Zelenskyj në Parlamentin suedez: Makina ruse e luftës duhet të ndërpritet
BKT
   Ukraina

Zelenskyj në Parlamentin suedez: Makina ruse e luftës duhet të ndërpritet

Të enjten, Volodymyr Zelenskyj iu drejtua Parlamentit suedez, përmes një lidhjeje virtuale.

“Është një nder që kam këtë mundësi të flas me ju”, tha presidenti kur iu drejtua deputetëve suedezë.

Ai theksoi se Suedia ishte një nga vendet që kishte treguar mbështetjen më të madhe për Ukrainën gjatë pushtimit rus, i cili filloi më 24 shkurt.

"Ne nuk kemi parë një muaj kaq të errët që nga Lufta e Dytë Botërore," tha ai, duke numëruar mijëra të vrarë gjatë luftës.

“Forcat ruse po bombardojnë spitalet, si dhe universitetet dhe institucionet parashkollore”, tha presidenti.

“Nëse Ukraina nuk do të mbrohej, gjithçka që ne vlerësojmë dhe gjithçka që ju vlerësoni do të humbiste, kjo do të nënkuptonte gjithashtu se të gjitha vendet në afërsi të Rusisë do të ishin në rrezik, përfshirë Suedinë, njoftojnë mediet skandinave, transmeton RTKLive.

Sipas presidentit, në kanalet e propagandës ruse po zhvillohen diskutime se si forcat ruse do të pushtojnë Gotlandin.

Zelenskyj vlerësoi vendimin "historik" suedez për të dërguar armë në Ukrainë dhe faktin që Suedia qëndronte pas sanksioneve kundër Rusisë. Ai tha se të gjitha krimet e luftës duhet të dënohen dhe që ata, të cilët kryejnë krime të tilla, duhet të sillen para drejtësisë. Presidenti bëri thirrje për sanksione të mëtejshme.

“Makina ruse e luftës duhet të ndërpritet”, theksoi presidenti Zelenskyj.

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenskyj, përfundoi fjalimin në Parlamentin suedez duke thënë se Ukraina e kishte dëshmuar veten të denjë për anëtarësim në BE./M.M.