Champions: Të hënën hidhet shorti, rivalët e mundshëm për Inter e Juve
BKT
Sport

Champions: Të hënën hidhet shorti, rivalët e mundshëm për Inter e Juve

Në pritje të Atalantës ose Villarrealit, që do të diskutojnë mes tyre vendin e mbetur bosh mes skuadrave të kualifikuar të Champions league, Interi dhe Juventusi presin të hënën, që të njohin rivalët e tyre në turneun më të rëndësishëm europian për klube.

Skuadra e Allegrit, që i rrëmbeu vendin e parë në grup Chelseat, do të ndeshet me një nga skuadrat që u rendit në vendin e dytë në grupin respektiv. Më saktë me një mes: Psg, Atletico Madrid, Sporting Lisbona, Benfica, Salzburg dhe Villarreal (nëse spanjollët do të kualifikohen).

Ndërsa Interi është kualifikuar në këtë turne si e dyta e grupit, prandaj do të ketë përballë një nga skuadrat që fitoi grupin respektiv: Manchester City, Liverpool, Ajax, Bayern Munich, Manchester United dhe Lille.

Shorti i 1/8-ve të finales së Champions league do të hidhet të hënën e 13 dhjetorit në Nion. Tetë kokat e serisë (të parat e grupeve) do të përballen me skuadrat që u renditën të dytat. Asnjë skuadër nuk mund të ndeshet me kundërshtarët që kishte në grup apo nga i njëjti shtet.

Ndeshjet e vajtjes do të luhen në 15 dhe 22 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa ato të kthimit në 8 dhe 16 mars. Ndeshje me eliminim direkt, ku nuk vlen rregulli i golit të shënuar në transfertë: në rast barazimi pas 90 minutave, shkohet në shtesë dhe më pas në penallti.