Inzaghi: Brozovic i rëndësishëm për Interin
Marcelo Brozovic ka rënë dakord për të rinovuar kontratën që i përfundon në qershor.
Mesfushori kroat do të firmosë deri në 2026 me Interin, kontratë nga e cila do të përfitojë 6 milionë euro në sezon + bonuse, që do e çojnë pagën e 29-vjeçarit në rreth 7 milionë euro.
Firma është çështje kohe, teksa Simone Inzaghi ndihet i lumtur për faktin që do e ketë Brozovic në dispozicion edhe për shumë vite. Trajneri i Interit u ndal edhe te dyshja Ivan Perisic-Samir Handanovic, që pritet të jenë lojtarët e radhës që do të rinovojnë me zikaltrit.
“Të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm është Brozovic për këtë ekip. E njëjta gjë vlen edhe për Perisic e Handanovic. Këto çështje i përkasin klubit, unë kam drejtues që janë gjithmonë të pranishëm dhe që punojnë gjatë gjithë kohës që Interi të jetë sa më shumë konkurrues”, deklaroi trajneri i kampionëve të Italisë.























