Pushtimi i Ukrainës - Dita 7
BKT
   Ukraina

Pushtimi i Ukrainës - Dita 7

Edhe në ditën e shtatë të pushtimit , forcat ruse kanë vazhduar bombardimet fuqishëm mbi Ukrainën . Është sulmuar kryeqyteti Kiev dhe qyteti i Kharkivit, ku janë raportuar të vdekur e të plagosur. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se presidenti rus, Putin, do të paguajë çmim të lartë për agresionin në Ukrainë.

10.27 I Rusia zgjeron sulmet në Ukrainë, qindra të vrarë

Qindra persona dyshohet se kanë vdekur në portin e qytetit jugor, Mariupol në Ukrainë, pas disa orë granatimesh të forcave ruse.

Gjithashtu në jug, ushtria ruse po vazhdon sulmet në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit Kherson, por kryebashkiaku i saj, Igor Kolykhayev ka konfirmuar se qyteti ende mbahet nga forcat ukrainase.

BBC raporton se ka pasur intensifikim të sulme me raketa dhe sulme ajrore në qytetin verilindor Kharkiv, ku kanë zbarkuar trupat paramilitare ruse. Në mbrëmje është sulmuar edhe në stacionin qendror i trenit në Kiev dhe janë dëgjuar disa shpërthime.

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mbledhjen e parë urgjente që nga viti 1997, ka votuar  një rezolutë që dënon pushtimin e Rusisë.

Ndërkohë delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë kanë mbërritur në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë, në një raund tjetër të negociatave për armëpushim.

 

17.30 I Biden: Është e qartë se Rusia ka për cak civilët

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë sot se Rusia po godet qëllimisht civilët në Ukrainë, por nuk pranoi të komentojë nëse beson se ushtria ruse po kryhen krime lufte.

“Është e qartë se ata kanë për cak civilët”, tha Biden.

I pyetur nëse Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë, Biden tha se administrata amerikane po e ndjek nga afër çdo veprim rus dhe “është shumë herët për ta thënë këtë”.

Përderisa SHBA po kërkon mënyra për ta ndëshkuar Rusinë për sulmin ndaj Ukrainës, Biden përsëriti gjithashtu se sanksionimi i eksporteve ruse të naftës mbetët një mundësi tjetër, përderisa zyrtarët paralajmëruan se po punojnë për të minimizuar ndikimin e këtij veprimi në çmimet e naftës në SHBA dhe në nivel global. "Asgjë nuk është jashtë tryezës," tha Biden.

 

16:51 I Rusia e Ukraina mbajnë raundin e dytë të bisedimeve për armëpushim

Një raund i dytë bisedimesh për një armëpushim të mundshëm mes Ukrainës dhe Rusisë po zhvillohet sot dhe palët kanë konfirmuar se përbërja e delegacioneve dhe vendi do të jenë të njëjtë.

CNN raporton se  raundi i dytë i negociatave për armëpushim mbahet në një zonë kufitare në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë.

Raundi i parë i bisedimeve që u zhvillua të hënën zgjati  më shumë se pesë orë dhe përfundoi pa ndonjë përparim.

Ndërkohë Rusia ka shtuar sulmet në qytetet kryesore të Ukrainës, dhe  presidenti  ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi sot sërish më shumë ndihmë ndërkombëtare.

 

16. 22 I Zëvendëspresidentja amerikane, Harris: Çdo opsion është në tryezë

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris  ka thënë sot se "çdo opsion është në tryezë", përderisa ka theksuar qëndrimin e  mëhershëm se  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur  sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas sulmit  ndaj Ukrainës, por nuk do të dërgojë trupa për të luftuar kundër forcave  ruse.

“Ajo që do të vazhdojmë të bëjmë është të qëndrojmë të vendosur me aleatët tanë duke rivlerësuar efektin e sanksioneve. Por gjithçka është në tryezë për t'u konsideruar, sinqerisht", ka thënë Harris për "TODAY Show" të rrjetit  NBC.

Harris ka thënë se SHBA nuk do të vendos trupa në Ukrainë për të luftuar rusët në tokë apo ajër. “Por ne jemi të vendosur në gatishmërinë tonë për të mbrojtur aleancën tonë të NATO-s dhe aleatët tanë, në çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe ne do ta bëjmë këtë vazhdimisht,” shtoi Harris.

Zëvendëspresidentja amerikane ka thënë se SHBA po monitoron nga afër veprimet e Rusisë dhe po vlerëson nëse ka pasur cak të qëllimshëm të civilëve dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.

14.49: Kryeministri britanik: Putin është fajtor për "krim lufte"

Kreu i ekzekutivit britanik, Boris  Xhonson ka thënë se veprimet e Rusisë në Ukrainë  mund të cilësohen si "krime lufte".

"Ajo që ne kemi parë tashmë nga regjimi i presidentit, Vladimir Putin në përdorimin e municioneve që kanë hedhur mbi civilët e pafajshëm ... sipas mendimit tim kualifikohet plotësisht si një krim lufte," ka thënë  Xhonson në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

 

14.13 I Lavrov thotë se lufta e tretë botërore do të jetë bërthamore

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka paralajmëruar Perëndimin se një luftë e tretë botërore 'do të jetë bërthamore dhe shkatërruese', përderisa po intensifikohen pasojat  ndaj Rusisë pas pushtimit të ndaj Ukrainës.

Në një kërcënim për NATO-n, që të mos përfshihet në Ukrainë, Lavrov tha se çdo luftë e ardhshme botërore do të bëhet me armë bërthamore - një deklarim që vjen pak ditë pasi, presidenti Vladimir Putin paralajmëroi se çdo vend që dërgon trupa në Ukrainë do të përballet me pasoja të rënda.

Ministri i Jashtëm ka thënë gjithashtu se Moska është e gatshme  për një raund të dytë negociatash që synojnë arritjen e paqes në Ukrainë, duke akuzuar Kievin për vonimin e qëllimshëm të procesit negociator pas të cilit sipas tij është kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

14.40 I Më shumë se 2000 civilë të vrarë në Ukrainë

Autoritetet në Ukrainë kanë njoftuar se më shumë se 2000 civilë janë vrarë deri më tani nga sulmet ruse që filluan një javë më parë.

Shërbimi i Emergjencave i Ukrainës ka thënë se deri më tani janë vrarë 10 pjesëtarë të këtij shërbimi dhe janë plagosur qindra të tjerë.

BBC citon autoritet në Ukrainë që konfirmojnë gjithashtu se ekipet e shpëtimit kanë shuar më shumë se 400 zjarre që shpërthyen pas bombardimeve ruse në  gjithë vendin dhe çaktivizuan  mbi 420  mjete eksplozive.

Po ashtu gjatë shtatë ditëve të luftës, Rusia ka shkatërruar qindra rrjete  transporti, ndërtesa banimi, spitale, kopshte dhe shkolla.

 

12: 32 | Banorët ukrainas mbrojnë centralin bërthamor

Shumë punëtorë ukrainas kanë bllokuar rrugën hyrëse për të mbrojtur termocentralin bërthamor në qytetin Enerhodar.  

Dmytro Orlov, kryetar i Enerhodarit, tha në faqen e tij në Facebook tha se banorët janë duke e mbrojtur termocentralin bërthamor.

Rusia informoi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se forcat e saj ushtarake kanë marrë kontrollin e territorit rreth fabrikës Zaporizhzhia, tha të martën drejtori i Përgjithshëm Rafael Mariano Grossi.

12:15 | Rusia e gatshme për vazhdim të bisedimeve

Sipas Moskës, delegacioni rus do të presë në takim për vazhdimin dialogut delegacionin ukrainas, por nuk specifikoi vendin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një delegacion rus do të jetë i gatshëm të mërkurën për rundin e ri të bisedimeve me Ukrainën, por nuk dha detaje shtesë rreth vendndodhjes ose formatit të diskutimeve.

“Delegacioni ynë do të jetë i gatshëm të vazhdojë bisedën sonte”, tha Peskov.

Të hënën, bisedimet u zhvilluan me delegacionet ukrainase dhe ruse në Bjellorusi, jo shumë larg kufirit ukrainas. Të dyja palët diskutuan për një armëpushim të mundshëm, sipas një këshilltari presidencial ukrainas, por ato nuk dhanë ndonjë rezultat konkret.

 

10:40 | Më shumë se 1 milion persona të zhvendosur brenda Ukrainës

Me zgjërimin e luftimeve në Ukrainë, dhe çdo herë e më shumë sulme kundër caqeve civile, qindra mijëra civilë janë detyruar të largohen prej shtëpive të tyre.

Sipas njoftimeve të fundit, më shumë se 1 milion persona janë zhvendosur brenda Ukrainës, përderisa rreth 700 mijë të tjerë kanë kërkuar strehim në vendet tjera. Më shumë se gjysma prej tyre kanë hyrë në Poloni, përderisa shumë të tjerë kanë arritur edhe në Rumani, Hungari, Sllovaki dhe vendet tjera.

Gjithashtu është raportuar për shifra të larta të civilëve që janë larguar nga Donbassi dhe Luhansk, në drejtim të Rusisë. Agjencitë humanitare thonë se është vështirë të definohet numri i saktë i tyre.

Ndërkohë, OKB ka apeluar për 1.7 milaird dollarë ndihma emergjente për Ukrainën dhe ka paralajmëruar se gjendja do të mund të përkeqësohet shumë shpejt. Sipas BE-së dhe agjencive humanitare, numri i refugjatëve urkainas në Evropë së shpejti do të mund të arrijë nga 4 deri në 7 milionë refugjatë, ndërsa ai i të zhvendosurve brenda Ukraines në më shumë se 5 milionë. Sipas tyre, kjo gjë do ta vendoste para një katastrofe humanitare të përmasave të mëdha.

10:00 | Raportime të përziera nga qyteti Kherson

Mediat ndërkombëtare po presin në një konfirim të pretendimeve të Rusisë se ka pushtuar qytetin jugor ukrainas, Kherson.

Më herët Moska tha se ka marrë “kontrollin e plotë” të qytetit. Kjo do të ishte rënia e qytetit më të madh ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus.

Por, kryetari i I këtij qyteti ka shkruar në Facebook se qyteti ështëi i rrethuar. “Ne ende jemi Ukrainë. Qëndrojmë të fortë”.

 

09:15 | Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë

Sulmet ruse në UKrainë kanë vazhduar të intensifikohet me raporte për sulme të reja në të gjitha vijat e frontit. Sipas raporteve, parashutistët rusë kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, Kharkiv, ku që disa ditë po zhvillohen luftime të ashpra , përderisa ka njoftime se ushtria ruse ka hyrë edhe në qytetin strategjik Kherso,  i cili gjindet pranë gadishullit të Krimesë.

Njëkohësisht, kanë vazhduar sulmet artilerike dhe raketore kundër kryeqytetit Kiev , dhe kanë nisur sulmet kundër qyteteve Borodjanka dhe Zhytomyr.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden tha se Shtete e Bashkuara do të vazhdojnë të sanksionojnë Rusinë, kompanitë dhe oligarkët e ndryshëm. SHBA edhe një herë përsëriti përkrahjen e plotë të Amerikës për Ukrainën.  Biden gjithashtu përmendi presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se ai  "do të paguajë çmim të lartë , në afat të gjatë" dhe ka shtuar se Putini "nuk ka ide se çka po e pret ".

Vendet dhe organizatat e ndryshme kanë vazhduar të sanksionojnë Rusinë për agresionin në Ukrainë. Koreja e Jugut dhe disa vende tjera aziatike kanë ndaluar punën në shumicën e bankave ruse.

Organizata Botërore e Patinazhit ka ndaluar pjesëmarrjen e sportistëve rusë  dhe bjellorusë në garat ndërkombëtare.

Edhe kompanitë private, si Nike dhe Apple, njoftuan për ndërprerjen e dërgesave në Rusi, duke iu bashkuar kështu sanksionimit ndërkombëtar të agresionit në Ukrainë.