Poroshenko merr pushkën për të luftuar përkrah civilëve
Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka marrë një pushkë për të luftuar përkrah civilëve, ndërsa forcat ruse sot përparonin në kryeqytetin e Ukrainës.
Në një intervistë me CNN nga rrugët e Kievit, Poroshenko tha se ai ka dy mitralozë dhe po përgatitet të luftojë me një batalion të "mbrojtjes së territorit".
“Putini i shpalli luftë të gjithë botës, çdo personi që po shikon tani”, tha Poroshenko për John Berman të CNN.
Kievi u trondit të premten në mëngjes nga shpërthime të mëdha, megjithëse numri i personave të plagosur dhe shkalla e dëmeve është e paqartë.
Muajin e kaluar, kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se po krijonte "brigada të mbrojtjes territoriale" për vullnetarët me prejardhje ushtarake.
“Nëse është e nevojshme, ne jemi gati të mbrojmë qytetin tonë”, tha Klitschko.
Poroshenko tha se njësia e tij nuk ka artileri, tanke apo transportues të armatosur personeli sepse ata e nisën këtë proces vetëm disa ditë më parë.























