Ukrainë: Banorët e Mariupolit rrezikojnë të vdesin nga uria
Autoritetet në Mariupol paralajmërojnë se banorët e qytetit do të vdesin nga uria, nëse nuk vjen ndihma.
Mungesa e ushqimit është tani aq e madhe në qytetin e rrethuar të Mariupolit, sa banorët kanë filluar të vdesin nga uria, raportojnë autoritetet lokale, sipas Kyiv Independent.
“Për tre ditë, pushtuesit rusë kanë refuzuar të lejojnë autokolonën e ndihmave humanitare në qytet”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, bën të ditur Guardian.
Granatimet e vazhdueshme dhe dështimet e përsëritura për të hapur korridoret humanitare kanë çuar në një mungesë akute të ushqimit në qytetin e rrethuar rëndë të Mariupolit, raporton Kyiv Independent, transmeton RTKLive.
Autoritetet lokale në Mariupol po bëjnë thirrje për ndihmë, pasi banorët kanë filluar të vdesin nga uria. Gjithnjë e më shumë njerëz janë pa ushqim”, shkruan Kyiv Independent në Twitter.
"Gjithnjë e më e mjerë"
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, e ka përshkruar më parë situatën në Mariupol si "një katastrofë humanitare", njofton BBC.
"Mund të shohim qartë se qëllimi i rusëve është të krijojnë uri, thotë deputeti ukrainas, Dmytro Gurin për BBC. Sipas tij plani i Rusisë është që Mariupoli të vdesë nga uria, derisa ata të dorëzohen./M.M.























