Brenda 5 vitesh, BE do të heq varësinë nga nafta dhe gazi rus
Pas një samiti urgjent të liderëve të BE-së të thirrur për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë, von der Leyen ka theksuar se BE së shpejti do të shkëputet nga varësia e gazit rus.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë sot se liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord që në dy muajt e ardhshëm, të hartojnë propozimet për eliminimin e varësisë së bllokut nga importet ruse të energjisë deri në vitin 2027.
"Nga mesi i majit ne do të dalim me një propozim për të hequr varësinë nga gazi, nafta dhe qymyri rus dhe për t’u mbështetur në burimet e kombëtare e evropiane," tha Von der Leyen.
Bashkimi Evropian ka premtuar të reduktojë furnizimet me energji edhe më herët, veçanërisht në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina, por deri më tani është bërë pak përparim, sidomos për shkak të refuzimit të Gjermanisë.
Ajo ka njoftuar gjithashtu se BE të shpejti do të njoftojë paketën e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë.























