Drama e refugjatëve ukrainas
Drama e refugjatëve ukrainas pas bombardimeve ruse nuk ka të ndalur, pasi numri i tyre në vendet fqinje ka arritur në mbi dy milionë.
Përgatiti: Dardan Ramabaja
Në vendkalimin Medyka, më i ngarkuari i Polonisë, përgjatë kufirit të saj rreth 500 kilometra me Ukrainën, refugjatët po kërkojnë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë – diçka që fuqitë e NATO-s e kanë përjashtuar deri më tani, me arsyetimin se do të rrezikonte përshkallëzimin e konfliktit.
"Unë mendoj se ndihma e vendeve të tjera është shumë e rëndësishme për ne, me të vërtetë. Por, ne vërtet duam që NATO të mbyllë qiellin e Ukrainës, sepse Rusia po vret fëmijët dhe prindërit tanë" , thotë Anastasia Lukashenko, refugjate nga Ukraina.
Polonia, komuniteti ukrainas i së cilës prej rreth 1 milion është më i madhi në rajon, ka pranuar po aq refugjatë ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
VOX- Olha- Rrefugjate Ukrainase :
"Nuk doja të nderroja vendin tim, të largohesha nga vendi im, sepse kemi një familje të lumtur dhe një jetë të lumtur. Tani familja jonë është ndarë dhe gjithashtu shpresoj që gjithçka të jetë në rregull, por nuk kam nga ta di'', thotë Olha, një refugjate nga Ukraina.
Me burrat e moshës së rekrutimit të detyruar të qëndrojnë në Ukrainë dhe të ndihmojnë në mbrojtje, janë kryesisht gratë dhe fëmijët që po kalojnë kufirin.
"Në fakt shumë më shumë njerëz kanë vdekur. Nuk e besoj se numri është kaq i vogël, mendoj se më shumë njerëz janë duke vdekur sesa po thuhet", thotë refugjatja Julia Moncham.
Autoritetet dhe vullnetarët në të gjithë Evropën Qendrore kanë ngritur tenda për të ofruar ndihmë mjekësore dhe për të përpunuar letrat e azilit në kufij, përpara se të ndihmonin ukrainasit të gjejnë punë dhe strehim në qytete më të mëdha.
Zyrtarët thonë se shumë nga refugjatët që kanë mbërritur deri më tani kishin miq dhe vende ku të shkonin, por ata shqetësohen se valët e mëtejshme të refugjatëve do të kishin nevojë për më shumë ndihmë.
Me forcat ruse që shtuan sulmet e tyre në qytetet ukrainase, disa refugjatë thanë se janë mirënjohës për mbështetjen që po marrin, por ata do të donin që fuqitë e huaja të bënin më shumë.























