Rusia zgjeron sulmet në Ukrainë, qindra të vrarë
BKT
   Ukraina

Rusia zgjeron sulmet në Ukrainë, qindra të vrarë

Rusia ka intensifikuar sulmet në qytetet kryesore të Ukrainës, dhe luftimet janë ndezur në veri, lindje dhe jug.

Qindra persona dyshohet se kanë vdekur në portin e qytetit jugor, Mariupol në Ukrainë, pas disa orë granatimesh të forcave ruse.

Gjithashtu në jug, ushtria ruse po vazhdon sulmet në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit Kherson, por kryebashkiaku i saj, Igor Kolykhayev ka konfirmuar se qyteti ende mbahet nga forcat ukrainase.

BBC raporton se ka pasur intensifikim të sulme me raketa dhe sulme ajrore në qytetin verilindor Kharkiv, ku kanë zbarkuar trupat paramilitare ruse. Në mbrëmje është sulmuar edhe në stacionin qendror i trenit në Kiev dhe janë dëgjuar disa shpërthime.

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mbledhjen e parë urgjente që nga viti 1997, ka votuar  një rezolutë që dënon pushtimin e Rusisë.

Ndërkohë delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë kanë mbërritur në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë, në një raund tjetër të negociatave për armëpushim.