Pushtimi i Ukrainës - Dita 10
BKT
   Ukraina

Pushtimi i Ukrainës - Dita 10

Evakuimi masiv i civilëve në Mariupol dhe Volnovakha është ndërprerë, përderisa forcat ruse vazhdojnë bombardimet.

15:26 - Ukraina: Rusia shkeli marrëveshjen e armëpushimit 

Pak kohë më parë, ministria e jashtme e Ukrainës prapë fajësoi Rusinë për mosrespektimin e armëpushimit.

Ajo thirri komunitetin ndërkombëtar ta dënojë Rusinë për atë që e cilëson si “shkelje të rënde të marrëveshjeve për hapjen e korridoreve humanitare”.

“Bombardimi i vazhdueshëm e bën të pamundur hapjen e korridoreve humanitare për evakuim të sigurtë të civilëve, dërgimin e ilaçeve dhe ushqimit”, thuhet në reagimin e ministrisë në Twitter.

15:07 - Vetëm 400 njerëz u evakuuan nga Volnovakha gjatë armëpushimit të shkurtë

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm 400 njerëz u evakuuan nga Volnovakha dhe vendbanimet përreth gjatë armëpushimit të sotëm afatshkurtër.

Plani fillestar ishte evakuimi i më shumë se 15,000 civilëve nga rajoni gjatë armëpushimit të përkohshëm, i cili filloi në mëngjes.

Por guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko tha: "Megjithëse kishim qëllimin dhe transportin e nevojshëm për të evakuuar shumë më tepër njerëz, na u desh të ndalonim lëvizjen e kolonës, sepse rusët edhe njëherë filluan të bombardojnë qytetin pa mëshirë dhe ishte shumë e rrezikshme të lëvizësh atje."

Edhe evakuimi në Mariupol u ndal gjithashtu.

15:01 - Putin: Vendosja e ndalim-fluturimit do të thotë bashkim në konflikt

Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë paraqitjes televizive thotë se cilido shtet që vendos zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të konsiderohet se është bashkuar në luftë në Ukrainë.

“Çdo lëvizje në këtë drejtim do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur nga ai vend”, thotë presidenti rus.

Në kontekstin ushtarak, një zonë ndalim-fluturimi është një zonë ku ndalohet hyrja e avionëve për të parandaluar sulmet ose mbikqyrjen. Por ajo duhet të zbatohet me mjete ushtarake - domethënë, duke rrëzuar potencialisht aeroplanë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka fajësuar "dobësinë" dhe "përçarjen" e NATO-s për refuzimin për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi.

NATO ka thënë se kjo do të çonte në një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në shumë vende tjera.

 

14:27 - Mijëra qytetarë protestojnë kundër okupimit rus në Kherson

Protesta po mbahen edhe në qytetin e okupuar rus, Kherson. 

Rreth 2 mijë njerëz dolën në rrugë për të protesuar nga mëngjesi. Ata marshuan drejt qendrës, duke mbajtur flamujt e Ukrainës dhe duke kënduar himnin kombëtar. 

Protestuesit brohorisnin “Kherson është Ukraina” dhe “Rusë ikni në shtëpi”

Pikat e kontrollit ushtarak rus janë vendosur në gjithë qytetin dhe po ndalin çdo automjet. 

 

14:24 - Protesa kundër luftës nëpër botë 

Mijëra njerëz janë mbledhur në shumë qytete të botës për të protesuar kundër agresionit rus të Ukrainës.

Protesta po mbahen në Zvicërr, Kroaci, Tajlandë dhe Britani të Madhe.

12:54 - Sekretari britanik i mbrojtjes: Zona e ndalim-fluturimit mund të pengojë Ukrainën, e jo ta ndihmojë

Sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace thotë se zona e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë jo vetëm do ta rriste rrezikun për aleatët e NATO-s, të cilët mund të konfrontohen direkkt me avionët rusë, por do të pengojnë po ashtu mundësinë e Ukrainës të mbrojë veten.  

Në një vizitë në Estoni dhe Danimarkë këtë javë, Ben Wallace tha për BBC, se Rusia deri më tani nuk kishte qenë e suksesshme në shkatërrimin e mbrojtjes ajrore dhe forcës ajrore të Ukrainës.

Ai tha se avionët dhe dronët ukrainas ishin "një nga mjetet e pakta" që ukrainasit kishin për të goditur forcat ruse nga distanca.

"Nëse keni një zonë të ndaluar fluturimi, ajo funksionon për të dyja palët".

Ai tha se "mund t'u japë një avantazh rusëve", të cilët ende mund të synojnë qytetet me artilerinë e tyre me rreze të gjatë dhe raketat nga toka.

"Unë mendoj se njerëzit duhet t'i bëjnë vetes pyetjen përpara se të sugjerojnë këto gjëra, çfarë do të thotë në terren dhe çfarë do të thotë për NATO-n, kur ka mënyra të tjera për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen nga ajri," thotë Wallace.

Vendet perëndimore kanë furnizuar Ukrainën me qindra raketa anti-ajrore "Stinger" në javët e fundit.

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka bërë thirrje publikisht për një zonë ndalim-fluturimi. Por Wallace tha se ai kishte qenë në kontakt të përditshëm me ministrin e mbrojtjes të Ukrainës, i cili nuk kishte kërkuar një gjë të tillë.

 

11:53 - Shtyhet evakuimi i Mariupol

Evakuimi i civilëve nga Mariupol është shtyrë, sipas këshillit të qytetit. Ata thonë se ana ruse nuk po e observon armëpushimin e përkohshëm. 

Po ashtu, ata thonë se banorët duhet të shpërndahen dhe të gjejnë strehë, ndërkohë që do të kenë informata të tjera. 

Pak kohë më parë, nënkryetari i komunës së qytetit tha për BBC se Mariupol po bombardohet ende dhe ka raporte se luftimet po vazhdojnë në fund të rrugës së evakuimit.

 

11:11 - Zelensky: Shpejt do t'u themi qytetarëve të kthehen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shprehet i bindur se lufta do të përfundojë shpejt.

Presidenti ukrainas nëpërmjet një video të publikuar në Facebook ka thënë se së shpejti do t’iu thotë njerëzve që të kthehen në vendin e tyre.

Ai tha se do t’u thonë “kthehuni se s’ka më rrezik”.

“Jam i sigurt që shpejt do të jemi në gjendje t’ju themi njerëzve tonë: kthehuni! Kthehuni nga Polonia, Rumania, Sllovakia dhe gjithë vendet tjera. Kthehuni sepse s’ka më rrezik”, ka thënë Zelensky.

11:08 - Ukraina thotë se armëpushimi nuk po mbahet përgjatë rrugës së evakuimit

Armëpushimi i dakorduar midis Rusisë dhe Ukrainës për lejimin e civilëve të largohen nga qyteti Mariupol nuk po mbikqyrohet plotësisht, sipas këshillit të qytetit.

Në një mesazh të postuar në Telegram, këshilli thotë se luftimet po vazhdojnë në regjionin e Zaporizhzhia, ku edhe përfundon korridori humanitar.

Zyrtarët ukrainas po negociojnë me anën ruse për të konfirmuar armëpushimin e përkohshëm përgjatë rrugës së evakuimit, thuhet në mesazh.

10:28 – Ukraina paralajmëron Rusinë: Mos abuzoni me armëpushimin

Rusia nuk duhet të përfitojë nga marrëveshja për korridoret humanitare që të avancojë forcat e saj, paralajmëron Iryna Vereshchuk, zëvendëskryeministre e Ukrainës.

Ajo thotë se qeveria po ‘verifikon’ informata që forcat ruse po përdorin armëpushimin që të afrohen në zonat përgjatë rrugëve të evakuimit.

 “Ne po përdorim këtë kanal që të evakuojmë civilët, gratë dhe fëmijët, dhe të dërgojmë ndihma për ata që po qëndrojnë. E gjithë bota po shikon”, tha ajo.

Vereshchuk konfirmoi se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ndërmjetësoi në bisedimet për armëpushim dhe do të drejtojë kolonat e evakuimit nëpër rrugët e caktuara jashtë qyteteve.

Armëpushimi është vendosur në qytetet Mariupol dhe Volnovakha nga ora 09:00 – 16:00 në kohën lokale.

09:43 – Ministri i mbrojtjes: Mbi 66, 000 ukrainas u rikthyen të luftojnë

Shumë nga analizat e agresionit rus janë fokusuar në numrin relativisht të ulët të ushtrisë ukrainase në krahasim me atë të Rusisë.

Megjithatë, mbi 66 mijë ukrainas janë rikthyer nga jashtë për të luftuar për vendin, thotë ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleskii Reznikov.

 

09:39 - Kryebashkiaku i Mariupol: Nuk ka zgjidhje tjetër, banorët të largohen të sigurtë

Kryebashkiaku i Mariupol, Vadym Boichenko, ka dhënë deklaratë emocionale pas njoftimit të korridorit humanitar nga qyteti i tij.

“Mariupol nuk është vetëm rrugë dhe shtëpi. Ai është i banorëve të tij”, tha ai.

Boichenko shton: Nën kushtet e vazhdueshme të bombardimeve brutale të okupuesve, nuk ka zgjidhje tjetër pos t’u ofrojmë banorëve mundësinë që të largohen sigurt nga qyteti.