11:00 / 11.03.2022
Ukraina shpreson në rihapjen e korridorit nga Mariupoli
Ukraina shpreson që një korridor humanitar të rihapet nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, thotë zv/kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.
Këtë javë në vazhdimësi kanë dështuar përpjekjet për të ofruar rrugë të sigurta për largimin e banorëve nga Mariupoli, për shkak të vazhdimit të bombardimeve nga forcat ruse.
Qeveria ukrainase ka akuzuar forcat ruse për shkelje të armëpushimit të përkohëshëm, për t’u mundësuar banorëve evakuimin.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se përpjekjet për të dërguar ushqim, ujë dhe barna në qytet kanë dështuar gjithashtu, pasi tanket ruse kanë sulmuar konvojin humanitar.
Agjencitë e ndihmave thonë se njerëzit e ngujuar në Mariupol po përballen me kushte “apokaliptike”.























