Harris: Për Rusinë çdo opsion është në tryezë
Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka thënë se SHBA nuk do të vendos trupa në Ukrainë.
Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka thënë sot se "çdo opsion është në tryezë", përderisa ka theksuar qëndrimin e mëhershëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës, por nuk do të dërgojë trupa për të luftuar kundër forcave ruse.
“Ajo që do të vazhdojmë të bëjmë është të qëndrojmë të vendosur me aleatët tanë duke rivlerësuar efektin e sanksioneve. Por gjithçka është në tryezë për t'u konsideruar, sinqerisht", ka thënë Harris për "TODAY Show" të rrjetit NBC.
Harris ka thënë se SHBA nuk do të vendos trupa në Ukrainë për të luftuar rusët në tokë apo ajër. “Por ne jemi të vendosur në gatishmërinë tonë për të mbrojtur aleancën tonë të NATO-s dhe aleatët tanë, në çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe ne do ta bëjmë këtë vazhdimisht,” shtoi Harris.
Zëvendëspresidentja amerikane ka thënë se SHBA po monitoron nga afër veprimet e Rusisë dhe po vlerëson nëse ka pasur cak të qëllimshëm të civilëve dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.























