagimit ndaj atyre gabimeve. Ne për momentin një mekanizëm të tillë nuk e kemi. Besoj që një sistem të tillë duhet ta ndërtojmë dhe atëherë sigurisht vjen edhe deri tek përmirësimi i teksteve shkollore. Tani jemi në fazën e përfundimit të ciklit të shkrimit të teksteve shkollore. Këto tekste që do të vlerësohen në pranverë për klasën e pestë dhe të nëntë, janë tekste për të cilat konkursi është shpallur në vitin 2020, pra ato janë dorëzuar dhe ato nuk e presin ligjin e ri. Ne duhet në bazë të legjislacionit ekzistues të bëjmë një vlerësim të tyre dhe të përkujdesemi që të jetë pa hile dhe të ketë sa më pak gabime. Përsëri mund të dalin gabime, por është me rëndësi që të ketë një mënyrë të përmirësimit të tyre. 


Radio Kosova: Ndërkohë, probleme ka pasur edhe në arsimin e lartë. Agjencia e Kosovës për Akreditim është duke bërë përgatitjet që të aplikojë për ri-anëtarësim në ENKA dhe EQAR. Ndërsa, Ligji për këtë Agjenci u miratua në Qeverinë e Kosovës, që është një nga kriteret kryesore për ri-anëtarësim? Çfarë mund të na thoni për këtë?
Dukagjin Pupovci: Tani Agjencia e Akreditimit mendoj se është stabilizuar dhe do të vazhdojë ët forcohet. Agjencia ka nevojë për disa funksione të reja, siç është monitorimi i institucioneve të arsimit të lartë në periudhën kur ato janë të akredituara dhe për këtë qëllim janë lejuar edhe 10 anëtarë të stafit shtesë të cilët do të punësohen gjatë vitit të ardhshëm. Ne si Ministri dhe si Qeveri bëjmë përpjekje që ushtrimin e ndikimit politik ta zëvendësojmë me mbështetje ndaj Agjencisë, të mos ndërhyjmë në punët e Agjencisë. Përderisa ne e lejmë Agjencinë të operojë pa presione politike, besoj se puna e tyre do të shkojë shumë më mirë dhe shumë shpejt do t’i përmbushë kushtet për rikthim në EQAR dhe ENKA. Është një rrugë mjaft e gjatë, nuk është diçka që bëhet menjëherë, sepse Agjencia duhet të dëshmojë se i përmbushë kriteret për të qenë anëtare e këtyre organizatave. 


Radio Kosova: Sindikata e Arsimit, vazhdimisht ka këmbëngulur që kërkesat e tyre për të drejtat e punëtorëve të realizohen. Ndërkohë, po vazhdon të paralajmërojë greva, nëse nuk miratohet Ligji i Pagave. Si i cilësoni këto paralajmërime?
Dukagjin Pupovci: Ligji i Pagave nuk është kompetencë e Ministrisë së Arsimit, por të gjithë duhet ta dinë se Qeveria është duke punuar në këtë drejtim. Nga Ligji i Pagave nuk duhet pritë mrekullia, sepse mundësitë buxhetore të Kosovës janë ato që janë. Ne e kemi parë përvojën me ligjin e kaluar të pagave, kur sektorë të ndryshëm nuk mund të merreshin vesh rreth koeficienteve. Kam përshtypjen që kjo cështja e Ligjit të Pagave është shndërruar në një kauzë artificiale, e cila po përdoret në masë të madhe edhe për nevoja të brendshme në sindikata, për të ndërtuar pozicione brenda sindikatës, e pastaj për të ndërtuar edhe pozicionin e udhëheqjeve sindikale ndaj qeverisë. Unë jam i bindur që Qeveria dhe Kuvendi duhet të jenë të përgjegjshme për të mos e falimentuar shtetin për shkak të kërkesave maksimaliste, të cilat shtrohen dhe në çdo rast të behët më e mira e mundshme që të sigurohen paga dinjitoze për punonjësit e sektorit publik. Gjithnjë duhet pasur parasysh se 70 për qind e të punësuarve në Kosovë punojnë në sektorin privat, dhe thjesht nuk mund t’i nënshtrohet asnjë qeveri një presioni të tillë, që tani të veprojë në shpërputhje me mundësitë buxhetore të vendit. 


Intervistoi Albana Bajrami 


MË SHUME NGA    Intervista