KOK me tre anëtarë në komisionet e Komitetit Olimpik të Evropës
Sharr Travel

KOK me tre anëtarë në komisionet e Komitetit Olimpik të Evropës

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të përfaqësohet me tre anëtarë në komisionet e Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), për ciklin olimpik 2021 – 2024.

Tre përfaqësuesit e KOK-ut, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, zyrtarja ligjore, Blerina Imeri dhe zyrtari për media, Kushtrim Krasniqi, janë bërë anëtarë të tri komisioneve të ndryshme të EOC-ut.

Vendimi është marrë në seminarin dy ditësh të EOC-ut, të mbajtur dje dhe sot në Shamorin të Sllovakisë.

Sekretari i përgjithshëm, Aliti, do të jetë pjesë e Komisionit për Festivalet Olimpike Evropiane Verore dhe Dimërore për të Rinj (EYOF), komision të cilit i prin Liney Halldordottir, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të EOC-ut.

Zyrtarja ligjore, Imeri, do ta përbëjë Komisionin Ligjor, kryetar i të cilit është Marc Theisen nga Luksemburgu, ndërsa zyrtari për media, Kushtrim Krasniqi, është emëruar anëtar i Komisionit për Marketing dhe Komunikim, të cilit i prin kryetari Mihai Covaliu, president i Komitetit Olimpik të Rumanisë.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e ka vlerësuar lartë emërimin e tre anëtarëve të KOK-ut në komisionet e EOC-ut, duke thënë se do të angazhohet edhe më tutje për të përfshirë sa më shumë anëtarë të stafit dhe Bordit Ekzekutiv të KOK-ut në komisionet e rëndësishme ndërkombëtare.

Seminari i EOC-ut mbylli sot punimet, derisa KOK-u u përfaqësua me sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti, i cili ishte edhe panelist dhe menaxherin për projekte, Jeton Rudari.