“The New Yorker” e rendit Lea Ypin mes shkrimtarëve më të mirë për 2021
BKT
   Libër & Ide

“The New Yorker” e rendit Lea Ypin mes shkrimtarëve më të mirë për 2021

Libri “Të Lirë” i filozofes shqiptare Lea Ypi, ka arritur suksese të njëpasnjëshme jo vetëm në arenën kombëtare, por edhe në sferën ndërkombëtare, duke qenë një titull, i cili ofron një optikë të veçantë të të parit regjimin komunist, nga vëzhgimi i çiltër i një fëmije – siç përjeton vetë Lea.

Së fundmi, ka qenë revista amerikane “The New Yorker”, ajo e cila ka renditur Ypin me librin e saj, ndër më të rekomanduarit për t’u lexuar gjatë vitit 2021.

“Disa njerëz, ndihen të lirë ta imagjinojnë jetën e tyre të pakufijshme nga historia. Lea Ypi, nuk e kishte këtë luks”, fillon rrëfimi mbi “Të Lirë”.

Shkrimi i Ypit përshkruhet si një kujtesë fëmijënore e mprehtë dhe e dhimbshme. Por, po ashtu, edhe si një punë e kritikës sociale dhe e një meditimi mbi mënyrën se si duhet jetuar me qëllim, në një botë ku historia, duket e frymëzuar nga dezinformimi.

Përqafimi i një statuje të dekapituar të Stalinit, ka qenë zanafillë e tregimit të Lea’s, e cila e ka mbartur atë pamje në rrënjët e nënvetëdijes së saj të shpërfaqshme.

Si një teoricienë politike në “London School of Economics”, Ypi është e tërhequr nga disa kategori mendimi, si për shembull, zëvendësimi i proletariatit me lutjen për liri.

“Kur liria erdhi, ishte si një gjellë e servirur e ftohtë”, shkruan ajo në memoir-in e saj. “Përtypnim pak, kapërdinim shpejt dhe mbeteshim të uritur”.

Sipas kritikes Margaret Talbot, “liria” e Ypit është një lexim i shpejtë, por ashtu si spektri i Karl Marx-it, i cili përndjek Evropën, të rrënjoset në mendje dhe qëndron me ty.

Ndaj, “The New Yorker”, mes 10 më të mirëve, këtë vit, përcakton edhe një shqiptare si Ypi.