17:22 / 17.03.2022
UNESCO do të sigurojë helmeta e jelekë antiplumb për gazetarët në Ukrainë
Gazetarëve ukrainas do t`u jepen pajisje mbrojtëse personale dhe trajnime për të punuar në mjedise të rrezikshme të luftës.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka njoftuar se do të sigurojë një sasi fillestare prej 125 jelekësh dhe helmetash antiplumb për të ndihmuar gazetarët ukrainas të zhvendosur që të vazhdojnë punën e tyre dhe të mbështesin rrjedhën e lirë të informacionit gjatë luftës.
UNESCO ka theksuar se mijëra gazetarë po raportojnë nga terreni si korrespondentë lufte në Ukrainë, shumica prej të cilëve pa pajisjet e nevojshme mbrojtëse ose trajnimin e duhur për punë afër fushëbetejave.























