Ofensivë turke kundër kurdëve në Irakun verior
Ushtria turke ka ndërmarrë sërish veprime kundër pozicioneve kurde të PKK-së në Irakun verior. Gjatë sulmeve u përdorën edhe helikopterë dhe dronë.
Ankaraja e justifikoi këtë aksion me mbrojtjen kundër sulmeve terroriste dhe të drejtën për vetëmbrojtje. Sipas Ministrisë Turke të Mbrojtjes ofensiva qe koordinuar me "miqtë dhe aleatët" dhe shërbeu për të penguar një sulm të PKK-së në Turqi.
Deri tani nuk dihet asgjë për viktima. Një zëdhënës i PKK-së në Irak i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se kishte pasur "luftime intensive" midis ushtrisë turke dhe krahut ushtarak të PKK-së. Forcat e armatosura turke ishin përpjekur të dislokonin ushtarë me helikopterë dhe të përparonin në territoret kurde.
Ofensiva erdhi disa ditë pas vizitës së kreut të qeverisë së rajonit autonom kurd në Irak, Masrur Barsani, në Turqi. Besohet se Barsani ishte i informuar për aksionin e planifikuar të ushtrisë turke. Pas takimit të tij mekreun e shtetit turk Rexhep Tajip Erdogan, Barzani u shpreh pozitivisht për "zgjerimin e bashkëpunimit" me Turqinë "për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin" në Irakun verior.
Konflikti me PKK-në daton në vitin 1984. Që nga ajo kohë PKK-ja lufton për më shumë autonomi në Turqinë juglindore. Der tani në këtë konflikt janë vrarë më shumë se 40,000 vetë./DW























