Prishtina ndahet me Besart Berishën e Kristi Vangjelin
BKT
Sport

Prishtina ndahet me Besart Berishën e Kristi Vangjelin

Besart Berisha largohet nga Prishtina pa lënë asnjë gjurmë. Sulmuesi, i cili pas dy sezonesh kishte thelluar rekordin e golave me Western United në Australi, tentoi të provonte një eksperiencë me kampionat e Kosovës.

Gjithsesi ai e ka mbyllur para kohe aventurën e tij me klubin bardhekaltër, që ka dalë me njoftim zyrtar mbrëmjen e sotme.

“FC Prishtina njofton opinionin se e ka ndërprerë me marrëveshje të dyanshme kontratën me sulmuesin Besart Berisha. 36-vjeçari iu bashkua Prishtinës në fillim të shtatorit të këtij viti dhe firmosi kontratë deri në fund të edicionit. Ai me Prishtinën regjistroi vetëm tri paraqitje në Superligë.  Berisha pritet që të largohet nga Kosova, prandaj klubi e mirëkupton dhe i dëshiron shëndet dhe suksese”, thuhet në njoftimin e FC Prishtina. Me një njoftim tjetër është bërë e ditur edhe largimi i mbrojtësit Kristi Vangjeli. “FC Prishtina dhe mbrojtësi Kristi Vangjeli e kanë ndërprerë kontratën me mirëkuptim. Vangjeli zbarkoi te Prishtina para fillimit të edicionit me ç'rast firmosi kontratë një-vjeçare, mirëpo me pajtimin e të dyja palëve u vendos që Vangjeli të largohet nga klubi më herët. Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë dhe disa skuadrave evropiane, në dhjetë ndeshje në të gjitha garat regjistroi një asistim. Futbollistit 36-vjeçar FC Prishtina i dëshiron shëndet e suksese”, thuhet në njoftim.