Më shumë se 1 milion persona të zhvendosur brenda Ukrainës
Me zgjërimin e luftimeve në Ukrainë, dhe çdo herë e më shumë sulme kundër caqeve civile, qindra mijëra civilë janë detyruar të largohen prej shtëpive të tyre.
Sipas njoftimeve të fundit, më shumë se 1 milion persona janë zhvendosur brenda Ukrainës, përderisa rreth 700 mijë të tjerë kanë kërkuar strehim në vendet tjera. Më shumë se gjysma prej tyre kanë hyrë në Poloni, përderisa shumë të tjerë kanë arritur edhe në Rumani, Hungari, Sllovaki dhe vendet tjera.
Gjithashtu është raportuar për shifra të larta të civilëve që janë larguar nga Donbassi dhe Luhansk, në drejtim të Rusisë. Agjencitë humanitare thonë se është vështirë të definohet numri i saktë i tyre.
Ndërkohë, OKB ka apeluar për 1.7 milaird dollarë ndihma emergjente për Ukrainën dhe ka paralajmëruar se gjendja do të mund të përkeqësohet shumë shpejt. Sipas BE-së dhe agjencive humanitare, numri i refugjatëve urkainas në Evropë së shpejti do të mund të arrijë nga 4 deri në 7 milionë refugjatë, ndërsa ai i të zhvendosurve brenda Ukraines në më shumë se 5 milionë. Sipas tyre, kjo gjë do ta vendoste para një katastrofe humanitare të përmasave të mëdha.























