Gazetari shqiptar raporton nga Ukraina për RTK: Rezistencë e fortë në Kiev
Gazetari shqiptar Festim Beqiri, në një lidhje direkte nga Ukraina ka thënë për RTK, se situata në Ukrainë është shumë e vështirë. Ai thotë se është i habitur me qëndresën e ukrainasve, ushtrisë si edhe guximin e qytetarëve të Kievit se si po i bëjnë rezistencë ushtrisë ruse.
“Situata është shumë e vështirë, nuk ka lëvizje aspak. Për momentin është orë policore, nuk ka qarkullim, por nuk ka as gjatë ditës sepse po kanë frikë të dalin. Kolegu ynë ka dalur sot të gjejë diçka të blejë por nuk ka mundur. Është frikë e madhe mos ka civil rus, frika është te secili”, ka thënë Beqiri, i cili punon si xhirues për televizionin gjerman Welt (N24).
Ai raportoi edhe për vështirësinë për furnizimin më ushqim të qytetarëve të Kievit, pasi që bankomatët nuk punojnë, por shtoi se qytetarët kanë qenë deri diku të përgatitur dhe janë furnizuar më herët me gjërat ushqimore, pasi e kanë pritur se kjo mund të ndodhë.
“Situata për qytetarë është shumë e vështirë, nuk ka lëvizje, sepse ata kanë frikë se nëse lëvizin mund të qëllohen. Ka edhe frikë se mund të këtë ndonjë civil rus i cili mund të qëllojë në qytetarë”, raportoi xhiruesi i Tv Welt, për RTK.
Sipas tij, për momentin është vështirë të arrijnë ndihma humanitarë në Kiev, sepse është fillimi i luftës dhe nuk beson se kjo është e mundshme tani.
Ndryshe, në ditën e tretë të agresionit rus në Ukrainë, raportohet për granatime në qytete dhe civilë të vrarë. Pas kërcënimeve disamujore se do të fillojë pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin të enjten urdhëroi operacionet ushtarake në këtë këtë shtet.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, Putin nënshkroi dekretin ku njeh shtete dy rajonet separatiste, ndërsa disa orë pas këtij veprimi dha urdhër edhe për operacionet ushtarake në Ukrainë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për "gjenocid" në luftën e saj kundër Ukrainës, autoritetet e sigurisë në Ukrainë kanë bërë thirrje për mobilizim.
Për më shumë ndiqni videon në vazhdim:























