19:18 / 21.03.2022
Të paktën 10 milionë njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre në Ukrainë
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi ka thënë se Rusia është përgjegjëse për vuajtjet e civilëve në Ukrainë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) ka njoftuar se të paktën 10 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë që nga fillimi i sulmeve ruse.
Kjo shifër përbën pothuajse një të katërtën e popullsisë së Ukrainës, e cila sipas të dhënave të Bankës Botërore të vitit 2020,ka 44 milionë banorë.
Sipas UNHCR 6.48 milionë prej tyre janë të zhvendosur brenda vendit, përderisa të tjerët kanë kërkuar strehim në vendet fqinje, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Moldavinë, Hungarinë, Sllovakinë, Rusinë dhe Bjellorusinë.























