Kodheli: Shqipëria dënon në termat më të ashpër sulmin e Rusisë
BKT
   Ukraina

Kodheli: Shqipëria dënon në termat më të ashpër sulmin e Rusisë

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, deklaroi sot se, “Shqipëria dënon në termat më të ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, sikurse dhe qeverinë e Bjellorusisë për mundësimin e këtij sulmi”.

“Shqipëria mbështet fuqimisht dhe pa asnjë ekuivok, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë edhe ujërat e saj territoriale”, tha Kodheli në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit.

“Së bashku me aleatët tanë, ne qëndrojmë përkrahë popullit ukrainas dhe presidentit të saj legjitim të dalë nga zgjedhjet demokratike, parlamentit dhe qeverisë së Ukrainës”, theksoi Kodheli.

“Mendimet tona janë dhe shkojnë tek të gjithë familjet e viktimave dhe të plagosurve të popullit ukrainas”, shtoi Kodheli.

Ne, nënvizoi ajo, “i bashkohemi plotësisht deklaratës së Këshillit të Atlantikut të Veriut, për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, e cila i bën në fakt thirrje Rusisë se duhet të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake dhe të tërheqë të gjitha forcat  e saj të vendosura brenda dhe rreth kufirit ukrainas. Të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të lejojë akses dhe ndihmë të sigurt dhe papenguar humanitare për të gjithë personat në nevojë”.

“Përkrahë aleatëve tanë, ne dënojmë fuqishëm vendimin e Rusisë për të zgjeruar njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainë lindore dhe i bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga rruga e dhunës dhe agresionit”, tha Kodheli.

“Udhëheqësit e Rusisë duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat e veprimeve të tyre”, përfundoi Kodheli. /atsh