Kërkesat e Putinit për Ukrainën
BKT
   Ukraina

Kërkesat e Putinit për Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka telefonuar presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, të cilit ia ka shpalosur kërkesat e qarta për Ukrainën. Lidhur me këto kërkesa specfike ka treguar këshilltari dhe zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin.

Përgatiti: Bardhyl Bajrami

Sipas këshilltarit dhe zëdhënësit të presidentit Erdgoan, Ibrahim Kalin, kërkesat e presidentit Putin ndahen në dy kategori. Kërkesa kryesore që i takon kategorisë së parë është pranimi i Ukrainës se duhet të jetë neutrale dhe nuk duhet të aplikon për anëtarësim në NATO. Këtë kërkesë, presidenti ukrainas tashmë e ka pranuar.

Ukraina duhet të kalojë nëpër procesin e çarmatosjes për t’u siguruar se nuk paraqet kërcënim për Rusinë. Kërkesë tjetër është mbrojtja e gjuhës ruse në Ukrainë. Dhe ekziston edhe një kërkesë tjetër e quajtur de-nazifikimi. E kjo është shumë fyese për presidentin Zelenski, i cili vet është hebre dhe disa nga të afërmit e tij janë vrarë gjatë holokaustit, por pala turke beson se nuk do të jetë e rëndë për Zelenskin që ta pranojë.

Kategoria e dytë e kërkesave është ajo ku do të ketë vështirësi, ku presidenti Putin ka thënë se do të duheshin negociata ballë për ballë me presidentin ukrainas Zelenski para se të arrihet marrëveshja për këto pika. Këshilltari i presidentit turk nuk ka qenë shumë specifik për këto kërkesa, duke thënë thjesht se aty përfshihet statusi i rajonit Donbas, pjesë të të cilit rajon janë shkëputur nga Ukraina dhe statusi i gadishullit të Krimesë, që u aneksua nga Rusia në vitin 214.

Megjithatë, sipas analistëve, këto kërkesa të presidentit Putin nuk janë edhe aq të rënda siç disa kanë pasur drojën.

Megjithatë, një marrëveshjeje për paqe mund të marrë shumë kohë për t’u arritur, edhe nëse ndërkohë arrihet një marrëveshje për armëpushim.

Sa i përket disa zërave se presidenti Putin mund të jetë i sëmurë, e madje edhe mendërisht jostabil, zëdhënësi i presidentit Erdogan ka thënë se Putin ka qenë shumë i qartë dhe konciz në gjithë ato që i ka thënë.