Ukraina thotë se shumica e trupave ruse po largohen nga Çernobili
BKT
   Ukraina

Ukraina thotë se shumica e trupave ruse po largohen nga Çernobili

Shumë nga trupat ruse që pushtuan ish-centralin bërthamor në Çernobil janë larguar, thotë kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës Energoatom.

Energoatom tha se dy kolona të forcave ruse ishin nisur drejt kufirit me Bjellorusinë, duke lënë vetëm disa në vend.

Njoftimi duket se konfirmon raportet e zyrtarëve të lartë të mbrojtjes amerikane të mërkurën për një tërheqje, raporton BBC.

Trupat ruse pushtuan Çernobilin në fillim të pushtimit të tyre në Ukrainë.

"Këtë mëngjes, pushtuesit njoftuan synimet e tyre për t'u larguar nga termocentrali bërthamor i Çernobilit," tha Energoatom në një deklaratë, të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Ditët e fundit Rusia ka thënë se do të zvogëlojë operacionet e saj në Ukrainën veriore rreth kryeqytetit Kiev dhe do të përqendrojë forcat e saj në rajonin lindor të Donbasit. Çernobili ndodhet në veri të Kievit.

Por të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Moska po ripozicionohej në vend që të tërhiqej, në mënyrë që të rigrupohet, të rifurnizohet dhe të përforcojë ofensivën e saj në Donbas.

Pushtimi i zonës së Çernobilit që nga 24 shkurti, ditën e pushtimit, është shoqëruar me shqetësime për ndërprerjet e energjisë elektrike dhe problemet për stafin, shumë prej të cilëve ishin të bllokuar atje për javë të tëra dhe nuk mund të ktheheshin në shtëpi.

Edhe pse nuk është më një termocentral që funksionon, Çernobili nuk u braktis kurrë plotësisht dhe ende kërkon menaxhim të vazhdueshëm.