Vazhdon sot raundi i dytë i bisedimeve Ukrainë – Rusi
Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë po zhvillojnë një raundi tjetër bisedimesh, pas atij të së hënës që nuk shënoi ndonjë përparim.
Raundi i dytë i bisedimeve mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës zhvillohet sot në Bjellorusi, në një zonë afër kufirit me Poloninë, dhe delegacionet negociatore përbëhen nga përfaqësuesit e njëjtë që zhvilluan të hënën raundin e parë të bisedimeve.
Një anëtar i stafit të presidentit të Ukrainës i ka thënë CNN se është zyrtare që sot vazhdojnë bisedimet me përbërje të njëjtë. “ Sot po zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve mes Ukrainës dhe okupatorit rus”.
Raundi i parë i bisedimeve që zgjati për orë të tëra të hënën përfundoi pa ndonjë rezultat.
Ukraina po kërkon armëpushim dhe largimin e trupave ruse nga Ukraina. Ndërsa Rusia po kërkon që Ukraina të mbetet shtet neutral, të mos anëtarësohet në NATO dhe BE, në Ukrainë të zgjidhet një qeveri tjetër si dhe të largohet presidenti, Volodymyr Zelensky.
Pushtimi i Ukrainës ka hyrë në javën e dytë dhe presidenti, Volodymyr Zelensky po bën thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare, përderisa ushtria ruse ka rrethuar qytetet kryesore të Ukrainës.























