Lazio e nis me hap fals vitin 2022, Verona merr tre pikët kundër Spezias
Lazio e ka nisur me hapin e gabuar vitin 2022 pasi është ndalur në shtëpi nga Empoli me rezultatin 3-3. Ndërkohë në ndeshjen tjetër, Verona fitoi në transfertë ndaj Spezias me rezultatin 2-1.
Empoli e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme pasi gjeti avantazhin që në minutat e para falë një 11-metërshi të kthyer në gol nga Nedim Bajrami. Ndërkohë që vetëm dy minuta më vonë, Zurkowski dyfishoi rezultatin, përpara se Immoblie të rihapte takimin duke e çuar rezultatin në 2-1.
Në pjesën e dytë, Milinkovic-Savic baraspeshoi gjithçka në 2-2 duke krijuar edhe iluzionin e një përmbysjeje. Megjithatë, Empoli e gjeti të papërgatitur mbrojtjen e Lazios dhe kaloi sërish në avantazh falë golit të Di Francesco.
Immobile kishte mundësinë e artë në fundin e takimit, por shpërdoroi një 11-metërsh duke kthyer në hero portierin Vicaro. Megjithatë, ishte sërish, Milinkovic-Savic që shënoi në fundin e takimit duke i bërë të dy ekipet të ndanin nga një pikë.
Nga ana tjetër, Veronës i mjaftuan dy golat e Caprarit për të siguruar tre pikët. Sulmuesi italian shënoi dy herë në portën e Spezias, ndërkohë që goli i Erlic nuk mjaftoi për t’i dhënë të paktën një pikë Spezias.
Kështu Lazio qëndron në vendin e tetë në kuotën e 32 pikëve, katër më shumë se Empoli i vendit të nëntë. Spezia ndjen edhe më shumë rrezikun e zonës së ftohtë pasi tashmë është vetëm 3 pikë larg zonës që të zbret një kategori më poshtë. Vendi i 11 për Veronën që ngjitet në kuotën e 27 pikëve.























