Zelenskyi: Finlanda prijëse morale në koalicionin e Ukrainës kundër luftës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, e përshkroi Finlandën si një nga "udhëheqësit moralë" të koalicionit të Ukrainës kundër luftës, sepse Finlanda i dha Ukrainës ndihmë dhe armë në një fazë të hershme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, në një fjalim përmes videos në parlamentin finlandez, të premten, bëri thirrje për sanksione më të ashpra dhe më shumë armë për Ukrainën.
Zelenskyi iu referua Luftës së Dimrit në Finlandë, duke shtuar se guximi i ukrainasve tani po shpëton vendin e tyre.
“Në historinë tuaj, ju keni parë pushtimin rus të vendit tuaj. Kërcënimi ekziston ende”, shtoi ai në paraqitjen e tij në Parlamentin finlandez përmes videos.
Presidenti akuzoi rusët për dhunë të hapur kundër civilëve të paarmatosur në territoret e pushtuara.
Ai tha se Rusia do të sillej po aq brutalisht në Finlandë, sa në Ukrainë. Ai foli, ndër të tjera, për sulmin e sotëm të Rusisë në stacionin hekurudhor Kramatorsk, ku, sipas tij, u vranë më shumë se 30 persona.
“Ky ishte vetëm stacioni i zakonshëm i trenit në Ukrainën lindore, ku njerëzit ishin mbledhur për të pritur evakuimin. Në këtë mënyrë, Rusia mbron rusishtfolësit në Ukrainën lindore(!) (...) Askush nuk mund të shpjegojë pse Rusia ka nevojë për këtë luftë? Pse qëlloni civilët me raketa? Pse kjo mizori?” pyeti Zelenskyi në fjalimin e tij përmes videos.
“Përveç kësaj, forcat ruse kanë bombarduar një rezervuar uji në Kharkov”, tha ai.
Ai falënderoi Finlandën që vendosi të ndihmojë Ukrainën menjëherë pas fillimit të pushtimit rus, duke dërguar, ndër të tjera, armë.
“Ju jeni udhëheqësit moralë të koalicionit kundër luftës”, tha Zelenskyi.
Zelenskyi shprehu zhgënjimin për faktin se ukrainasit duhet të presin për armë dhe sanksione.
Ai, gjithashtu, inkurajoi qeverinë finlandeze që të ushtrojë presion mbi ato kompani finlandeze që kanë ende operacione në Rusi, në mënyrë që Rusia të mund të shkëputet plotësisht nga ekonomia botërore.
"Të gjitha lidhjet me Rusinë duhet të ndërpriten," tha ai.
Zelenskyi foli edhe për rindërtimin. Ai tha se shumë shkolla, kopshte dhe universitete janë shkatërruar dhe u bëri thirrje finlandezëve që të ndihmojnë në riparimin dhe rinovimin e tyre./M.M.























