Kompani të njohura amerikane ndalojnë shitjet në Rusi
McDonald`s, PepsiCo, Coca-Cola dhe Starbucks kanë ndaluar shitjet e produkteve të tyre në Rusi.
Kompanitë e njohura amerikane iu bashkuan veprimeve të qeverisë amerikane për të sanksionuar Rusinë, për shkak të invazionit rus në Ukrainë.
Këto kompani janë të njohura ndërkombëtarisht për produktet e tyre dhe e definojnë Amerikën.
McDonald’s ka mbyllur 847 restorane, por tha se do të vazhdojë të paguajë pagat për 62 mijë punëtorë në Rusi.
Starbucks gjithashtu ka vendosur shenjën “të mbyllur” në qindra lokale të saj, përderisa Pepsi dhe Coca-Cola kanë ndërmarrë një sërë pezullimesh. Pepsi tha se do të vazhdojë të shesë në Rusi vetëm produktet bazike, sikurse qumshti dhe ushqimi për bebe.
Këto kompani i janë bashkuar brendeve të njohura globale si Adidas, Estee Lauder dhe Calvin Klein, bashkë me gjigantët e energjisë, si Shell, BP dhe Exxon Mobil, të cilat kanë dënuar veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë.























