Lily Ebert, ylli i medias sociale, rrëfen tmerret e Aushvicit
   Libër & Ide

Lily Ebert, ylli i medias sociale, rrëfen tmerret e Aushvicit

Sapo ka dalë në treg libri i Lily Ebert dhe Dov Forman ”Më quajnë Lily Ebert dhe jam e mbijetuar e Aushvicit”.

Lily Ebert, 97 vjeçe, është shndërruar në një yll të medias sociale, me një milion e gjysmë ndjekës në TikTok, falë profilit (www.tiktok.com/@lilyebert) krijuar nga stërnipi Dov Forman, duke treguar tmerret e Holokaustit.

Ebert, e deportuar në kampin gjerman të përqendrimit në Aushvic nga Hungaria, kur ishte vetëm 14 vjeçe, ishte dëshmitare e vdekjes së nënës së saj, motrës dhe vëllait më të vogël.

Ajo nuk ka harruar kurrë një ditë të vitit 1945, menjëherë pas çlirimit nga ana e aleatëve, kur një ushtar hebreo-amerikan i dha një kartëmonedhë ku shkruhej “Paç fat dhe lumturi”.

Ky veprim pati një ndikim vendimtar në jetën e Lily, e cila është e përkushtuar të thotë të vërtetën për Holokaustin, në mënyrë që mizoritë e së kaluarës të mos ndodhin më kurrë.

Vite më vonë, stërnipi i saj, Dov vendosi të përdorte rrjetet sociale për të gjetur këtë hebreo-amerikan, i cili ishte shumë i rëndësishëm për historinë e familjes së tyre.

Ai arriti ta gjejë atë.

Pikërisht kjo ngjarje rriti në kulm popullaritetin e Lilyt, pasi mënyra e saj e sinqertë dhe autentike për të komunikuar me njerëzit, ka fituar miliona ndjekësit në rrjet, duke përforcuar mesazhin e saj të shpresës./atsh

Historia e Lilyt, nga fëmijëria e saj e lumtur në Hungari deri te kampi nazist i përqendrimit në Aushvic, nga vdekja e nënës deri në çlirimin e kampit, tregohet në vetën e parë me fjalë të paharrueshme shprese, guximi dhe dashurie për jetën./