Në bisedimet me rusët, Ukraina kërkon armëpushim dhe korridore humanitare
Në raundin e dytë të bisedimeve me Rusinë, Ukraina ka kërkuar armëpushim, të krijohen korridore humanitare, rrugë për civilët për të shmangur zonat e goditura nga konflikti.
Delegacionet negociatore të Rusisë dhe Ukrainës janë takuar sot në Bjellorusi, në një zonë afër kufirit me Poloninë. Përderisa Ukraina po kërkon armëpushim dhe korridore për konvojet humanitare dhe civilët, Rusia po kërkon që Ukraina të mbetet shtet neutral, të mos anëtarësohet në NATO dhe BE, në Ukrainë të zgjidhet një qeveri tjetër si dhe të largohet presidenti, Volodymyr Zelensky.
Numri i njerëzve që ikin nga Ukraina ka arritur në mbi një milion, ndërsa Kremlini vazhdon të rrethojë shumë qytete në jug të Ukrainës.
Raundi i parë i bisedimeve që zgjati për orë të tëra të hënën përfundoi pa ndonjë rezultat.
Pushtimi i Ukrainës ka hyrë në javën e dytë dhe presidenti, Volodymyr Zelensky po bën thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare, përderisa ushtria ruse ka rrethuar qytetet kryesore të Ukrainës.























