Agresioni rus në Ukrainë - Dita 27
Të paktën një person është vrarë pasi një raketë ruse goditi stacionin e trenit në qytetin Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk. Zyrtarët e mbrojtjes amerikane njoftuan se forcat ruse po godasin qyetin Mariupol nga Deti Azov, për të cilin presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se nuk ka mbetur asgjë, veç rrënojave.
20:05 I SHBA thotë se nuk e ka parë që Kina po i jep armë Rusisë
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, u ka thënë mediave se administrata nuk ka parë që Kina po i jep Rusisë pajisje ushtarake që nga e premtja kur presidenti Joe Biden foli me homologun e tij kinez, Xi Jinping.
“Ajo që mund t'ju them është se që nga biseda e Presidentit Biden me Xi, ne nuk kemi parë se Pekini po i jep pajisje ushtarake Rusisë, por sigurisht, kjo është diçka që ne po monitorojmë nga afër", ka thënë Sullivan.

19.59 I Të paktën një i vrarë nga një sulm rus në stacionin e trenit në Pavlohrad
Zyrtarët në Ukrainë kanë njoftuar se të paktën një person është vrarë pasi një raketë ruse goditi dhe shkatërroi stacionin e trenit Pavlohrad-2 në qytetin Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk.
CNN citon shefin rajonal të administratës civile, Valentin Reznichenko që konfirmon një person është vrarë pasi sulmi nxori nga shinat 15 vagonë mallrash dhe shkatërroi një pjesë të hekurudhës.
Pavlohrad është një udhëkryq i rëndësishëm për sistemin hekurudhor të Ukrainës dhe është një lidhje transporti me disa rajone lindore, që janë vija aktive të frontit në luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.
19:38 I Rusia qëllon qytetin Mariupol nga deti Azov
Zyrtarët e mbrojtjes amerikane kanë njoftuar sot se forcat ruse kanë filluar të godasin Mariupolin nga Deti Azov, duke përdorur një grup prej rreth shtatë anijesh luftarake në përpjekje për të marrë kontrollin në këtë qytet port të Ukrainës.
CNN citon raportet ushtarake që konfirmojnë se disa nga anijet ruse mund të jenë një minahedhës dhe disa anije zbarkuese amfibe, që po sulmojnë në qytetin e rrethuar gjatë 24 orëve të fundit.
“Ne vazhdojmë të vëzhgojmë një numër të forcave ruse brenda qytetit të Mariupol dhe mendojmë se të paktën disa prej tyre janë forca separatiste që erdhën nga rajoni Donbas", citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan.
Më herët gjatë një fjalimi virtual në Parlamentin e Italisë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se asgjë veç rrënojave nuk ka mbetur nga qyteti Mariupol.
18:45 I Franca përgatitet të presë 100 mijë refugjatë ukrainas
Autoritet në Francë kanë njoftuar se kanë nisur një plan kombëtar për të përgatitur strehim për të paktën 100. 000 refugjatë ukrainas/
Kryeministri francez, Jean Castex, ka thënë sot se gjithnjë e më shumë refugjatë ukrainas janë strehuar në Francë. “ Ne po përgatisim infrastrukturën për të paktën 100 mijë ukrainas”, ka thënë Castex.
Sipas Castex, më shumë se 26.000 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Francë që nga fillimi i luftës dhe shumica kanë përfituar qëndrim të përkohshëm të parashikuar nga politika e mbrojtjes së përkohshme e BE-së, e aktivizuar më 3 mars.
17:43 I SHBA: ka prova të qarta që forcat ruse goditën qëllimisht infrastrukturën civile
Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se kanë siguruar “prova të qarta” që tregojnë se forcat ruse kanë qëllimisht “vënë në shënjestër infrastrukturën civile, spitalet, shkollat dhe strehimoret.
CNN citon zyrtarë të mbrojtjes që thonë gjithashtu se ka "indikacione që forcat ruse kanë kryer krime lufte".
Gjithashtu zyrtarët konfirmojnë se administrata e presidentit, Joe Biden, po “ndihmon në sigurimin e provave” për hetimet në vazhdim që do të nxjerrin nëse Rusia po kryen krime lufte.

17: 42 I Fëmijë ukrainas me kancer dërgohen në SHBA për trajtim
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se është koordinuar me Spitalin Kërkimor të Fëmijëve St. Jude për të transportuar fillimisht katër fëmijë ukrainas me kancer për trajtim në Shtetet e Bashkuara.
CNN citon një deklaratë të Departamentit të Shtetit që thotë se fëmijët u transportuan me avion nga Polonia, ku SHBA zhvendosi diplomatët e saj nga Ukraina për në aeroportin e Memphisit, ku u pritën dhe u transportuan për në Shën Jude.
“Pacientët do të rifillojnë terapinë e kancerit të ndërprerë nga agresioni i Kremlinit. Ata do të marrin kujdesin e specializuar për të cilin kanë nevojë. Atyre dhe anëtarëve të familjes së tyre do t'u sigurohet ushqim, siguri dhe mbështetje”, thuhet në njoftim.
16:50 I UNICEF thotë se çdo sekondë një fëmijë ukrainas bëhet refugjat
Fondi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) ka thënë sot se të dhënat e të larguarve nga Ukraina tregojnë se që nga fillimi i agresionit rus në çdo sekondë një fëmijë është bërë refugjatë.
James Elder, zëdhënës i UNICEF e ka përshkruari marramendës numrin e fëmijëve, jetët e të cilëve janë tronditur nga pushtimi rus.
“ Çdo rast nënkupton një fëmijë të ndarë nga babai i tyre dhe një familje të ndarë. Një fëmijë të ndarë nga shkolla që tashmë jeta i është përmbysur. Është torturuese".

16:36 I Zyrtarët ukrainas thonë se në Kherson ushqimi dhe ilaçet kanë mbaruar
Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka njoftuar sot se në Kherson, qytetin e parë më të madh që ka arritur ta pushtojë Rusia, furnizimet ushqimore dhe mjekësore pothuajse kanë mbaruar.
Reuters citon zëdhënësin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko që thotë në një postim në Twitter të martën se " më shumë se 300 mijë qytetarët e Khersonit përballen me një katastrofë humanitare për shkak të bllokadës së ushtrisë ruse".
Nikolenko ka thënë se Rusia po refuzon të hapë korridoret e evakuimit për civilët dhe bëri thirrje që të ndalohen para se të jetë tepër vonë “taktikat barbare të Rusisë”.

16:29 I Fotoreporteri ukrainas është zhdukur në rrethinat e Kievit
Fotoreporteri i njohur ukrainas, Max Levin, raportohet të jetë zhdukur pas kishte mbërritur në vijën e frontit pranë Kievit.
CNN citon kolegët e tij që thonë se komunikimi i tij i fundit me të ishte më 13 mars nga rrethi Vyshgorod, afër Kievit ku ai ishte duke udhëtuar me makinë dhe u ndalua pranë fshatit Guta Mezhigirska, rrugës për në një fshat tjetër, Motzhun.
16:03 I NATO paralajmëron se Bjellorusia së shpejti mund t'i bashkohet luftës në Ukrainë
Zyrtarë të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë se e Bjellorusia “së shpejti” mund t'i bashkohet Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.
CNN citon burime në NATO dhe administratën amerikane që thonë se pushteti në Minsk tashmë po merr hapa për t’u përfshirë në luftime në Ukrainë.
“Putin ka nevojë për mbështetje. Çdo gjë do të ndihmonte. Qeveria bjelloruse "po përgatit mjedisin për të justifikuar një ofensivë bjelloruse kundër Ukrainës", shpjegoi një zyrtar i NATO-s.
Gjithashtu zyrtarët e opozitës bjelloruse kanë paralajmëruar se njësitë ushtarake bjelloruse janë gati të shkojnë në Ukrainë.
15:48 I Guetrres thotë se lufta në Ukrainë nuk po duket se përfundon shpejt
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i ka bërë thirrje Rusisë për t'i dhënë fund "luftës absurde". “ Kjo luftë që është intensifikuar dhe nga ora në orë po bëhet e paparashikueshme, po shkakton vuajtje të tmerrshme njerëzore ," ka thënë Guterres.
Në një fjalim nga selia e OKB-së në New York, sekretari gjeneral e quajti "të pafitueshme" luftën e Rusisë dhe bëri thirrje për negociata serioze .
"Nga kontakti im me aktorë të ndryshëm, ka disa elemente përparimi diplomatik në disa çështje kyçe. Por lufta nuk duket se po mbaron shpejt", ka thënë Guterres.

15:27 I SHBA akuzon Rusinë për rrëmbimin e mijëra fëmijëve në Donetsk e Luhansk
Ambasada amerikane në Kiev, ka thënë sot se më shumë se 2.300 fëmijë ukrainas janë "larguar ilegalisht" nga territoret e Ukrainës lindore të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska dhe janë dërguar në Rusi.
“Sipas Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, forcat ruse kanë larguar ilegalisht 2.389 fëmijë ukrainas nga rajonet e Donetsk dhe Luhansk në Rusi. Kjo nuk është ndihmë. Është rrëmbim, shkroi ambasada amerikane në Twitter.
15:02 I Zelensky, Italisë: Mos u bëni vendpushim për vrasës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kërkoi të martën "më shumë sanksione, më shumë presion" kundër Rusisë, në kohën kur lufta ruse po vazhdon të shkatërrojë Ukrainën.
Në një fjalim virtual në parlamentin ialian, Zelenskyy ka thënë se për forcat ruse Ukraina është muri që i ndan nga Evropa. “Por barbarët nuk duhet të kalojnë," u tha Zelensky ligjvënësve italianë.
“Ne kemi nevojë për më shumë sanksione, më shumë presion që Rusia të mos kërkojë rezerva mercenarësh në Libi, por që Rusia të kërkojë paqe”, shtoi ai.
Zelensky tha se agresioni rus do të shkatërrojë më shumë jetë, më shumë familje.”Fatkeqësisht, artileria e raketave ruse nuk po ndalet së bombarduari qytetet tona, disa prej të cilave janë shkatërruar plotësisht. Por ju mos lejoni që Italia të bëhet vendpushim për vrasësit" tha ai. `
14:51 I Ukraina pret që fuqia e Putinit të kufizohet nga njerëzit e tij
Këshilltari i qeverisë së Ukrainës se ka një shans që "fuqia e Putinit të kufizohet nga njerëzit e tij". Liubov Tsybulska, këshilltar i qeverisë dhe ushtrisë së Ukrainës, ka thënë se nëse ka potencial për largimin rus nga Ukraina, skenari më i mirë është nëse diçka ndodh në Rusi.
“Ne e dimë se ka një ndarje mes s elitave ruse ... njerëzve brenda tyre. Qeveria e kupton që kjo luftë do ta çojë Rusinë në kolaps”, i ka thënë Tsybulska CNN.
Sipas tij Ukraina pret që elitat ruse të bëjnë një ndryshim në Rusi. “Nuk mund të presim që njerëzit të dalin e të protestojnë dhe, të bëjnë në thelb një revolucion. Por ka disa shanse që fuqia e Putinit të kufizohet nga njerëzit e tij,” ka thënë Tsybulska .
14:24 I Zelenskyy flet për kompromis për rajonet e kontestuara në lindje të Ukrainës
Presidenti ukrainas thotë se kompromisi mbi rajonet e kontestuara dhe ambiciet e Kievit për NATO-n do të kërkojnë një referendum.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë thirrje përsëri për bisedime të drejtpërdrejta me homologun e tij rus, Vladimir Putin, duke thënë se ai është gati për një kompromis për t'i dhënë fund luftës që ka shkaktuar një krizë të paprecedentë refugjatësh dhe ka lënë të shkatërruara qytetet e mëdha të Ukrainës.
Zelenskyy ka përsëritur se statusi i territoreve të kontestuara në lindje të vendit mund të jetë në diskutim dhe Kievi është i gatshëm të heq dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO-n në këmbim të tërheqjes së forcave ruse.
14:13 I Kremlini hedh poshtë pretendimet për sulme kibernetike
Kremlini ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Moska mund të jetë duke u përgatitur për të kryer sulme kibernetike në përgjigje të sanksioneve perëndimore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë ka mohuar që Moska ka plane për sulme kibernetike. “Ndryshe nga shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusia nuk angazhohet në banditizëm në nivel shtetëror”.
Deklarimet e Kremlinit vijën pasi presidenti amerikan, Joe Biden u tha bizneseve amerikane që të bënin më shumë për të mbrojtur veten kundër sulmeve të mundshme kibernetike nga Rusia.
14:05 I OBSH paralajmëron për krizë të shëndetit mendor të refugjatëve ukrainas
Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar sot se rreth gjysmë milioni refugjatë nga Ukraina që kanë ikur në Poloni kanë nevojë për mbështetje për probleme që ndërlidhen me shëndetin mendor.
Sipas OBSH-së të paktën 30 mijë prej refugjatëve tyre kanë probleme më serioze të shëndetit mendor.
Në një konferencë Gjenevë , përfaqësuesja e OBSH-së në Poloni Paloma Cuchi ka thënë se refugjatët vuajnë nga një sërë problemesh shëndetësore, por nevoja kryesore është për mbështetje për shkak të traumave.

13:53 I Shpërthime të fuqishme dëgjohen në Kiev, qyteti mbetet nën masa të rrepta kufizuese
Disa shpërthime të forta u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas Kiev të martën, ndërsa qyteti ishte nën një shtetrrethim 36-orësh.
Një nga shpërthimet ishte aq i fortë sa që ndezi alarmet e makinave në qendër të qytetit, dëshmoi një ekip i CNN.
Këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko tha se mbrojtja ajrore ukrainase kishte përfshirë dhe shkatërruar një raketë ruse Tochka dhe se mbetjet e predhës kishin rënë në lumin Dniper.
Granatimet dhe të shtëna me armë të vogla mund të dëgjoheshin gjithashtu me ndërprerje gjatë dy orëve të fundit.
13:40 I Fituesi rus i Çmimit Nobel për Paqe nxjerr në ankand medaljen për refugjatët ukrainas
Gazeta e pavarur ruse Novaya Gazeta ka njoftuar se do të nxjerrë në ankand medaljen e Çmimit Nobel për Paqen të fituar nga kryeredaktori i saj, Dmitry Muratov për të ndihmuar refugjatët ukrainas.
CNN citon një deklaratë të botuar sot në gazetë, të Muratov që thotë se një mori "fëmijësh të plagosur dhe të sëmurë" që kërkonin "trajtim urgjent" e detyruan atë të ofronte medaljen prestigjioze.
Muratov, bashkëthemeluesi i Novaya Gazeta, fitoi Çmimin Nobel për Paqen tetorin e kaluar për mbrojtjen e tij të palodhur të lirisë së fjalës në Rusi.
Laureati i çmimit “ Nober për Paqe” ka theksuar nevojën urgjente për armëpushim, shkëmbim të të burgosurve dhe sigurimin e korridoreve humanitare.
Të ardhurat nga shitja e medaljes do të shkojnë për Fondacionin e Ndihmës për Refugjatët ukrainas, një organizatë joqeveritare që përpiqet të sigurojë mbështetje për refugjatët nga Ukraina.

13:27 I Të paktën 117 fëmijë të vrarë që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka njoftuar sot se që nga fillimi agresionit rus, më 24 shkurt, janë vrarë të paktën 117 fëmijë dhe janë plagosur më shumë se 155 të tjerë.
Viktimat e fundit u regjistruan në Kharkiv, të hënën kur një tank rus goditi makinën e një familjeje që udhëtonte me dy fëmijë.
Prokuroria e Ukrainës gjithashtu ka njoftuar se janë shkatërruar 548 shkolla dhe objekte të tjera arsimore, 72 prej të cilave janë "shkatërruar plotësisht".

12:45 | Lajmet kryesore për Ukrainën deri në mesditë:
- Ministria ukrainase e Mbrojtjes thotë se forcat e saj kanë rimarrë kontrollin e periferisë së Kievit, Makariv
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë thotë se 3.5 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i luftës
- Presidenti ukrainas, Zelensku kërkon nga homologu i tij rus, Putin, që të mbajnë bisedime direkte; përsëriti se është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO
- Presidenti amerikan, Joe Biden paralajmëron se Moska është duke e menduar përdorimin e armëve kimike në Ukrainë
12:34 | Kryeministri italian dënon “arrogancën ruse”
Ukraina po tregon rezistencë “heroike” ndaj pushtimit rus, ka thënë kryeministri italian, Mario Draghi.
“Arroganca e qeverisë ruse është përplasur me dinjitetin e popullit ukrainas, të cilët kanë arritur ta frenojnë zgjerimin e Moskës dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha te ushtria pushtuese”, ka thënë ai para parlamentit italian.
12:30 | Zelensky i drejtohet parlamentit italian
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i është drejtuar parlamentit italian përmes një video lidhjeje, në vazhdën e adresimeve të tij para asambleve kombëtare të shteteve rreth botës.
Ai u tha ligjvënësve italianë se vendi i tij ndodhet në prag të mbijetimit të luftës me Rusinë dhe ka paralajmëruar se Moska po synon të depërtojë në pjesën tjetër të Evropës.
“Për trupat ruse, Ukraina është porta për në Evropë, aty ku ata duan të arrijnë, por barbarizmi nuk duhet të lejohet të depërtojë”, ka thënë ai.
Presidenti ukrainas, Zelensky pritet t’i drejtohet Asamblesë Kombëtare të Francës të mërkurën.

12:19 | Ukraina i kërkon Rusisë lejimin e furnizimit me ndihma
Zëvendës kryeministrja e Ukrainës ka kërkuar nga Rusia që të lejojë furnizimet me ndihma humanitare në Mariupol dhe t’i lejojë civilët që të evakuohen nga qyteti i rrethuar.
“Ne kërkojmë hapjen e korridoreve humanitare për civilët”, ka thënë Iryna Vereshchuk.
Vereshchuk gjithashtu tha se trupat ruse kanë penguar furnizimet e ndihmave për të arritur në qytetin jugor të Khersonit, i cili është kapur nga forcat ruse në fillim të marsit.
12:07 | Ukraina akuzon Rusinë për deportim të dhunshëm të më shumë se 2,000 fëmijëve
Forcat ruse kanë deportuar dhunshëm 2,389 fëmijë nga Donetsku dhe Luhansku në Ukrainë, thotë Ministria ukrainase e Punëve të Jashtme.
“Veprime të tilla janë shkelje të rënda të ligjeve ndërkombëtare, në veçanti të ligjit humanitar ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se 16,434 njerëz, përfshirë 2,389 fëmijë janë evakuuar nga këto krahina dhe se ata janë larguar sipas vullnetit të lirë.
UNICEF-i ka ngritur shqetësime lidhur me këto raportime, por ka theksuar se nuk ka arritur t’i konfirmojë këto pretendime në mënyrë të pavarur.
11:53 | Zelensky flet me Papën
Presidenti i Ukrainës,Volodymyr Zelensky ka folur me Papa Françeskun dhe i ka sugjeruar Vatikanit që të luajë një rol si ndërmjetësues për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Në një postim në Tweeter, Zelensky tha se ai i ka treguar Papës për “situatën e rëndë” dhe se si korridoret humanitare po bllokohen nga trupat ruse.
Zelensky shtoi se kontributi i Papës për t’i dhënë fund luftës do të vlerësohej.
Talked to @Pontifex. Told His Holiness about the difficult humanitarian situation and the blocking of rescue corridors by Russian troops. The mediating role of the Holy See in ending human suffering would be appreciated. Thanked for the prayers for Ukraine and peace. pic.twitter.com/wj4hmrTRGd
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) March 22, 2022
11:45 | Mbi 3.5 milionë refugjatë nga Ukraina
Më shumë se 3.5 milionë refugjatë kanë ikur nga Ukraina, sipas shifrave të fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Sipas të dhëave, 3,532,756 refugjatë kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Agjencia njoftoi se ka rritur furnizimet me batanije termike, ushqime të nxehta dhe me tenda përgjatë kufirit me Ukrainën, me fokus të veçantë në kufirin me Poloninë, në kohën kur temperaturat janë mjaft të ulëta.
11:22 | Ukraina: Më shumë se 15 mijë trupa ruse të vrarë
Rreth 15,300 trupa ruse janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes.
Ministria gjithashtu përmend 509 tanke, 1,556 mjete luftarake të blinduara dhe 252 sisteme të artilerisë në mesin e humbjeve ruse, që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, më 24 shkurt.
Rusia, që nga fillimi i luftës, vetëm një herë ka treguar për shifrat e humbjeve. Sipas palës ruse, deri më 2 mars Rusia ka pësuar 498 vdekje të trupave.
Në anën tjetër, SHBA ka vlerësuar se 7 mijë trupa ruse janë vrarë në konflikt.

11:10 | Fabrika ruse e tankeve suspendon punën
Ushtria ukrainase ka raportuar se një kompani ruse që prodhon dhe riparon tanke ka suspenduar punën, në objektin që ndodhet në rajonin qendror rus të Chelyabinsk, për shkak të mungesës së pjesëve të importuara.
Në një postim, Forcat e Armatosura të Ukrainës njoftojnë se prodhuesi Uralvagonzavod ka pauzuar prodhimin në fabrikë, për shkak të “mungesës së faturave për pjesët e huaja”.
Sipas tyre, ky prodhues vazhdimisht përdorë pjesë Perëndimore në prodhim.
10:13 | Më shumë se 1,000 ndërtesa janë shkatërruar në Kharkiv
Shërbimet Shtetërore të Emergjencave në Ukrainë kanë thënë se më shumë se 1,000 ndërtesa janë shkatërruar në qyetin Kharkiv nga sulmet ruse.
Shumica prej tyre janë ndërtesa banimi.
Forcat ruse vazhdimisht, për më shumë se tri javë, kanë bombarduar Kharkivin, i cili ndodhet vetëm 50 km larg kufirit me Rusinë.
Të paktën 500 civilë janë vrarë atje, sipas zyrtarëve ukrainas.

10:06 | Ukraina: Trupat ruse kanë municion vetëm edhe për tri ditë
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se forcat ruse kanë rezerva të municionit dhe ushqimit, të cilat nuk mund të zgjasin më shumë se tri ditë.
Në 24 orët e fundit, Forccat Ajrore të Ukrainës kanë goditur nëntë pajisje ruse – një aeroplan, gjashtë mjete ajrore pa pilot dhe dy helikopterë. Po ashtu, në njoftim thuhet se forcat ukrainase janë mbrojtur në 13 sulme dhe kanë shkatërruar 14 tanke ruse.
09:46 | Dy të vrarë e tre të lënduar nga sulmetm ruse
Sulmet ruse kanë lënë të vrarë dy persona dhe tre të tjerë të plagosur në qytetin Lysychansk, në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk, sipas zyrtarëve lokalë, raporton Al Jazeera.
Tetë njerëz janë shpëtuar nga rrënojat e shtëpive të shkatërruara prej bombardimeve, ka thënë Serhiy Hayday në një postim.
Bombardimet kanë goditur edhe një spital për fëmijë, duke vënë zjarr në ndërtesë, ka shtuar ai.
“Kafshët ruse kanë hapur zjarr në një spital fëmijësh në qytetin Severodonetsk, por fatmirësisht të gjithë pacientët, nënat e tyre dhe personeli mjekësor janë evakuuar”, tha ai.
09: 35 | “Fëmijët po vdesin nga dehidrimi” në Mariupol
Viktoria, një 27 vjeçare që arriti të ikë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, tregoi për BBC-në se si ka lënë familjen pas dhe ka ikur në një fshat rreth 20 km larg qytetit.
“Qyteti është tërësisht i shkatërruar”, tha ajo, duke iu dridhur zëri kur përshkruan bombardimet e përditshme nga rusët.
“Njerëzit qëndrojnë në bodrume, po as aty nuk është sigurt”.
“Tre fëmijë që unë i njoh kanë vdekur nga dehidrimi. Është shekulli 21 dhe fëmijët po vdesin nga dehidrimi në qytetin tim. Tash ata po vdesin për bukë”, ka thënë Viktoria.
Ajo tregoi se e ka pasur të pamundur që t’i marrë familjarët nga Mariupoli.
“Do të qëndroj në Ukrainë dhe do të përpiqem t’i marrë familjarët e mijë. Mariupol është jeta ime”, ka thënë Viktoria.
09:17 | Fermerët ukrainas vazhdojnë punën
Fermerët ukrainas vazhdojnë të punojnë për të ushqyer popullin, pavarësisht luftës që po zhvillohet atje.
Pavarësisht luftimeve, fermerët vazhdojnë të punojnë shumë për të siguruar që ata të prodhojnë ushqim për të ushqyer vendin.
Serhiy Vakhnyuk, fermer nga Ukraina, thotë se jeta vazhdon.
Viçat lindin... Qumështi nxirret... Ushtria ka betejën e tyre, fermerët kanë gjithashtu punën e tyre dhe duhet ushqyer ushtarët dhe kombin ukrainas.
Sipas tij, kur filloi lufta, Ukraina filloi të mobilizonte shumë njerëz në kazermat ushtarake. Më pas fermerët iu drejtuan Ministrisë së Bujqësisë. Që tani e tutje, njerëz që punojnë në sektorin e bujqësisë, si veterinerë apo persona që merren me fidane, ushtria nuk do t’i marrë në rradhët e saj për 8 muaj.
Fermeri Vakhnyuk tregon se kanë pothuajse 500 ton misër pas. Kanë shumë probleme. Portet detare që lejojnë eksportin janë mbyllur. Asnjë transaksion nuk bëhet. “Ne nuk shesim drithërat tona. Por, ne duhet të blejmë produkte për të vazhduar punën. Çekuilibri financiar është kritik. Kemi mungesë të madhe likuiditeti”, tha fermeri Vakhnyuk.

09:07 | Biden i kundërpërgjigjet akuzave të Moskës
Presidenti amerikan, Joe Biden, të hënën ka deklaruar se akuzat e rreme të Rusisë se Kievi ka armë biologjike dhe kimike, tregojnë se presidenti rus, Vladimir Putin po mendon t'i përdorë ato vetë në luftën kundër Ukrainës dhe SHBA-së.
Akuzat e rreme të Rusisë se Kievi ka armë biologjike dhe kimike ilustrojnë se presidenti rus Vladimir Putin po mendon t'i përdorë ato vetë në luftën kundër Ukrainës dhe SHBA-së, ka deklaruar Presidenti Joe Biden të hënën, pa përmendur prova.
“I mbështetur për muri, Putin tani flet për flet me akuza të reja false duke pohuar se ne amerikanët kemi armë biologjike dhe kimike në Evropë, kjo thjesht nuk është e vërtetë", ka deklaruar Biden në një ngjarje të Tryezës së Rrumbullakët të Biznesit.

"Ata po sugjerojnë gjithashtu se Ukraina ka armë biologjike dhe kimike në Ukrainë. Kjo është një shenjë e qartë se ai po konsideron përdorimin e të dyjave."
Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të mediave për koment.
Biden tha gjithashtu se Rusia përdori një raketë hipersonike për të shkatërruar një depo armësh të shtunën "sepse kjo është e vetmja gjë që ata mund të kalojnë me siguri absolute".
Vërejtjet e Bidenit u bënë jehonë komenteve të mëparshme nga zyrtarët në Uashington dhe vendet aleate, të cilët kanë akuzuar Rusinë për përhapjen e një pretendimi të paprovuar se Ukraina kishte një program armësh biologjike si një alibi e rreme për të nisur potencialisht sulmet e veta biologjike ose kimike.























