Agresioni rus në Ukrainë - Dita 14
BKT
   Ukraina

Agresioni rus në Ukrainë - Dita 14

Në ditën e 14-të të sulmit rus në Ukrainë është kryer edhe evakuimi i parë i suksesshëm, pasi Rusia ra dakord t`i ndalonte sulmet, ndërsa pritet edhe hapja e shumë korridoreve të tjera humanitare.

21:18 I Rusia thotë se nuk e ka shkelur armëpushimin, pavarësisht sulmeve mbi spitale

 Autoritet në Kremlin kanë hedhur poshtë akuzat se po shkelin një armëpushim  për të cilin u ra dakord për të lejuar evakuimin e civilëve, pavarësisht sulmit në spitalin  Mariupolit dhe vende të tjera. Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se Ukraina kishte bombarduar pozicionet ruse në periferi të Kievit, si dhe në Kharkiv, Mariupol dhe Sumy.

19:23 I Bombardimet ruse krijojnë një krater masiv në spitalin e Mariupolit në Ukrainë

Një foto, e publikuar nga policia ukrainase shfaq një krater masiv që ka kanë krijuar bombardimet ruse në kompleksin e spitalit të fëmijëve dhe maternitetit në Mariupol. Presidenti Volodymyr Zelenski ka thënë se "fëmijët janë nën rrënoja".

17: 25 I Zelenskyy akuzon forcat ruse për goditje të spitalit në Mariupol

Presidenti i Ukrainës ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e një “sulmi të drejtpërdrejtë” në një kompleks spitalor në Mariupol, pjesë e së cilit është edhe materniteti dhe pediatria.

"Njerëz, fëmijë janë nën rrënojat," shkroi Zelenskyy në Twitter, duke e quajtur "mizori" sulmin rus.

Ai ka kërkuar që të shpallet zona e ndalim fluturimit dhe të ndalen vrasjet. “Edhe sa kohë do të jetë bota një bashkëpunëtore, duke injoruar terrorin rus? Mbylleni qiellin tani! Ndaloni vrasjet! Ju keni fuqi, por duket se po e humbni humanizmin”, shtoi ai.

16:11 I Alarm për rrezikun nga rrezatimi pas ndaljes së energjisë në centralin e Çernobilit

Ukraina i bëri thirrje Rusisë për një armëpushim të përkohshëm të mërkurën për të lejuar riparimet e një linje energjetike në termocentralin bërthamor të Çernobilit, duke paralajmëruar se mund të ketë një rrjedhje rrezatimi nëse vazhdon ndërprerja e energjisë elektrike.

Presidenti, Volodymyr Zelensky  ka bërë gjithashtu thirrje për një armëpushim të menjëhershëm rreth termocentralit bërthamor duke thënë ndërprerja e energjisë elektrikë përbën një rrezik të lartë për këtë central.

Megjithatë mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), deklaroi sot se rrethimi i centralit "shkel shtyllën kryesore të sigurisë",  por nuk ka rrezik për përhapje të rrezatimit.

15:16 I BE- shton 160 ligjvënës dhe oligarkë rusë në listën e zezë të sanksioneve

Bashkimi Evropian po vazhdon të rrit sanksionet ndaj veprimeve të Moskës në Ukrainë, duke pasur për cak më shumë ligjvënës dhe oligarkë rusë, si dhe bankat  më të mëdha në Bjellorusi , vendit aleat të Rusisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se blloku 27-vendesh po fut në listën e zezë 160 individë të tjerë, duke ndaluar eksportet e teknologjisë dhe  lundrimit në Rusi, duke përfshirë nën masat ndëshkuese edhe asetet e tyre të  kriptovalutave.

15.07 I Zelenskyy i kërkon sërish Perëndimit ta shpallë Ukrainën zonë të ndalim- fluturimit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka përsëritur thirrjen për aleatët e Kievit për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke paralajmëruar se nëse nuk vendoset kjo vendi i tij do të përballet  me një  "katastrofë humanitare".

Zelensky  ka bërë gjithashtu thirrje për një armëpushim të menjëhershëm rreth termocentralit bërthamor, Çernobili në kohën kur në këtë zonë është ndërprerë energjia elektrikë që është përbën një rrezik të lartë për këtë central.

Ai ka thënë se Ukraina po përpiqet të evakuojë civilët përmes gjashtë korridoreve humanitare, përfshirë edhe  kalimet nga qyteti port juglindor, Mariupol, i rrethuar nga forcat ruse.

Rusia zotohet të respektojë një "regjim heshtjeje" në mënyrë që të lejojë njerëzit të ikin drejt zonave më të sigurta.

 

13. 34 I Erdogan shpreson për armëpushim në Ukrainë

Presidenti i Turqisë Regep Tayp Erdogan ka ofruar të ndërmjetësojë krizën  për disa javë krizën në Ukrainë.

Për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë janë  pajtuar të takohen për bisedime, të cila pritet të  zhvillohen të enjten në Turqi.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se shpreson se takimi në resortin jugor të Antalias do të "hapë derën për një armëpushim të përhershëm".

BBC raporton se nuk është e qartë se çfarë shansi do të ketë ky takim për përparim, pasi presidenti rus ka thënë se do të vazhdojë planin e tij qoftë përmes negociatave apo veprimeve ushtarake.

Turqia është anëtare e NATO-s, por presidenti i saj është përpjekur të mbajë një qëndrim të ndryshëm nga vendet perëndimore për agresionin rus. Ai tha se Turqia nuk e pranon atë që po ndodhte në Ukrainë.


13:14 I Polonia e gatshme për të dërguar avionë në Ukrainë, jo edhe Gjermania

Pasi Shtetet e Shkuara të Amerikës refuzuan propozimin e Polonisë  për të dërguar ndihmë ajrore ushtarake në Ukrainë, qeveria në Varshavë vendosi të dërgojë avionë luftarakë në ndihmë forcave ajrore ukrainase

SHBA tha se oferta e Polonisë për të dërguar avionët e saj luftarakë MiG-29 në Ukrainë, përmes bazës ajrore amerikane në Gjermani, ngrit "shqetësime serioze" për të gjithë strukturën e aleancës së NATO-s.

Sipas një njoftimi të Pentagonit propozimi i Polonisë ngrit "shqetësime serioze" për të gjithë strukturën e aleancës së NATO-s.

Gjermania  gjitrhashtu ka njoftuar sot  se nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë, pasi SHBA refuzoi ofertën e Polonisë për të dërguar  avionët e saj MiG-29 të prodhimit rus në Ukrainë CNN raporton se Qeveria në Poloni bëri një ofertë surprizë të martën mes thirrjeve të përsëritura nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy për më shumë avionë luftarakë për të mbështetur forcat ajrore të vendit të tij, ndërsa mbrohet kundër forcave pushtuese ruse.

13:00  |  Moska synon “Ukrainën neutrale”

Moska do ta arrijë qëllimin e saj për të siguruar një Ukrainë neutrale, por do të preferonte që këtë ta bëjë përmes bisedimeve, sesa përmes konfliktit, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.

Maria Zakharova u tha gazetarëve se “është bërë progress” gjatë tri rundeve të negociatave me zyrtarët ukrainas.

Ajo tha se qëllimi i Kremlinit nuk është që ta rrëzojë qeverinë në Kiev dhe shtoi se operacionet ushtarake në Rusi po vazhdojnë ashtu siç i kanë planifikuar.

12:39  |  Në cilat vende ka armëpushim në Ukrainë?

Autorietet ukrinase njoftojnë se forcat ruse janë pajtuar për një armëpushim 12 orësh në 6 lokacione - të cilat janë ndikuar rëndë nga luftimet – për t’u mundësuar civilëve që të ikin nga lufta.

Zv/kryeministrja Iryna Vereshchuk tha se Moska është pajtuar që ta respektojë armëpushimin nga ora 09:00 deri në 21:00 në gjashtë zona.

Ajo tha se korridoret humanitare do të jenë të hapura nga:

  • Nga Mariupol për në Zaporizhzhia
  • Nga Enerhodar për në Zaporizhzhia
  • Nga Sumy për në Poltava
  • Nga Izyum për në Lozova
  • Nga Volnovakha për në Pokrovsk in Donetsk
  • Dhe nga disa qytete të Kievit - Vorzel, Borodyanka, Bucha, Irpin dhe Hostomel – për në kryeqytet

Njoftohet se të martën janë evakuuar nga Sumy rreth 7,000 njerëz.

12:10  |  BE po bën gati sanksione të reja

Qeveritë e Bashkimit Evropian po bëjnë gati një rund të ri sanksionesh që lidhen me udhëtime dhe ngrirje të aseteve për rreth 100 shtetas rusë, pas ofensivës së Moskës, ka njoftuar shefi i BE-së për Politikë të Jashme, Josep Borrell.

“Shtetet anëtare po punojnë në një paketë sanksionesh, që kanë në fokus rreth 100 njerëz që janë përgjegjës në nivele të ndryshme të qeverisë,” i ka thënë Borrell Parlamentit Evropian në Strasburg.

Ai tha se shpreson për një marrëveshje më vonë gjatë ditës, duke mos dhënë më shumë hollësi.

12:00  |  Ukraina ndalon eksportin e grurit, sheqerit dhe mishit

Qeveria e Ukrainës do të ndalojë eksportin e mallrave bazike bujqësore, përfshirë grurin, misrin, kripën dhe mishin, sipas një rezolute të kabinetit qeveritar, që ka kaluar të martën.

“Kjo nënkupton një ndalesë ‘de facto’ të eksportit”, thuhet në deklaratë.

Ministri ukrainas i Bujqësisë, Roman Leshchenko tha se këta hapa janë ndërmarrë për të “parandaluar një krizë humanitare në Ukrainë” dhe “janë të nevojshëm për të përmbushur nevojat e popullsisë sa i përket artikujve bazik ushqimor”.

Ukraina është një prej furnizuesve më të mëdhenj në Evropë sa i përket produkteve bujqësore, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Rusia dhe Ukraina janë përgjegjëse për pothuajse 30% të eksporteve globale të grurit, sipas Gro Intelligence.

11:27  |  Në Mariupol ka mungesë ushqimesh

Një deputet ukrainas i ka thënë BBC-së se autoritetet lokale në qytetin e Mariupolit e kanë njoftuar se qyteti ka vetëm edhe 3 ditë furnizime me ushqime, përpara se të fillojë uria.

“Tani jemi në një situatë kur civilët dhe qytetet paqësore po bëhen rrafsh me tokë”, ka thënë Dmytro Gurin. ‘Prindërit e mi jetojnë në distriktin lindor të Mariupolit; nuk ka infrastrukturë ushtarake në këtë zonë dhe kurrë s’ka pasë”.

Ai u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që ta kuptojnë se “Lufta e Tretë Botërore veçse ka nisur” dhe i ka bërë thirrje SHBA-së që ta lejojë Poloninë që ta pajisë Forcën Ajrore Ukrainase me aeroplanë luftarakë MiG-29.

11:14  |  Civilët po ikin nga Sumy me vetura private

Kryetari i qytetit Sumy tha se civilët kanë filluar të ikin nga qyteti verlindor i Ukrainës me veturat e tyre private, pasi është siguruar “korridori humanitar”, për të dytën ditë me radhë.

Deklarata e Oleksandr Lysenkos vjen në kohën kur rreth 5 mijë njerëz janë evakuuar nga Sumy që nga dita e djeshme, pasi Rusia u pajtua për hapjen e korridoreve dhe ndaljen e ofansivës.

11:03  |  Britania e Madhe me numër të vogël të refugjatëve

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps ka mohuar se Britania e Madhe po qëndron mbrapa disa shteteve evropiane kur bëhet fjalë për pranimin e refugjatëve nga Ukraina.

Ai i ka thënë BBC-së se 760 refugjatë ukrainasë kanë arritur deri më tani në Britani të Madhe, duke mbetur mbrapa vendeve fqinje, përfshirë Irlandën, e cila ka pranuar mbi 2,000 refugjatë që nga fillimi i krizës.

Ai ka argumentuar duke thënë se Britania “duhet ta dijë se kush po hyn në vend”.

Shapps shtoi se mbi 200 mijë njerëz kanë të drejtë që të hyjnë në Britani, sipas një skeme familjare e cila u mundëson ukrainasve që të bashkohen me familjarët e tyre.

10:45  |  Punëtorët e Çernobilit “në punë pa pushim”

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore u ka bërë thirrje forcave ruse, të cilat po e kontrollojnë centralin bërthamor të Çernobilit, që t’u japin pushim stafit që po punojnë pa ndërprerje.

Përmes një deklarate, Rafael Grossi tha se autoritetet ukrainase e kanë njoftuar se grupi i njejtë prej 210 punëtorëve, ka qenë në punë pa pushim për 2 javë me radhë.

Punëtorët, tha ai, duhet të lejohen të pushojnë dhe të kenë ndërrime, duke theksuar se kjo është shumë e rëndësishme për sigurinë bërthamore në tërësi.

Ushtarët rusë hynë në këtë central më 24 shkurt, vetëm disa orë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës.

10:15  |  Ukraina bën përpjekje t’i largojë civilët nga Mariupoli

Ukraina do të bëjë përpjekje që t’i largojë civilët përmes gjashtë “korridoreve humanitare”, përfshirë qytetin e rrethuar të Mariupolit, ka thënë zv/kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

Përmes një video-mesazhi, ajo tha se forcat ukrainase janë pajtuar që t’i ndalin bombardimet në ato zona nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes.

Ato kanë kërkuar nga forcat ruse që ta mbajnë premtimin për armëpushim lokal.

10:00  |  “Mbrojtja ajrore e Ukrainës” ka shënuar sukses

Qeveria britanike ka thënë se mbrojtja ajrore e Ukrainës ka shënuar “një sukses të konsiderueshëm” kundër aeroplanëve rusë.

Kjo me gjasë ka parandaluar Moskën që të arrijë “çfarëdo kontrolli në ajër”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.

Kjo ministri po ashtu ka thënë se forcat ruse kanë vazhduar të kenë vështirësi në fushatën për Kievin dhe kanë dështuar në drejtim të marrjes së kryeqytetit.

09:30  |  Kompani të njohura amerikane ndalojnë shitjet në Rusi

McDonald's, PepsiCo, Coca-Cola dhe Starbucks kanë ndaluar shitjet e produkteve të tyre në Rusi.

Kompanitë e njohura amerikane iu bashkuan veprimeve të qeverisë amerikane për të sanksionuar Rusinë, për shkak të invazionit rus në Ukrainë.

Këto kompani janë të njohura ndërkombëtarisht për produktet e tyre dhe e definojnë Amerikën.

McDonald’s ka mbyllur 847 restorane, por tha se do të vazhdojë të paguajë pagat për 62 mijë punëtorë në Rusi.

Starbucks gjithashtu ka vendosur shenjën “të mbyllur” në qindra lokale të saj, përderisa Pepsi dhe Coca-Cola kanë ndërmarrë një sërë pezullimesh. Pepsi tha se do të vazhdojë të shesë në Rusi vetëm produktet bazike, sikurse qumshti dhe ushqimi për bebe.

Këto kompani i janë bashkuar brendeve të njohura globale si Adidas, Estee Lauder dhe Calvin Klein, bashkë me gjigantët e energjisë, si Shell, BP dhe Exxon Mobil, të cilat kanë dënuar veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë.

Reuters raporton për këtë temë:

 

Evakuimet pritet të vazhdojnë edhe të mërkurën

Mijëra banorë ukrainasë nga qyteti verilindor i Ukrainës, Sumy, u evakuuan me sukses, pasi Rusia ra dakord të ndalonte sulmet dhe u hapën korridoret e evakuimit.

Evakuimet filluan të martën në mëngjes, me autobusë që u nisën drejt qytetit të Poltavas, më në jug dhe larg vijave të frontit.

Rreth 5,000 njerëz dhe më shumë se 1,000 automjete private "janë tashmë në siguri", tha Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky.

Rusia tha se është e gatshme të sigurojë korridore humanitare të mërkurën për njerëzit që ikin nga Kievi dhe katër qytete të tjera të Ukrainës, pasi numri i refugjatëve të krijuar nga sulmi më i madh në një vend evropian që nga Lufta e Dytë Botërore ka tejkaluar 2 milionë.

Mikhail Mizintsev, kreu i Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë, u citua të ketë thënë nga agjencia e lajmeve Tass se forcat ruse do të "respektojnë një armëpushim" nga ora 10 e mëngjesit me kohën e Moskës, për të siguruar kalim të sigurt për civilët që dëshirojnë të largohen nga Kievi , Chernihivi, Sumy, Kharkivi dhe Mariupoli.

Ishte e paqartë nëse rrugët e propozuara do të kalojnë përmes Rusisë apo Bjellorusisë, kushte të kundërshtuara më parë nga qeveria ukrainase.

Ndërkohë,  SHBA ka hedhur poshtë ofertën e Polonisë për të dërguar të gjithë aeroplanët e saj luftarakë Mig-29 të prodhimit sovjetik në Ukrainë, nëpërmjet një baze ajrore amerikane në Gjermani.

Por, SHBA ndaloi importet e naftës ruse, në një hap të ri të madh në përpjekjet e udhëhequra nga Perëndimi për të ndalur luftën, duke dëmtuar ekonominë ruse, duke shkaktuar një rritje të mëtejshme të çmimit të naftës.  Çmimet janë rritur më shumë se 30% që kur Rusia - eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës së papërpunuar - pushtoi fqinjin e saj më 24 shkurt.

Pavarësisht nga perspektiva e faturave më të larta shtëpiake, presidenti i SHBA-së,  Joe Biden tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin duhej të përballej me pasojat për sulmin.

"Populli amerikan do t'i japë një goditje tjetër të fuqishme makinës së luftës së Putinit," tha ai.

Britania tha se do të heqë gradualisht importin e naftës dhe produkteve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022, ndërsa Bashkimi Evropian publikoi planet për të shkurtuar varësinë e saj nga gazi rus me dy të tretat këtë vit.