Poezia si testament
   Libër & Ide

Poezia si testament

Në programin “Mirëmëngjesi Kosovë” mysafir ishte poeti, gazetari me përvojë të gjatë, Xheladin Rexhepi, i cili foli për motivet që shtyen të shkruajë këtë vëllim poetik mjaft interesant, me titull sinjifikativ “Shitësit e borës”.

Ai, mes tjerash, foli për motivet dhe strukturën e vëllimit poetik “Shitësit e borës”, që njëherësh është i katërti me radhë nga opusi i tij krijues.

“Titulli i librit poetik 'Shitësit e borës' është një empirizëm i vargut tim, i poetikës sime, është sublimim, meqë është edhe metaforë groteske e empirizmit, e krajatave të njeriut të vendit tim, i cili qe i shtrënguar t’i mbijetojë gjatë historisë, duke përvijuar ndërmjet shpresës, tjetërsimit, harrimit... Me fjalë të tjera, kjo është saga e vendit tim, atdheut tim, njeriut tim nëpër furtuna historike”, theksoi ndër të tjera, autori Rexhepi.

“Po të lexohet me vëmendje, vërehet se në këtë libër, në brendi të formacionit stilistik, sikundër janë metafora, simboli, etj., janë shenja të ekzistencializmit, si: gurët, buka, muret, shtëpia, bora e kuqe, etj.”, shtoi poeti Rexhepi.

Më tej ai shtjelloi idenë se poezia dhe arti, në përgjithësi, nuk i durojnë slloganet a parollat politike, por këtu është përpjekur ta trajtojë situatën estetike dhe tragjiken e popullit të tij nëpër kohëra të ndryshme.

“Ironia e vuajtjeve të njeriut të vendit tim qëndron në atë se ai duhet ta paguajë taksën edhe për borën, akullin, sepse konsiderohej si njeri klandestin, se shteti kishte shtetëzuar edhe diellin, qiellin e kësaj toke”, theksoi poeti.

Tutje ai sqaroi në detaje për struktuën e ndërtimit të libirt , ku si tërësi e karakterizojnë disa motive, duke filluar nga ai mitologjik, historik, filozofik, por i dominuar nga lirizmi.

“Libri sikur është formësuar si i tillë me ditarin që trajton pandeminë, që është një persiatje poetike që rrekem ta trajtoj dilemën e njeriut lidhur me situatën e panjohur që ka pllakosur botën” shtoi ai.

Veç tjerash në këtë vëllim poetik gjejmë edhe situate estetike të intimës, si psh në poezinë “Vitamina D”, ku shpërfaqet fluiditeti i jetës, etj.

“Motivi që më shtyri të shkruaj këtë libër dhe jo vetëm, mbase mund të thuhet se në jetë njeriun e ndjekin ca hije të përvojave të jetës, qofshin edhe ato profesionale, duke u bërë me kohën edhe si kambana ndërgjegjjeje, që të shtyjnë të krijosh diçka për brezat, si një testament, qoftë ai poetik”./RTKLive