Arnold: Gara më e vështirë për titull që e kam përjetuar
Mbrojtësi anglez Trent Alexander-Arnold nuk ka përjetuar kurrë një garë kaç të ngushtë për titull në Premier Ligën angleze sikur kjo e këtij sezoni, pavarësisht se janë zhvilluar vetëm 13 ndeshje.
Momentalisht, tabelën e kryeson skuadra e Chelseat me 30 pikë, një më shumë se kampioni aktual Manchester City, dhe vetëm dy pikë larg vendit të tretë Liverpoolit.
Të tri këto skuadra do t’i kthehen aksionit sot, ku Chelsea zhvillon ndeshje kundër Watford, Manchester City udhëton drejt Aston Villas dhe Liverpooli do të jetë mysafirë i skuadrës së Evertonit.
Liverpooli është i pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit në Premier Ligë si mysafirë i Evertonit, por mbrojtësi i “Të Kuqve” Alexander-Arnold ka thënë që skuadra e tij nuk duhet të dështojë në rezultate nëse dëshiron që gara për titull të jetë mes vetëm dy ekipeve, dhe se kjo garë e sezonit 2021/22 ka qenë më e ngushta që ai e ka përjetuar.
“Është shumë e vështirë. Do të jetë një sezon i mirë, dhe besoj që të gjithë mund ta ndjejnë këtë gjë. Mënyra se si qëndrojnë gjërat në renditje tabelare është e mirë, dhe tani jemi duke hyrë drejt periudhës së Krishtlindjeve, është gara më e ngushtë ndonjëherë”, tha Alexander-Arnold.
“Tre skuadra, kjo është dukuri që nuk e kemi parë këto vitet e fundit. Do të jetë tejet e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm që çdo dështim do të na kushtonte shumë”, shtoi ylli i Liverpoolit.
Skuadra e Evertonit regjistroi fitore në ndeshjen e fundit në kuadër të Premier Ligës angleze kundër Liverpoolit, por “Karamelet” nuk kanë fituar dy ndeshje radhazi ndaj “Të Kuqve” që nga sezoni 1984/85, ku momentalisht zënë vendin e 14 në tabelë me vetëm 15 pikë të tubuara.























