Agresioni rus në Ukrainë - Dita 16
BKT
   Ukraina

Agresioni rus në Ukrainë - Dita 16

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur nga Rusia për të diskutuar pretendimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatisin laboratorë të armëve biologjike, në Ukrainë ,ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya i tha Këshillit të Sigurimit se Rusia po kryen mizori.

19:34 I Ukraina akuzon Rusinë se po godet qëllimisht zonat e banuara

Sergiy Kyslytsya, ambasadori i Ukrainës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka akuzuar Rusinë se qëllimisht po godet caqet civile duke vrarë civilët në zonat e banuara të Ukrainës.

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur nga Rusia për të diskutuar pretendimet se  Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatisin laboratorë të armëve biologjike Sergiy Kyslytsya i tha Këshillit të Sigurimit se Rusia po kryen mizori.

 “Një hartë që trupat ukrainase e morën nga robërit rusë të luftës konfirmon se bombardimet e zonave të banuara ishin planifikuar paraprakisht. Pilotët rusë të zënë rob kanë në konferencën e sotme për shtyp në Kiev kanë rikonfirmuar se kanë bombarduar qëllimisht zonat e banuara”, ka thënë Kyslytsya .

18:03 I Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton akuzat ruse për armë biologjike

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara  mblidhet me kërkesë të Rusisë, për të diskutuar pretendimet e Moskës, të paraqitura pa prova, për "aktivitetet biologjike" të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ukrainë.

Uashingtoni ka mohuar pretendimet e Moskës se Shtete e Bashkuara të Amerikës se po  ndërtojnë laboratorë të luftës biologjike në Ukrainë, duke i quajtur "qeshrake" akuzat dhe duke paralajmëruar se Kremlini mund të jetë duke hedhur bazat për të përdorur armë kimike ose biologjike.

Sekretari gjeneral, Antonio Guterres ka thënë se nuk do ta lejojnë Këshillin e Sigurimit të OKB-së të bëhet “një vend për të promovuar dezinformimin e tyre".

17: 52 I Gjykata Penal Ndërkombëtare hap portal për mbledhjen e provave për krime lufte në Ukrainë

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan ka njoftuar se është hapur një portal në internet për të mbledhur prova të krimeve të luftës në Ukrainë.

Khan në një deklaratë me shkrim ka theksuar se "po ndjek nga afër zhvillimet thellësisht shqetësuese në Ukarinë ", duke u bërë thirrje luftëtarëve në fushëbeteja që të respektojnë ligjet e luftës.

Sipas tij shqetësimet rriten pas raporteve për sulmet ruse në civilë përfshirë edhe sulmin vdekjeprurës në një maternitet në Mariupol dhe spitalin psikiatrik.

17:28 I BE brenda 5 vitesh do të heq varësinë nga nafta dhe gazi rus

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë sot se liderët e Bashkimit Evropian  ranë dakord që në dy muajt e ardhshëm, të hartojnë propozimet për eliminimin e varësisë së bllokut nga importet ruse të energjisë deri në vitin 2027.

"Nga mesi i majit ne do të dalim me një propozim për të hequr varësinë nga gazi, nafta dhe qymyri rus dhe  për t’u mbështetur në burimet e kombëtare e evropiane," tha Von der Leyen. 

Pas një samiti urgjent të liderëve të BE-së të thirrur për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë, von der Leyen ka njoftuar gjithashtu se BE të shpejti do të njoftojë paketën e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë.

Bashkimi Evropian ka premtuar të reduktojë furnizimet me energji edhe më herët, veçanërisht në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina, por deri më tani është bërë pak përparim, sidomos për shkak të refuzimit të Gjermanisë.

16:42 I Presidenti amerikan Biden vendos sanksione  të reja ndaj Rusisë

Sanksionet e reja të presidentit,  Joe Biden njoftoi një varg sanksionesh ndaj Rusisë përfshi edhe anulimin e statusit të përhershëm tregtar të Rusisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një fjalim Shtëpia e Bardhë njoftoi se ndalimin e ushqimeve të detit, vodkës dhe diamanteve ruse,në një ashpërsim tjetër  të sanksioneve kundër Kremlinit.

Ai gjithashtu njoftoi se së bashku me grupin e shtatë vendeve më të industrializuara ( G7) dhe Bashkimin Evropian, njoftoi  revokimin e statusit të Rusisë si "vendi i favorizuar" në  marrëdhëniet e përhershme normale tregtare në SHBA.

16:31 I Perëndimi konfirmon vrasjen e gjeneralmajorit rus

Zyrtarët perëndimorë kanë konfirmuar se një gjeneral major rus, i treti me radhë në hierarkinë ushtarake, është vrarë në Ukrainë, duke shtuar ai ishte nga një distrikt ushtarak lindor i Rusisë.

BBC raporton se ndonëse zyrtarët nuk e përmendën emrin e gjeneralit, më herët ushtria e Ukrainës tha se është vrarë  gjeneralmajori Andrei Kolesnikov, komandanti ushtarak i distriktit 29  lindor të Rusisë.

Analistët ushtarakë thonë se prania e figurave të larta ushtarake në fushëbetejës është shenjë se operacionet ruse nuk do të planifikohen.

15:59 I Zelenskyy bënë thirrje për sanksione më të mëdha kundër Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se nëse Rusia vazhdon ofensivën e bombardimeve, atëherë sanksionet aktuale t të  Bashkimit Evropian kundër Rusisë "duhet të jenë më të forta".

Në një video nga rrugët e Kievit, Zelensky ka theksuar se sanksionet që janë vendosur deri më tani  "nuk janë të mjaftueshme".

Duke iu referuar takimit të së enjtes të liderëve të BE-së në Versajë, Zelensky gjithashtu ka thënë se Ukraina i njeh liderët "që e mbështetën" dhe ata "që heshtën ... dhe u përpoqën të zbutin formulimin për ta bërë atë të pamjaftueshëm për Ukrainën, për Evropën dhelirinë e përbashkët".

"Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë  për Ukrainën dhe për veten .Jemi duke pritur", ka thënë ai

15:49 I Harris në Rumani e quan "të hekurt" angazhimin amerikan në NATO

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris e quajti "të hekurt" angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e NATO-s. Duke folur gjatë një vizite në Bukuresht, skajin lindor të aleancës, Harris ka thënë se Shtëpia e Bardhë po e merr shumë seriozisht rolin e saj në marrëdhëniet brenda aleancës së NATO-s.

Harris tha se Putin nuk është i interesuar për "diplomaci serioze"

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rumun, Klaus Iohanni, Harris përseriti se SHBA është e përgatitur të veprojë sipas zotimeve që ka dhënë.” Ne jemi të vendosur në zotimin tonë. Kur themi se një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve. Presidenti Joe Biden ka bërë të qartë kur ka thënë: "Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s", ka thënë Harris.

15:38 I Ukraina thotë se avionët rus qëlluan në Bjellorusi nga hapësira ajrore ukrainase

Forcat ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se avionët rusë kanë qëlluar në mesditë në një vendbanim  në Bjellorusi pranë kufirit me Ukrainën. Sipas një deklaratë të ushtrisë së Ukrainës sulmet janë kryer  nga hapësira ajrore ukrainase në përpjekje për të nxitur në luftë Bjellorusinë.

“Ky është një provokim! Qëllimi është që kjo të nxis reagimin e Minskut dhe të përfshijë në luftë  në luftën në Ukrainë, e Forcat e Armatosura të Bjellorusisë ”, thuhet në deklaratën Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës.

15:30 I Këshilltari presidencial ukrainas, thotë se kanë ngecur forcat ruse

Këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych  ka thënë sot në një konferencë shtypi se forcat e armatosura ruse, në 24 orët e fundit, nuk kanë bërë asnjë përparim në Ukrainë.

"Kundërshtari ynë është ndalur praktikisht në çdo drejtim nga sulmet ajrore, raketat dhe sulmet tokësore ukrainase”, ka thënë Arestovych.

Ai shtoi se forcat e armatosura të Ukrainës kanë  kryer sulme pranë qyteteve Kiev dhe Kharkiv.
15:19 I Centrali i Çernobilit ende pa furnizim me energji

Inspektorati Shtetëror Bërthamor i Ukrainës  ka njoftuar sot se furnizimi me energji elektrike në centralin bërthamor të Çernobilit nuk është rikthyer ende, pavarësisht se ministria ruse e energjisë pretendoi të enjten se specialistët bjellorusë e kishin furnizimin.

Autoritet në Ukrainë paralajmëruan se ka rrezik në rritje për rrjedhjeje  rrezatimit në central, pasi gjatë luftimeve mes forcave ruse e ukrainase u godit një kabllo e tensionit të lartë duke ndërprerë furnizimi i saj i jashtëm me energji elektrike.

Ky është një rrezik tjetër për centralin  që pësoi aksidentin më të rëndë bërthamor në botë në vitin 1986.

Zyrtarët gjithashtu kanë njoftuar brenda centralit bërthamor është ndërprerë edhe furnizim i rregullte me ujë.

15:01I OKB thotë se të paktën 564 civilë janë vrarë në Ukrainë

Zyra e Komisionarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se deri më tani është konfirmuar vrasja e 564 civilëve, përfshirë edhe  41 fëmijë, duke shtuar se numri real besohet të jetë dukshëm më i lartë, pasi nuk mundur të vërtetojë raportet nga zonat ku po vazhdojnë  luftime intensive.

“Civilët po vriten dhe gjymtohen në sulme pa dallim, pasi forcat ruse po përdorin raketa, predha artilerie të rënda dhe raketa, si dhe sulme ajrore me efekt të gjerë afër zonave të populluara”, thuhet në deklaratën e OHCHR.

 


14:31 I Rusia mund ta merr Odesën nga tri anët, paralajmëron kreu i qytetit

Kryebashkiaku i qytetit, Odesa në Ukrainë, Gennadiy Trukhanov ka paralajmëruar se forcat ruse së shpejti mund të rrethojnë në tri fronte këtë vend, gjë që mund ta shkëpus qytetin port në Detin e Zi, nga pjesa tjetër e Ukrainës.

Trukhanov njoftoi gjithashtu se forcat ruse do të përpiqen të marrin Odesën përmes territoreve që ata kanë pushtuar në rajonin e Mykolaiv për të lëvizur drejt rajonit, Transdniestri, të kontrolluar nga separatistët e Moldavisë, ku tashmë janë vendosur trupat ruse.

14:10 I Imazhet satelitore tregojnë shpërndarjen dhe ripozicionimin e autokolonës ruse 

Imazhet e reja satelitore tregojnë se karvani rus i gjatë prej mbi 64 kilometrash që po lëvizte drejt Kievit është shpërndarë kryesisht në zona të banuara, përderisa po vazhdon beteja për kryeqytetin.

CNN raporton se imazhet e reja satelitore të marra të enjten nga Maxar Technologies tregojnë se autokolona ushtarake ruse në veriperëndim të Kievit është "shpërndarë dhe ripozicionuar nëpër pyje e vendbanime afër zonës  Lubyanka, 17 kilometra në veriperëndim të Kievit”.

Në veri të bazës ajrore Antonov në Hostomel të Ukrainë, automjetet ushtarake ruse shihen në rrugë në zonat e banuara në qytetin Ozera, afër Kievit.

13:56 I Zelenskyy thotë se Ukraina është në rrugën e fitores

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy  ka thënë sot se Ukraina ka arritur një pikë kthese strategjike në luftën e saj me Rusinë dhe do arrij ta përballojë ofensivën e Moskës.

Por lideri ukrainas paralajmëroi se ende nuk është e mundur të thuhet se sa do të vazhdojnë luftimet.

“Është e pamundur të thuhet se sa ditë kemi ende përpara, për të çliruar tokën tonë. Por mund të themi se do ta bëjmë. Sepse ne kemi arritur tashmë një pikë kthese strategjike, "ka thënë sot Zelenskyy ai në një fjalim televiziv.

13:43 I Presidenti rus Vladimir Putin thotë se ka zhvillime "pozitive" në negociatat me Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin ka takuar në Moskë, presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko - një aleat kryesor rus në këtë rajon dhe citohet t’i ketë thënë se “ka disa ndryshime pozitive në bisedimet me Ukrainën”.

Një takim me udhëheqësin bjellorus, Putin  ka folur gjithashtu për çështjen e sanksioneve kundër Rusisë, duke pohuar se ato mund të kenë një efekt pozitiv në vend.

"Janë kohë mundësish për të ecur drejt forcimit të sovranitetit tonë ekonomik e teknologjik," tha ai.

Tri  raunde negociatash në Bjellorusi dhe një takimi të ministrave të jashtëm në Turqi, për armëpushim dhe korridore humanitare për civilët deri më tani nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat.

13:11 I  Presidenti i Finlandës do të flasë sot me presidentin rus Putin

Presidenti finlandez, Sauli Niinistö ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymr Zelensky për situatën e luftës në Ukrainë dhe pritet të flasë edhe me presidentin rus Vladimir Putin.

BBC citon një deklaratë të qeverisë finlandeze ku thuhet se presidentët diskutuan situatën e luftës në Ukrainë dhe ndihmën e Finlandës për Ukrainën. “Temë e veçantë ishte nevoja për të siguruar një evakuim të sigurt të civilëve përmes korridoreve humanitare dhe siguria e objekteve bërthamore”.

Ndërsa biseda e presidentit, Niinistö me presidentin Putin është planifikuar për mbrëmjen e së premtes.

Finlanda që nuk është anëtare e NATO-s, është një nga vendet fqinje me Rusinë dhe të dy vendet kanë pasur prej kohësh një marrëdhënie neutrale.

12:45 | Rusia: Gjithçka po shkon sipas planit

Ministri rus i Mbrojtjes ka thënë se pushtimi i Ukrainës po realizohet me sukses, pavarësisht pretendimeve të Perëndimit se ushtria ruse po përballet me vështirësi të paplanifikuara.

“Gjithçka po shkon sipas planit, ne po raportojmë para jush çdo ditë të javës”, i ka thënë Sergei Shoigu presidentit rus, Vladimir Putin, në mbledhjen e Këshillit rus të Sigurisë, që është transmetuar të premten.

Shoigu gjithashtu tha se ushtria ruse ka pranuar rreth 16 mijë aplikime nga vullnetarët nga Lindja e Mesme, për t’iu bashkuar luftës së Rusisë në Ukrainë.

12: 32 | Nuk ka viktima në spitalin psikiatrik

Nuk ka viktima nga një sulm i pretenduar rus në një spital psikiatrik në rajonin e Kharkivit, ka njoftuar Shërbimi Shtetëror i Emergjencave.

“I gjithë stafi prej 30 personash dhe 330 pacientëve ishin në një strehimore në kohën e sulmit”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit Shtetëror të Emergjencave.

12:23 | BE synon dyfishim të përkrahjes financiare për ushtrinë ukrainase

Liderët e Bashkimit Evropian do të votojnë të premten për dyfishim të përkrahjes financiare të bllokut për Forcat e Armatosura të Ukrainës, ka thënë shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Ai ka folur për media në ditën e dytë të Samitit të liderëve të BE-së në Versajë të Francës.

Nëse aprovohet nga liderët, shuma financiare e bllokut për ushtrinë e Ukrainës do të arrijë në 1 miliard dollarë.

Borrell tha se është i sigurt që Këshillit i BE-së do ta konfirmojë këtë propozim.

12:02 | Evropa me plane për t’u tërhequr nga energjia ruse

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paraqitur planet për t’u larguar nga varësia e BE-së në energjinë ruse deri në vitin 2027. Këto janë prezentuar në samitin e Versajës.

Kjo është një datë më e hershme e më specifike sesa ajo që ishte prezentuar nga Komisioni të martën, kur zhvilluan bisedime për largim nga karburantet ruse “para 2030”.

Një “deklaratë e Versajës” pritet të prezentohet më vonë, e cila me gjasë do të përfshijë konkluzionet për energjinë, mbrojtjen dhe ekonominë.

Brenda natës, liderët lëshuan një deklaratë të ndarë për mbështetje të Ukrainës, ku përfshihen edhe aspiratat e saj për anëtarësim në bllok.

11:45 | Kryetari i Kharkivit: Qyteti po bombardohet vazhdimisht

Kryetari i Kharkivit, qytetit verilindor të Ukrainës, thotë se ky qytet po bombardohet vazhdimisht nga forcat ruse.

Në një intervistë televizive, Ihor Terekhov tha se të paktën 48 shkolla në Kharkiv janë shkatërruar si pasojë e sulmeve.

Gjithashtu raportohet se forcat ruse kanë bombarduar zonat e banimit; madje një ditë, 89 herë radhazi.

11:32 | Goditet një spital psikiatrik në Ukrainë

Forcat ruse kanë goditur një spital psikiatrik në afërsi të qytetit ukrainas Izyum, kanë njoftuar zyrtarët rajonal, të cilët e kanë përshkruar sulmin si “krim lufte”.

Oleh Synegubov, guvernator i rajonit të Kharkivit, tha se 330 njerëz gjindeshin në spital, në kohën e sulmit.

Ai tha se 73 njerëz janë evakuuar dhe se ende nuk dihet nëse ka të vrarë apo plagosur.

“Ky është krim lufte kundër civilëve”, ka thënë ai.

11:10 | Numri i refugjatëve ukrainas arrinë në 2.5 milionë

Kriza me refugjatë po rritet nga dita në ditë. Sipas komisionerit të Lartë për Refugjatë, Filippo Grandi, numri i refugjatëve ukrainas ka arritur në 2.5 milionë.

Prej tyre, 116 mijë janë shtetas të vendeve të treta, njofton agjencia e lajmeve AFP.

Rreth 2 milionë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës.

The number of refugees from Ukraine — tragically — has reached today 2.5 million.

We also estimate that about two million people are displaced inside Ukraine.

Millions forced to leave their homes by this senseless war.

— Filippo Grandi (@FilippoGrandi) March 11, 2022

10:55  | Ukraina shpreson në rihapjen e korridorit nga Mariupoli

Ukraina shpreson që një korridor humanitar të rihapet nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, thotë zv/kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

Këtë javë në vazhdimësi kanë dështuar përpjekjet për të ofruar rrugë të sigurta për largimin e banorëve nga Mariupoli, për shkak të vazhdimit të bombardimeve nga forcat ruse.

Qeveria ukrainase ka akuzuar forcat ruse për shkelje të armëpushimit të përkohëshëm, për t’u mundësuar banorëve evakuimin.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se përpjekjet për të dërguar ushqim, ujë dhe barna në qytet kanë dështuar gjithashtu, pasi tanket ruse kanë sulmuar konvojin humanitar.

Agjencitë e ndihmave thonë se njerëzit e ngujuar në Mariupol po përballen me kushte “apokaliptike”.

10:37 : Më shumë civilë të vrarë sesa ushtarë

Forcat ruse kanë vrarë më shumë civilë ukrainas sesa ushtarë, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ka thënë ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov.

“Dua që kjo të dëgjohet jo vetëm në Kiev, por në mbarë botën”, ka thënë ai.

Komentet e tij vijnë në kohën kur sulmet ruse në Ukrainë po zgjerohen, duke shtuar sulmet në qytete gjithandej vendit.

10:26 | Zhovkva: “Ukraina e hapur për neutralitetin e saj nëse refuzohet nga NATO”

Në një intervistë për televizionin amerikan CNN, zv/presidenti ukrainas ka thënë se Ukraina është e hapur për neutralitetin e vet nëse NATO-ja nuk është e gatshme ta pranojë Ukrainën. Ndërkohë, presidenti Zelenski është i gatshëm të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski është i gatshëm që në çdo kohë të takohet dhe të bisedojë drejtpërdrejt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, por nuk do të pranojë kurrfarë kopromisi ndaj pozicionit rus gjatë këtyre negociatave, ka thënë në një intervistë për CNN, zv/presidenti i Ukrainës, Ihor Zhovkva.

Zv/presidenti ka thënë se edhe pse presidenti Zelenski ishte i gatshëm për zgjidhje diplomatike, ai nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga presidenti rus Putin apo këshilltarët e tij.

Zhovkva ka thënë se Ukraina është e hapur për neutralitetin e vet, nëse NATO-ja për momentin  nuk është e gatshme ta pranojë Ukrainën në gjirin e saj. “Por, në të njejtën kohë, ne kemi nevojë për garanci të forta të sigurisë për Ukrainën, ashtu që këto luftëra, ky agresion i tmerrshëm, të mos përsëritet më në të ardhmën”, ka thënë ai.

10:20 | Putin thotë se Rusia duhet t’i mirëpresë luftëtarët vullnetarë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia duhët t’ua mundësojë vullnetarëve që duan të luftojnë në Ukrainë, të marrin pjesë në ofensivën ruse.

Duke folur në Këshillin rus të Sigurisë, Putin tha se ai gjithashtu përkrahë dhënien e armëve të kapura në Ukrainë për luftëtarët separatistë rusë të rajonit Donbas.

Sipas zyrtarëve rusë, 16 mijë vullnetarë nga Lindja e Mesme janë të gatshëm të shkojnë në Ukrainë, për të luftuar përkrah forcave rebele.

09:40 | Një i vrarë nga sulmet në Dnipro

Si pasojë e sulmeve ajrore në qytetin qëndror ukrainas të Dnipros ka mbetur një person i vrarë, kanë thënë shërbimet shtetërore të Emergjencës.

Ky vlerësohet të jetë sulmi I parë direkt në qytet.

“Kanë ndodhur tri sulme ajrore në qytet, të cilat kanë goditur një çerdhe, një banesë ndërtimi dhe një fabrikë të këpucave. Një person ka vdekur”, kanë thënë shërbimet e Emergjencës në një deklaratë.

09:30 | Chernihiv humbë furnizimin me ujë pas sulmeve

Pas sulmeve të mbrëmshme në qytetin verior të Chernihiv të Ukrainës, autorietet thonë se është ndaluar furnizimi i qytetit me ujë.

Kompania lokale e ujit tha se është duke punuar në riparimin e sistemit.

“Gjatë sulmeve të mbrëmshme, rrjeti I furnizimit me ujë është ndërprerë…për shkak të rrjedhjeve, është ndaluar furnizimi”, thuhet në njoftim.

“Po punojmë në rregullimin e problemit. Kjo mund të zgjasë 3-4 orë”, ka thënë kompania.

09:07 | SHBA miraton pakon e ndihmave për Ukrainën

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar ndihmën për Ukrainën në vlerë prej 14 miliardë dollarëve. Ndërkohë, është paralajmëruar largimi i statusit të veçantë tregtar të Rusisë nga SHBA, BE dhe grupi G7, si dhe është paralajmëruar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me kërkesë të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara pritet që Rusisë t’ia heqin statusin tregtar të “vendit më të favorizuar” për shkak të pushtimit mbi Ukrainën.

Këtë lajm pritet që ta bëjë të ditur presidenti amerikan, pasditën e sotme. Kjo lëvizje do të mundëson vënien e tarifave për mallrat nga Rusia.

Ndërkohë, Senati amerikan ka miratuar pakon e ndihmës për Ukrainën me vlerë 14 miliardë dollarë. Projektligji tani do të dërgohet presidentit amerikan për nënshkrim e i cili më pas shëndrrohet në ligj.

“Po i japim Ukrainës miliarda ndihmë për ushiqm, ilaqe, strehim dhe përkrahje për më shumë se dy milionë refugjatët që janë larguar nga Ukraina, si dhe po ndihmojmë transferimin e armëve siç janë raketat Javelin dhe Stinger, ka thënë lideri demokrat i senatit Chuck Schummer, para se të votohet projektligji.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent, me kërkesë të Rusisë, për të diskutuar pretendimet e tyre se SHBA po financon zhvillimin e armëve biologjike në Ukrainë. Vendet perëndimore kanë thënë se Rusia po i fabrikon këto pretendime për të arsyetuar përdorimin eventual të armëve kimike dhe biologjike në të ardhmën në Ukrainë.

09:00 | Lufta Ukrainë –Rusi, një kërcënim i ri global për sigurinë e ushqimit

Programi Botëror i Ushqimi thotë se lufta e Rusisë në Ukrainë po rrit nivelin global të urisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur sot alarmin se lufta e Rusisë në Ukrainë ndikon në gati një të tretën e eksporteve botërore të grurit dhe elbit.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit, Ukraina është një nga burimet kryesore në botë të grurit, plehrave dhe energjisë.Lufta atje paraqet sfida të reja në sigurimin e furnizimeve ushqimore, në kohën edhe të pandemisë së gjatë.

Gabriel Ferrero de Loma-Osorio, kreu i Komitetit për Sigurinë Botërore të Ushqimit, një platformë brenda OKB-së për luftën kundër urisë, ka thënë se “uria në nivel global po rritet shpejt”.