Forcat ruse pretendojnë marrjen e portit tregtar të Mariupolit
Ushtria ruse njoftoi se kishte marrë kontrollin e plotë të portit kryesisht të shkatërruar të Mariupolit, pasi e kishte çliruar atë nga batalioni ”Azov”, një grup paraushtarak i ekstremit të djathtë.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se ”trupat e mbetura ukrainase në qytet ishin të bllokuara dhe të paafta për t’i shpëtuar rrethimit”.
Megjithatë, asnjë burim zyrtar ukrainas nuk i konfirmoi pretendimet.
Qyteti i Mariupolit ka qenë nën rrethim për javë të tëra, me banorët e mbetur të detyruar të rezistojnë pa ujë, ushqim apo energji elektrike.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA tha se trupat ruse “ndoshta” do të kapnin qytetin javën e ardhshme.
Mariupol ka një rëndësi strategjike për Moskën, pasi Rusia kërkon të krijojë një urë tokësore midis rajonit të Donbasit dhe gadishullit të pushtuar të Krimesë.
Forcat e Moskës po përqendrojnë sulmet e tyre në Ukrainën Lindore dhe Jugore dhe analistët parashikojnë një ofensivë të re të madhe në rajon në të ardhmen e afërt./atsh























