Pushtimi i Ukrainës - Dita 12
Zyrtarët ukrainas kanë njoftuar mëngjesin e së hënës për luftime të ashpra në një zonë të gjerë, nga veriu deri në perëndim të Kievit.
21: 32 I Kalvari i punëtorëve të Çernobilit nën rrethimin rus
Më shumë se 100 punëtorë të termocentralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë kanë mbetur atë ngujuar për më shumë se 12 ditë, në pamundësi për t'u larguar pasi forcat ruse morën centralin në ditën e parë të pushtimit.
Të paktën 200 roje të tjera ukrainase, përgjegjës për sigurinë në kohën e sulmit, kanë mbetur gjithashtu të bllokuar.
BBC raporton se punëtorët e centralit, që është vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë në vitin 1986, vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, por kushtet brenda janë të vështira për shkak të mungesës së ushqimit dhe ilaçeve.

20: 58 I Zelensky do t'i drejtohet të martën parlamentit britanik
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të mbajë një fjalim që po cilësohet si "historik" në parlamentin e Britanisë.
Përmes video- lidhje, lideri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do t'u drejtohet deputetëve britanikë në një fjalim që Parlamenti e aplikon për herë të parë në këtë formë, duke pezulluar për këtë ditë punën zyrtare parlamentare.
Kryetarja e Parlamentit, Lindsay Hoyle ka thënë se "çdo parlamentar dëshiron të dëgjojë drejtpërdrejt nga presidenti, i cili do të flasë drejtpërdrejt nga Ukraina, një gjë që është një rast i rëndësishme për Parlamentin".

20: 45 I BE pajtohet të nis shqyrtimin e anëtarësimit të Ukrainës, Gjeorgjisë e Moldavisë.
Ambasadorët e Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën të shqyrtojnë ofertat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për t'u anëtarësuar në BE, duke filluar procesin e gjatë drejt pranimit të tyre final.
Në një postim në Twitter të hënën, Presidenca franceze e BE-së tha se 27 përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të BE-së u pajtuan të ftojnë Komisionin Evropian të paraqesë një opinion për secilën prej aplikimeve për anëtarësim në BE.

Ky fillon një proces që mund të marrë vite derisa tri vendet ish-sovjetike të bëhen vende kandidate për t'u anëtarësuar në BE.
18: 09 I Granatimet ruse po pengojnë evakuimin e civilëve nga qytetet e rrethuara
Autoritet në Ukrainë thonë se granatimet e vazhdueshme të trupave ruse po pengojnë largimin civilëve nga qytetet e rrethuara.
Reuters raporton se në ditën e 12 të pushtimit të Ukrainës, sulmet vazhdojnë pavarësisht një propozimi nga Rusia për të krijuar rrugë të sigurta shpëtimi për civilët.
Rusia deklaroi më herët se korridoret humanitare do t'i lejojnë njerëzit të largohen sot nga Kievi, Mariupol, Sumy dhe Kharkiv.
Kremlini deklaroi sot e është gati të ndalojë “menjëherë” operacionet ushtarake, nëse Kievi përmbush një listë kushtesh të Kremlinit, që Ukraina të të ndryshojë kushtetutën e saj për të ruajtur neutralitetin, të njohë Krimenë si territor rus dhe të njohë republikat separatiste, Donetsk dhe Lugansk si shtete të pavarura.
Dhjetëra mijëra civilë raportohet të kenë mbetur të bllokuar në qytetin e madh port të Mariupolit pa energji elektrike, ujë dhe ushqim.





16.10 I Ukraina dhe Rusia nisin raundin e tretë të bisedimeve
Ekipet negociatore të Ukrainës e Rusisë kanë nisur sot një raund të tretë tjetër bisedimesh, ku është paralajmëruar se do të diskutohet për armëpushim dhe korridore humanitare
Dy raundet e para janë mbajtur qytezën Gomel të Bjellorusisë në kufi me Poloninë, por ende nuk është konfirmuar lokacionin për raundin e tretë përderisa mediat ruse raportojnë se takimi do të mbahet në Antalya të Turqisë.
Para fillimit të negociatave, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak i kërkoi Moskës të ndalojë “dhunën në shkallë të gjerë kundër civilëve”.Ai ka kërkuar sërish armëpushim dhe korridore të njëmendta humanitare.
"Ne do flasim me përfaqësuesit e një vendi që beson seriozisht se dhuna në shkallë të gjerë kundër civilëve është një argument. Po u kërkojmë atyre që ta dëshmojnë se nuk është kështu," shkroi Podolyak në Twitter.

15: 29 I Orban lejon vendosjen e trupave të NATO-s në Hungari, jo dërgimin e armëve në Ukrainë
Kryeministri hungarez Viktor Orban nënshkruan ka nënshkruar sot një dekret që lejon vendosjen e trupave të NATO-s në pjesën perëndimore të Hungarisë.
Sipas dekreti të nënshkruar sot nga kryeministri, Viktor Orban, prej sot Hungaria lejon që trupat e NATO-s të vendosen në Hungari.
Megjithatë, dekreti thotë se Hungaria nuk lejon dërgesat e armëve vdekjeprurëse të kalojnë neper territorin e saj drejt vendeve të tjera anëtare të NATO-s as për në Ukrainë.
14:29 I Kremlini thotë se do të ndal sulmet "menjëherë" nëse Ukraina përmbush kushtet
Rusia i ka thënë Ukrainës se është gati të ndalojë “menjëherë” operacionet e saj ushtarake, nëse Kievi përmbush një listë kushtesh të Kremlinit.
Zëdhënsi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka thënë Reuters se Moska po kërkon që Ukraina të ndërpresë veprimet ushtarake, të ndryshojë kushtetutën e saj për të ruajtur neutralitetin, të njohë Krimenë si territor rus dhe të njohë republikat separatiste, Donetsk dhe Lugansksi shtete të pavarura.
Kjo ishte deklarata më e qartë ruse deri më tani, e kushteve që dëshiron t'i imponojë Ukrainës për të ndalur atë që ajo e quan "operacioni i saj special ushtarak".

13:49 I Zelensky bën thirrje për bojkot të naftës ruse
Presidenti ukrainas, Volodymy Zelensky po bën thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë, dhe bllokimin e eksportit të naftës ruse.
Duke folur në konferencën ditore, Zelensky ka thënë sot se pushtimi i vazhdueshëm tregon se "Rusia nuk e ka ndërmend të braktis synimet e saj kundër Ukrainës" .
Ai ka shtuar se ka shumë nevojë " për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë".
Zelensky bën thirrje për "bojkot të eksporteve ruse, në veçanti furnizimit me naftë dhe produkte të tjera nga Rusia".
Presidenti ukrainas theksoi se këto masa më të ashpra “mund të quhen embargo, ose thjeshtë moral”.


13.14 I Sot pritet të vazhdojë raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë – Rusi
Ekipet negociatore të Ukrainës e Rusisë pritet të mbajnë sot një raund të tretë tjetër bisedimesh, në qytezën Gomel të Bjellorusisë, në kufi me Poloninë, ku do të diskutohet për armëpushim dhe korridore humanitare.
Propozim i ri rus për armëpushim për të lejuar civilët të largohen nga qytetet kryesore të Ukrainës u cilësua "imoral" nga autoritet në Kiev.
Sipas qeverisë në Ukrainë ky është një tentim tjetër mashtrimi i Rusisë që po vazhdon të godet civilët.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se civilëve në Kiev dhe vende tjera do t'u ofrohet kalim i sigurt në shtetin aleat rus, Bjellorusi, ndërsa civilëve Harhiv, Mariupoli dhe Sumy do t’u lejohet të shkojnë në Rusi.
Pavarësisht paralajmërimit rus në ditën e 12 të pushtimit të Ukrainës sulmet ruse kanë vazhduar në zona të banuara në disa qytete, duke vrarë dhjetëra civilë.
12:56 | Zelensky kërkon nga aleatët avionë ushtarakë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga aleatët e Kievit që të furnizojnë Ukrainën me avionë ushtarakë, si dhe të bojkotojnë naftën ruse, e po ashtu edhe eksportet e tjera.
“Nëse pushtimi i Ukrainës vazhdon dhe Rusia nuk heq dorë nga planet kundër Ukrainës, atëherë ka nevojë për një paketë të re sanksionesh…për tu arritur paqja”, ka thënë Zelensky përmes një adresimi.

12:44 | Franca mohon se ka kërkuar nga Putini për rrugë evakuimi në Rusi e Bjellorusi
Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk ka kërkuar nga Putini për hapjen e korridoreve humanitare nga qytetet ukrainase për në Rusi dhe Bjellorusi, ka thënë zyra e Presidencës franceze.
Moska më herët njoftoi për rrugët e evakuimit nga Kharkivi, Kievi, Mariupoli dhe Sumy, pasi Putini dhe Macroni zhvilluan një bisedë telefonike të dielën. Në njoftim u tha se veprimi është marrë si përgjigje ndaj një “kërkese personale” nga lideri francez.
Por, Presidenca franceze i tha agjencisë së lajmeve AFP se një kërkesë e tillë nuk është bërë.
12:26 | Landsbergis: “Nuk mund të paguajmë për naftë me gjakun e Ukrainës”
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis ka bërë thirrje për vënien e embargos ndaj shitjeve ruse të energjisë.
“Burimet e energjise që ne i importojmë paguajnë për operacionet ushtarake të rusëve”, ka thënë Landsbergis gjatë një konference të përbashkët për shtyp me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Ne nuk mund të paguajmë çmimet e naftës dhe gazit me gjakun e Ukrainës”, ka theksuar ai.
Më vonë gjatë ditës, kryeministri Italian, Mario Draghi do të takohet në Bruksel me shefen e BE-së, Ursula Von der Leyen, për të diskutuar për varshmërinë e Italisë në energjinë ruse, dhe atë se çfarë mund të bëhet për të ndryshuar furnizimin aktual të Italisë me energji.
Italia dhe Gjermania janë në mesin e vendeve evropiane që më së shumti janë ndikuar nga kufizimet e importeve ruse të naftës.

12:07 | SHBA: “Gati të përballim çdo kërcënim” ndaj NATO-s
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që po qëndron në një vizitë zyrtare në Lituani, tha se SHBA dhe Lituania janë “të bashkuar për të qëndruar me Ukrainën”, në kohën kur pushtimi rus ka arritur ditën e 12-të.
SHBA dhe aleatët janë të gatshëm “që të përballen me çfarëdo kërcënimi”, ka thënë Blinken. Këtu përfshihet edhe dërgimi i 7 mijë trupave amerikane në Evropë, si dhe ripozicionimi i të tjerëve “për të forcuar krahun lindor të NATO-s”.
11:51 | Raportohet për luftime të ashpra në Kiev
CNN raporton se forcat ruse duket se po bëjnë ofensivë në disa zona të kryeqytetit.
“Armiku po shkatërron Bucha, Hostomel, Vorzel, Irpin. Ata qëllimisht po vrasin civilët”, ka thënë kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko.
Raportime të shumta tregojnë për luftime të ashpra në katër distrikte të kryeqytetit, në kohën kur civilët po tentojnë të largohen nga luftimet.
“Ne po bëjmë gjithçka në kryeqytet për ta mbrojtur atë, për të krijuar rezerva të ushqimit, barnave, gjërave esenciale. Ne po shprëndajmë e japim ndihmë për ata që kanë më së shumti nevojë sot. Ndihma humanitare është dërguar po ashtu në Chernihiv, një qytet në very të Kievit”, ka thënë Klitschko.

11:37 | VIDEO: Rusia tregon pamje të tankeve në rajonin e Kievit
Një video e lëshuar nga qeveria ruse tregon tanke në rrugët e rajonit të Kievit, transmeton Reuters.
11:30 | Rusia i shmanget seancës dëgjimore në gjykatën e Kombeve të Bashkuara
Rusia ka refuzuar të dërgojë një delegacion në gjykatën e lartë të Kombeve të Bashkuara, në një seancë dëgjimore, pas kërkesës së Ukrainës që bën thirrje për detyrim të Rusisë që ta ndalë pushtimin e Ukrainës.
“Gjykata njofton me keqardhje për mos-paraqitjen e Federatës ruse në këto procedura verbale”, ka thënë presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Joan Donoghue.
Ambasadori rus në Holandë, Alexander Shulgin i ka shkruar gjykatës dhe e ka njoftuar se qeveria e tij nuk do të marrë pjesë.
Ukraina ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë, me bazë në Hagë, që ta urdhërojë Rusinë që “menjëherë të ndalë veprimet ushtarake” në Moskë, të cilat nisën më 24 shkurt.
11:14 | Lufta në Ukrainë “katastrofike për ushqimin në nivel global”
Shefi i një prej kompanive më të mëdha në botë të ushqimeve bimore thotë se lufta në Ukrainë do të shkaktojë një tronditje në furnizimin global dhe në çmimin e ushqimeve.
Svein Tore Holsether, shefi i Yara International, thotë se çmimet e plehut, që veçse kanë qenë të larta para pushtimit rus në Ukrainë, mund të vazhdojnë të rriten.
Yara, që operon në më shumë se 60 vende, blen një shumë të konsiderueshme të materialeve të papërpunuara nga Rusia.
Rusia prodhon shuma të mëdha të lëndëve ushqyese, sikurse fosfati, që janë përbërës kyç për plehun, që mundëson bimët dhe kulturat bujqësore të rriten.
“Për mua, nuk po diskutojmë se si po lëvizim drejt një krize ushqimore në nivel global – por se sa e madhe do të jetë kjo krizë”, thotë Holsether.

10:32 | Rusia thotë se do të hapen 6 korridore humanitare
Rusia tha të hënën se 6 korridore humanitare do të hapen përreth qyteteve ukrainase, për t’u mundësuar qytetarëve që të ikin.
“Informata më të hollësishme rreth korridoreve humanitare i janë dhënë palës ukrainase paraprakisht”, ka thënë zëdhënësi rus i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov.
Deklaratat e tij vijnë pas akuzave të zv/kryeministres së Ukrainës se Moska po mundohet ta manipulojë presidentin francez, Macron, dhe liderët e tjerë perëndimorë, duke kërkuar që korridoret humanitare në Ukrainë të kenë dalje përmes Rusisë ose Bjellorusisë.
Iryna Vereshchuk tha se Kievi i ka bërë thirrje Rusisë që të merren vesh rreth një armëpushimi, për t’u mundësuar ukrainasve që të evakuohen drejt qytetit ukrainas në perëndim, Lvivit.

10:00 | Kina do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën
Kryqi i Kuq kinez do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën, ka thënë ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, duke përsëritur thirrjen për vazhdim të bisedimeve diplomatike.
Ai ka thënë se miqësia mes Kinës dhe Rusisë është “e fortë” dhe se perspektiva për bashkëpunim është shumë e gjerë.
Këto deklarata vijnë disa orë pasi kryeministri i Australisë, Scott Morrison kërkoi nga Kina që ta dënojë Rusinë.
09:48 | Ukraina: Propozimi rus për korridoret “tërësisht i pamoralshëm”
Ukraina thotë se propozimi rus për korridoret humanitare, për t’i çuar refugjatët në Bjellorusi apo Rusi është “tërësisht i pamoralshëm”.
Qytetarët ukrainas duhet të lejohen që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre nëpërmjet territorit ukrainas, ka thënë një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ky është një tregim tërësisht i pamoralshëm. Këta janë qytetarë të Ukrainës, ata duhet të kenë të drejtë të evakuohen përmes territorit të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësi në një mesazh të shkruar, që e citon agjencia e lajmeve Reuters.
09:40 | Rusia thotë se do të hapë korridoret humanitare
Ushtria ruse të hënën do t’i ndalë bombardimet dhe do të hapë korridoret humanitare në disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, Interfax, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Korridoret, të cilat gjithashtu do të jenë të hapura për qytetet Kharkiv, Mariupol dhe Sumy, po hapen pas kërkesës së presidentit francez, Emmanuel Macron, thuhet në këtë raportim.
09: 20 | OKB: Mbi 1,5 milion refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi njoftoi se më shumë se 1,5 milion refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje që nga fillimi i ofensivës ruse.
Në një deklaratë në Twitter, Grandi dha informacione për civilët e zhvendosur që nga 24 shkurti, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Grandi tha se më shumë se 1,5 milion refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje brenda dhjetë ditëve.“Kjo është krizë e refugjatëve në rritjen më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, shtoi Grandi.
Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se gjysma e refugjatëve ukrainas kanë kaluar në Poloni. Më pas, Hungaria, Moldavia, Sllovakia, Rumania dhe vende të tjera evropiane radhiten pas Polonisë.
More than 1.5 million refugees from Ukraine have crossed into neighbouring countries in 10 days — the fastest growing refugee crisis in Europe since World War II.
— Filippo Grandi (@FilippoGrandi) March 6, 2022
Ukraina dhe Rusia pritet të vazhdojnë bisedimet
Palët janë takuar edhe dy herë të tjera, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por pa ndonjë rezultat konkret.
“Rundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet të hënën”, ka thënë dy ditë më parë negociatori ukrainas, David Arakhamia.
Negociatori rus, Leonid Slutsky ka thënë se “rundi i tretë mund të zhvillohet në ditët në vijim” dhe se “ka gjasa të zhvillohet të hënën”, raporton REL.
Dy rundet e para të bisedimeve janë mbajtur në Bjellorusi.























