Lukaku, yll i Interit rezervë te Chelsea
Largimi i Romelu Lukakut nga Interi te Chelsea verën e kaluar, ishte një dramë për zikaltrit, megjithatë në Milano mbërriti Edin Dzeko, që ka bërë mirë punën e tij në sulm dhe tani askush nuk po e “qan” më sulmuesin belg.
Ky i fundit kërkoi me ngulm rikthimin te Chelsea, megjithatë deri tani ka treguar shumë pak nga repertori i tij dhe kur kanë kaluar katër muaj në “Stamford Bridge”, Romelu Lukaku nuk shihet më si titullar nga Thomas Tuchel.
Me fanellën e Interit belgu shënoi 64 gola në 95 ndeshje, me një mesatare prej 0.67 golash për ndeshje, ndërsa në Angli ka shënuar vetëm 4 gola në 13 ndeshje të luajtura në të gjithë garat me Chelsean, transmeton Telegraf.
Ndonëse paguan 115 milionë euro për ta marrë nga Interi, te Chelsea duket se janë gati ta mbajnë në stol belgun, për sa kohë skuadra funksionon më mirë pa të në fushë dhe arrin të marrë rezultat.























