Agresioni rus në Ukrainë - Dita 34
Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë mbajnë të martën bisedimet e paqes. Delegacionet kanë arritur në Stamboll të Turqisë. Delegacioni i Ukrainës udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, dhe Mikhail Podolyak, këshilltari presidencial.
20:02 | Biden: Të shohim nëse Rusia mban premtimin

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden deklaroi sot se mbetet për t`u parë nëse Rusia do të ndërmarrë ndonjë veprim për të reduktuar operacionet e saj ushtarake në Ukrainë.
Ai shtoi se Washingtoni dhe aleatët e tij do të vazhdojnë me sanksione të forta dhe ndihmë për Ukrainën.
"Ne do të shohim nëse ata do të zbatojnë përsëri atë që po propozojnë," u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pas një takimi me kryeministrin e Singaporit Lee Hsien Loong, raporton Reuters.
Biden vuri në dukje gjithashtu se në telefonatën e tij të martën në mëngjes me krerët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, ishte një "konsensus" midis liderëve për "le të shohim vetëm se çfarë kanë për të ofruar”.
“Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë sanksionet. Ne do të vazhdojmë t'i sigurojmë ushtrisë ukrainase kapacitetin e tyre për t'u mbrojtur dhe do të vazhdojmë të vëzhgojmë nga afër atë që po ndodh," shtoi Biden.
19:55 | Përfaqësuesit rusë nuk janë të mirëpritur në memorialin e Holocaustit

Përfaqësuesit zyrtarë të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk janë ftuar në ceremoninë në ish-kampin e koncentrimit nazist në Bucheëald në Gjermani, njoftojnë organizatorët.
Më 10 prill do të shënohet 77 vjetori i çlirimit të kampit.
Zyrtarët e Fondacionit Buchenwald dhe Mittelbau-Dora Memorials thanë se vetëm përfaqësuesit e shoqërisë civile ruse dhe ukrainase do të ftohen në ceremoni.
Boris Romantschenko, i mbijetuari i kampit, i cili u vra në shtëpinë e tij në Kharkiv më 18 mars, do të nderohet me homazh të veçantë.
Romantschenko ka bërë thirrje për ‘paqe dhe liri në botë’ në ceremoninë e vitit 2015.
Sipas të dhënave të fondacionit, janë rreth 42 mijë të mbijetuar nga krimet e nazismit që jetojnë në Ukrainë.
19:19 | Mbretëria e Bashkuar mban të enjten konferencën e donatorëve për Ukrainën

Mbretëria e Bashkuar do të mbajë konferencën e donatorëve të enjten në përpjekje për të siguruar më shumë ndihmë letale për Ukrainën.
Kjo konferencë do të bashkojë të gjitha shtetet që dëshirojnë të dhurojnë mjete ushtarake Ukrainë, do të mbledhen nga sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace.
Ndihmat letale përfshijnë armë dhe automjete ushtarake.
Gjatë një vizite në Norvegji, Wallace tha se nga kjo konferencë “mund të shohim se çfarë mund të mbledhim nga bota që të sigurohemi që Rusia të mos jetë e suksesshme në okupimin dhe agresionin e saj të paligjshëm në një shtet sovran”.
Në fillim të muajit, zyrtarët britanikë thanë se po përgaditen të dërgojnë më shumë sisteme portabile raketore të ndihmojnë në shkatërrimin e tankeve dhe avionëve. Më poshtë janë llojet e armëve të dërguara në Ukrainë deri tash.

08:44 Delegacioni ukrainas mbërrin në Turqi për bisedime
Një delegacion ukrainas tashmë ka mbërritur në Stamboll të Turqisë për bisedimet e paqes me homologët e tyre rusë.
BBC raporton se delegacioni udhëhiqet nga ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, si dhe Mikhail Podolyak, kreu i zyrës së presidentit.
Grupi thotë se përparësia e tyre kryesore është sigurimi i një armëpushimi, megjithëse ka skepticizëm nëse kjo ka të ngjarë.
Bisedimet ballë për ballë, të parat në më shumë se dy javë, do të priten nga presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan.
Takimi është planifikuar të fillojë në orën 10:00 me orën lokale (07:00 GMT) të martën.
Ndër të tjera, Rusia po kërkon që Ukraina të braktisë çdo synim për t'u bashkuar me NATO-n - një çështje për të cilën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm të bëjë kompromis.
Çështje të tjera të mprehta që priten të diskutohen përfshijnë fatin e rajoneve të kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës, si dhe statusin e Krimesë, e cila u aneksua zyrtarisht nga Rusia në 2014.
Kujtojmë se mëngjesin e 24 shkurtit Rusia sulmoi Ukrainën dhe që atëherë ukrainasit po përballen me agresion rus.























