Udhëheqësit e NATO-s pajtohen për të forcuar mbrojtjen lindore
BKT
   Ukraina

Udhëheqësit e NATO-s pajtohen për të forcuar mbrojtjen lindore

Megjithatë masat sipas NATO-s mbeten “parandaluese, proporcionale dhe jo shkallëzuese".

Udhëheqësit e aleancës ushtarake transatlantike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë sot dakord të forcojnë mbrojtjen përgjatë krahut të saj lindor.

Në një deklaratë të publikuar pas një samiti të jashtëzakonshëm në Bruksel, të cilit iu adresua virtualisht edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, thuhet se si përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë, NATO  ka aktivizuar planet e mbrojtjes. “Kemi vendosur elementë të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Ne po krijojmë gjithashtu katër grupe luftarake shumëkombëshe, shtesë, në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki dhe  po marrim të gjitha masat dhe vendimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradë”.

Deklarata thotë se masat e aleancës "mbeten parandaluese, proporcionale dhe jo shkallëzuese".