Drita ndriçon derbin në ‘Fadil Vokrri’, merr tri pikë kundër Prishtinës
Sharr Travel

Drita ndriçon derbin në ‘Fadil Vokrri’, merr tri pikë kundër Prishtinës

Drita ka fituar derbin e javës në Superligën e Kosovës në futboll, kundër Prishtinës.

Intelektualët e Ardijan Nuhijit kanë marrë fitore minimale 0:1 në Prishtinë, në kuadër të xhiros së 17-të, shkruan lajmi.net.

Drita ishte skuadër më e mirë në këtë ndeshje, dhe arsyeja e vetme pse ndeshja përfundoi me vetëm një gol epërsi ishte portieri Betim Halimi.

Gjilanasit shkuan në epërsi në minutën e 35’ të takimit, me golin e sulmuesit Simonovski, i cili realizoi me kokë nga afërsia.

Mundësi të mirë për Dritën në pjesën e parë pati edhe Almir Ajzeraj, por goditja e tij e plogësht u ndal nga Halimi.

Prishtina rrezikoi me Otto John, por gjiganti i sulmit prishtinas nuk bëri më të mirën e mundshme. Moment i rëndësishëm ishte edhe ndërhyrja e ashpër e Besnik Krasniqit kur qëlloi me bërryl kundërshtarin, por nuk u sanksionua me të kuq nga Çaka, përkundër rishikimit nga VAR-i.

Pjesa e dytë u administrua mirë nga Drita, të cilët kohë pas kohe rrezikonin vendasit, të cilët për fat kishin portierin në element të mirë, shkruan lajmi.net.

Inkuadrimi i Mendurim Hotit i dha diçka më shumë Prishtinës në ofensive, por jo mjaftueshëm për të barazuar shifrat. Kështu, derbi i javës i takon Dritës që merr tri pikë të reja dhe shkon në kuotën e 31 pikëve për pozitën e tretë, me një pikë më pak se Gjilani dhe dy më pak sesa Ballkani.

Prishtina mbetet në kuotën e 24 pikëve për pozitën e pestë në tabelë. /Lajmi.net/