Pioli: Milani meriton një notë të lartë për vitin 2021
Pas fitores përballë Empolit, Stefano Pioli është i kënaqur me rezultatin dhe me ecurinë e skuadrës në fazën e parë.
“Fitorja kundër Empolit është shumë e rëndësishme, sepse reaguam me karakter dhe vendosmëri. Duhet ta fitonim këtë ndeshje, për klasifikimin dhe besimin tonë.
Vuajtëm, por shtrënguam dhëmbët dhe luajtëm si skuadër, duke arritur një rezultat të rëndësishëm”, ka deklaruar trajneri i Milanit pas fitores përballë Empolit.
Tekniku ka folur edhe për bilancin e vitit 2021 të skuadrës kuqezi. “Çfarë note meritojmë për këtë vit? Një notë të lartë, po tregojmë se jemi konkurrues. Pastaj hapi i fundit është gjithmonë ai më i vështiri.
Faza e dytë do të jetë akoma më e vështirë, duhet të mundohemi të rikuperojmë sa më shumë lojtarë. Jam i kënaqur me reagimin e skuadrës, sepse jemi një grup i ri. Jam i bindur se me Napolin nuk e meritonim humbjen, tani duhet të shfrytëzojmë mirë pushimin sepse janari është një muaj i rëndësishëm”, ka vazhduar Pioli.
Tekniku ka komentuar edhe luftën për titullin kampion. “Interi është skuadra favorite. Kampionati është i gjatë por janë skuadra të forta edhe Napoli dhe Juventusi. Pastaj jemi ne, Atalanta, Roma dhe Lazio.
Kampionati është i ekuilibruar dhe rezultatet e tregojnë këtë. Vitin e kaluar bëmë 79 pikë, objektivi është që të kalojmë këtë numër”, ka përfunduar trajneri i Milanit.























